SHBA 'Paguan' për Rekrutë Shqiptar në Polici

Shtimi i numrit të Shqiptarëve në rradhët e forcës policore Maqedonase mund të ndihmojë në uljen e tensioneve etnike.

SHBA 'Paguan' për Rekrutë Shqiptar në Polici

Shtimi i numrit të Shqiptarëve në rradhët e forcës policore Maqedonase mund të ndihmojë në uljen e tensioneve etnike.

Wednesday, 16 May, 2001

Sipas burimeve jo zyrtare të pranë ambasadës Amerikane në Shkup, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar një milion e gjysëm dollarë Amerikan për të shtuar numrin e Shqiptarëve në forcën policore, si pjesë e përpjekjeve për të zgjidhur krizën në Maqedoni.


Këto burime kanë thënë se presidenti Trajkovski ka diskutuar rreth projekteve për policiën gjatë vizitës së tij të fundit në Uashington.


Thuhet se kjo shumë do të shpenzohet për trajnimin dhe asistencën financiare për oficerë Shqiptarë të cilët tani përbëjnë vetëm më pak se katër përqind të forcës policore prej tetë mijë vetësh. Maqedonasit thonë se nuk ekziston asnjë kufi për pranimin e Shqiptarëve në rradhët e policisë, por se ata nuk dëshirojnë të shërbejnë në polici për shkak të armiqësisë së tyre ndaj shtetit.


Megjithatë, Shqiptarët prej kohësh nuk janë të kënaqur lidhur me numrin e vogël të tyre në polici. Gjatë këtyre viteve, marrëdhëniet ndërmjet Shqiptarëve dhe policisë kanë qenë të këqia, por ato janë rënduar ndjeshëm së fundi, ndërsa civilët Shqiptarë thonë se ata keqtrajtohen gjithnjë e më tepër nga policia. "E çfarë tjetër mund të pritet nga një forcë policore një etnike Maqedonase e cila tashmë ka treguar se nuk është e zonja të përballet me forcat e UCK-së," thotë Muzaferi, një Shqiptar nga fshati Sipkovice, pranë Tetovës. "Ata vetëm zbrazin zemërimin e tyre ndaj Shqiptarëve të pafajshëm, duke i detyruar ata të dalin në mal për tu bashkuar me luftëtarët".


Sipas disa njoftimeve, policia ka filluar të ndajë të rinjtë Shqiptar nga familjet e tyre nëpër pikat e kontrollit, ndërsa ata përpiqen të largohen nga zona e konfliktit. Ka pasur njoftime për arrestime në masë, ku të ndaluarit janë dërguar në stacionin e policisë në Kumanovë për tu pyetur ku edhe janë rrahur. .


Shqiptarët thonë se dhuna e policisë i ka radikalizuar ata. Sipas disa njoftimeve nga Kumanova, rreth njëzet policë Shqiptarë janë larguar nga policia dhe i kanë dorëzuar armët dhe uniformat e tyre UCK-së - një fakt ky i mohuar nga zëdhënësi i ministrisë së brendëshme, Stevo Penderovski. "Asnjë Shqiptar nuk është larguar nga forca policore, megjithëse shumë prej tyre nuk kanë ardhur në vendin e punës për shkaqe 'shëndetësore'," ka thënë ai.


Shtimi i numrit të policëve Shqiptarë do të jetë një gjë e vështirë për tu arritur sepse tani komuniteti Shqiptar është kundër forcës policore. "Shqiptarët nuk i kanë besuar kurrë policisë dhe duke parë edhe gjendjen e tanishme do të jetë tepër e vështirë që ata të ndryshojnë mendim në këtë moment," thotë një Shqiptar nga Shkupi.


Që prej pavarësisë së Maqedonisë në vitin 1991, partitë politike Shqiptare kanë kërkuar përfaqësim më të madh të Shqiptarëve në institucionet shtetërore, veçanërisht në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, IAM. Ata kanë thënë se forca policore ka vënë pa të drejtë në shënjestër komunitetin e tyre.


Policia ka sulmuar lagjen Bit-Pazar në Shkup në vitin 1993, si një pjesë e luftës ndaj kontrabandës së cigareve. Tre Shqiptarë dhe një MAqedonas janë vrarë në këtë incident. Oficerët e policisë kanë shtypur edhe përpjekjet për të rihapur universitetin e Tetovës në vitin 1997. Një Shqiptar është vrarë dhe një numër i madh nga personeli i universitetit janë ndaluar.


Me qëllim për tu mbrojtur, policia ka deklaruar se Shqiptarët janë përgjegjës për mbi 50 përqind të krimeve të rënda. Disa vëzhgues mendojnë se policia nuk ushtron ndonjë trajtim më të egër ndaj Shqiptarëve sesa Maqedonasve.


Megjithatë, ka pasur disa zhvillime pozitive. Për herë të parë që prej pavarësisë, posti i zëvendës ministrit të brendëshëm i është dhënë një Shqiptari. Gjatë qëndrimit në këtë post të Refet Elmazit, në ministri janë punësuar rreth 130 jo-Maqedonas.


Disa Shqiptarë janë emëruar në poste të rëndësishme në shërbimet sekrete dhe njësitë e hetimeve kriminale. Ata përbëjnë rreth një të katërtën e rekrutëve të rinj në polici gjatë vitit të kaluar.


Por për sa i përket Shqiptarëve, nuk ka pasur progres të mjaftueshëm. Dhe mbetet për të parë nëse qeveria e koalicionit të ri do të arrijë ndonjë rezultat më të mirë. Shumë nga kjo do të varet nga politikat e ministrit të ri Ljube Boskovski.


Ndërkohë, në terren, oficerët e policisë vazhdojnë të tejkalojnë pushtetin e tyre - dhe shumë prej tyre nuk janë bërë përgjegjës për këto veprime.


Në Janar, banorët e fshatit Arcina pranë Shkupit janë keqtrajtuar nga policia gjatë hetimit të vrasjes fatele të tre kolegëve të tyre. Pas një kërkese nga komuniteti Shqiptar, disa oficerë policie janë shkarkuar nga detyra.


Sabri Asani, një nga të dyshuarit Shqiptarë si pjesmarrës në incidentin me armë, ka vdekur më pas në ambjentet e policisë, si pasojë e një mbidoze kokainë, thotë policia. Por fotografitë e kufomës së tij tregonin shenja të qarta dhune, përfshirë edhe një vrimë që dukej si e shkaktuar nga një plumb në kokë, sipas Amnesty International.


Anëtarë të shërbimeve të sigurimit dhe kundër spiunazhit kanë rrahur një Shqiptar nga fshati Radushë në Shkurt të këtij viti. Avokati i popullit, Boris Naumovski, e ka përshkruar këtë incident si një veprim torture. Fajtorët janë shkarkuar, por sapo shpërtheu kriza e fundit politike ata janë rithirrur në postet e tyre.


Zyrtarët Maqedonas e pranojnë se rritja e numrit të Shqiptarëve në forcën policore do të ishte në favor të qeverisë, në lidhje me luftën ndaj krimit, dhe ndoshta edhe më e rëndësishme, në ruajtjen e marrëdhënieve të mira ndëretnike. Në fund të fundit, një polic Shqiptar i cili patrullon në një fshat të banuar kryesisht nga Shqiptarët është më pak e mundur të konsiderohet si një armik.


Macedonia
Frontline Updates
Support local journalists