Maqedonia Tronditet nga një Skandal Financiar

Ministri i mbrojtjes së Maqedonisë është implikuar në një skandal financiar të madh me vlerë disa milionë marka Gjermane

Maqedonia Tronditet nga një Skandal Financiar

Ministri i mbrojtjes së Maqedonisë është implikuar në një skandal financiar të madh me vlerë disa milionë marka Gjermane

Një transferim i paligjshëm i një shume prej 11 milion marka Gjermane nga buxheti kombëtar Maqedonas për tek disa të afërm të ministrit të mbrojtjes Ljuben Paunovski e ka hedhur qeverinë edhe ashtu të dobët të vendit në një krizë të thellë në një moment shumë të rëndësishëm për paqen në rajon.


Kryeministri Ljubcko Georgievski tepër i tronditur ka njoftuar për këtë skandal në një takim të partisë së tij VMRO-DPMNE të Dielën e kaluar, duke thënë se gjatë tre muajve të kaluar paratë janë transferuar në “llogaritë e kompanive punonjësit e të cilave kanë lidhje të afërta familjare me ministrin e mbrojtjes”.


Duke u vendosur vetë në krye të një komisioni prej tre anëtarësh të partisë për të hetuar për skandalin, kryeministri ka deklaruar se “kjo çështje duhet të sqarohet”.


Paunovski ishte larguar më parë nga mbledhja, duke dhënë disa përgjigje të paplota për gazetarët që kërkonin shpjegime. Por më vonë ai ka mohuar me forcë çdo përfshirje të tij dhe ka akuzuar rivalët politik se kanë organizuar të gjitha akuzat.


“Unë nuk do të paraqes dorëheqjen deri sa i gjithë skandali të sqarohet sepse këtu përfshihet edhe familja ime,” ka thënë Paunovski. Ai ka premtuar të respektojë rezultatin e hetimeve.


Në shtypin Maqedonas janë botuar njoftime sipas të cilave një pjesë e parave janë transferuar nga buxheti i mbrojtjes në një llogari në emër të vjehrrit të Paunovskit, Ljubcko Petkovski, dhe në llogarinë e kunatit Vladimir Talevski.


Analistët politik kanë parashikuar që kryeministri do të detyrohet të afrojë për këtë vit zgjedhjet të cilat janë të planifikuara për vitin 2002.


Në këtë moment ai mund të vendosë ta shtyjë një gjë të tillë për shkak të bisedimeve delikate ndërmjet Maqedonasve dhe përfaqësuesve Shqiptarë.


Vetëm një muaj më parëqeveria dhe Ushtria Clirimtare Kombëtare, UCK, kanë arritur një armëpushim në luftimet në Maqedoninë Perëndimore për të lejuar fillimin e bisedimeve rreth kërkesave të pakicës Shqiptare etnike në vend për të drejta më të mëdha. Bisedimet janë planifikuar të arrijnë një rezultat deri në muajin Qershor.


Në të njëjtën kohë, bisedimet ndër partiake kanë filluar për të krijuar një qeveri të re të mbështetur nga një koalicion i gjerë, i cili, shpresohet të stabilizojë skenën politike në këtë vend Ballkanik prej 2.2 milion banorë, i cili është shkëputur nga Federata Jugosllave në fillim të viteve 1990.


Koalicioni i propozuar do të bashkonte dy partitë më të mëdha Maqedonase (VMRO-DPMNE në qeveri dhe Bashkimin Social Demokrat të Maqedonisë në opozitë) si edhe dy partitë kryesore Shqiptare në Maqedoni (Partinë Demokratike të Shqiptarëve të drejtuar nga Arbër Xhaferri, e cila është edhe tani anëtare e koalicionit qeveritar, dhe Partinë për Prosperitet Demokratik të opozitës të drejtuar nga Imer Imeri).


Deri më tani pika më e vështirë e bisedimeve për koalicionin ka qenë shpërndarja e posteve ministrore. Opozita ka ngulur këmbë që të kontrollojë ministrinë e drejtësisë dhe atë të brendëshme. Tani, skandali i ri financiar ka shkaktuar një mosmarrëveshje të re.


Disa drejtues të opoizitës e kanë përshkruar atë si “një shembull klasik të përfitimit nga lufta”. Ata kanë thënë se transfertat e paligjëshme janë bërë pak kohë përpara dhe gjatë përleshjeve me luftëtarët Shqiptarë.


Skandali është zbuluar në disa faza. Së pari stacioni televiziv i shkupit Kanali 5 ka njoftuar për tre milion marka Gjermane të cilat në mënyrë sekrete janë depozituar në llogaritë e të afërmëve të Paunovskit. Media të tjera Maqedonase e kanë zhvilluar më tej këtë temë dhe kanë dhënë shifra gjithnjë e më të larta. Por shuma e njoftuar nga kryeministri ka qenë më e larta nga të gjitha.


Disa kritikë kanë bërë pyetjen se përse skandali duhet të hetohet nga një komision partiak dhe jo nga prokurori publik, Stavre Xhikov. Prokurori, një anëtar i VMRO-DPMNE-së, është emëruar në këtë post dy vjet më parë, pasi partia fitoi zgjedhjet parlamentare.


Xhikov është shmangur nga interesi i mediave prej ditësh që pas shpërthimit të skandalit. Por gazetarët mendojnë se ai nuk do të jetë në gjendje ti shmanget kësaj çështjeje edhe për shumë kohë. Vetë Georgievski ka konfirmuar se, pavarësisht nga rezultatet e hetimit partiak, çështja do të hetohet edhe nga organet juridike.


Georgievski i ka besuar shumë Paunovskit gjatë tre vjetëve të fundit. Dikur kritik arti, Paunovski ka pasur një ngritje të shpejtë në politikë. Pasi ka shërbyer si zëdhënës i partisë për VMRO-DPMNE ndërsa ajo ka qenë në opozitë deri në vitin 1998, ai është emëruar ministër i kulturës në vitin 1999 dhe ministër i mbrojtjes në Gusht të vitit 2000.


I njohur për stilin e tij të ashpër politik, Paunovski ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj kritikëve të tij. Ai përplasur haptazi me ministren e brendëshme Dosta Dimovska për mënyrën e zgjidhjes së problemit të luftëtarëve Shqiptarë.


Dimovska është konsideruar prej kohësh si krahu i djathtë i Georgievskit në drejtimin e vendit dhe partisë. Tani, Paunovski thotë se për shkak të mosmarrëveshjeve të tij me Dimovskën ai është një viktimë e “intrigave ndër partiake” që kanë për qëllim eleminimin e tij politik.


Nevena Angelovska është një bashkëpunëtore e IWPR-së.


Macedonia
Frontline Updates
Support local journalists