Zhurma Diplomatike në Shkup

Diplomatët e huaj që ndërhyjnë në çështjet e brendëshme të Maqedonisë përballen me akuza për arrogancë dhe korrupsion.

Zhurma Diplomatike në Shkup

Diplomatët e huaj që ndërhyjnë në çështjet e brendëshme të Maqedonisë përballen me akuza për arrogancë dhe korrupsion.

Ambasadori i Gjermanisë në Maqedoni, Verner Burghart, do ta kujtojë gjatë pushimin e tij në parkun kombëtar të Malit Pelister në Maqedoni. Pasi ka prerë disa degë të një pishe, e cila ka qenë një specie e mbrojtur, ai është gjendur në qendër të vëmendjes së shtypit si një vandal ekologjik.


Emri i tij është shkruar në listën e shhkelësve të ligjit të inspektorit lokal të ekologjisë. Më vonë pasuan një sërë shkrimesh në faqet e para të gazetave të përditëshme të Shkupit. 'Ambasadori pret pemën e Krishtlindjeve në Pelister', thuhej në një titull të madh të një gazete. Pas disa ditësh, ambasadori u tërhoq nga të gjitha shfaqjet në publik.


Ky rast tregon një ndjeshmëri të madhe të publikut për veprimet e diplomatëve të huaj në Maqedoni. Të paktën katër ambasadorë të tjerë kanë qenë në qendër të vëmendjes duke pasur një publicitet të padëshirueshëm.


Të dërguarit nga vendet Perëndimore dhe ato fqinje janë vënë në lojë, janë akuzuar për arrogancë, korrupsion dhe për mosmarrëveshje me njëri tjetrin. Të gjithë këta janë akuzuar për përfshirje në punët e brendëshme të shtetit - gjë e cila është një problem i rëndësishëm për një vend të vogël i cili është gjendur prej shumë kohësh ndërmjet fqinjëve të fuqishëm Ballkanik.


Kryeredaktori i gazetës së njohur të Shkupit Utrinski Vesnik, Branko Trckovski, ka shkruajtur në një artikull të tij satirik se në Maqedoni duhet të krijohet një 'Këshill i Ambasadorëve', i cili do të drejtonte qeverinë dhe do të kontrollonte vendim marrjen e parlamentit.


Shkalla e pakënaqësisë tregon për zemërimin e madh ndaj qëndrimeve të Greqisë, Serbisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë. Ambasadorët e këtyre vendeve tradicionalisht janë në garë se kush e kush të arrijë të 'drejtën historike' për të pasur më tepër influencë ndaj Shkupit.


Për ambasadorin Serb, Maqedonia është një vend Serb. Ambasadori Bullgar e konsideron Maqedoninë si një vend me origjinë Bullgare. Ambasadori Shqiptar citon numrin e Shqiptarëve etnik të cilët jetojnë në Maqedoninë Perëndimore si një provë të identitetit Shqiptar të shtetit. Për sa i përket Athinës, ky territor është pjesë e Maqedonisë Greke.


I dërguari i Bullgarisë Angel Dimitrov është gjendur nën sulme të drejtpërdrejta. Në fund të vitit të kaluar, gazetat e opozitës, si edhe një numër intelektualësh Maqedonas, i kanë kërkuar qeverisë të tërheqë kredencialet e ambasadorit për shkak të pjesëmarrjes së tij në prezantimin e një shoqate pro-Bullgare Radko në Hotelin Holiday Inn në Shkup. Ata e kanë përshkruar Radko-n - e cila konsiderohet si shumë e afërt me nacionalistët Bullgarë - si një "shoqatë fashiste".


Dy të rinjë Maqedonas kanë hedhur një bombë tymuese gjatë ceremonisë dhe ajo u mbyll në një rrëmujë të madhe.


Organizata Radko mbështetet nga Organizata Patriotike Maqedonase, MPO, me qendër në Kanada dhe nga Organizata ekstremiste e Brendëshme Revolucionare Maqedonase - Bashkimi i Shoqatave Maqedonase, VMRO-SDM, një grup me qendër në kryeqytetin Bullgar Sofje.


Këto organizata nuk e njohin as kombin Maqedonas dhe as gjuhën dhe e konsiderojnë shtetin Maqedonas si një entitet tranzitor drejt aneksimit nga Bullgaria.


Gazeta e Shkupit, Dnevnik, ka botuar një letër të ambasadorit Bullgar në të cilën shprehej pikpamja se Maqedonia ishte një 'krijim artificial'. Ai thoshte se prezenca e tij në ceremoni nuk prishte protokollin diplomatik dhe ai kishte mirëpritur deklaratën e Radko-s për identitetin e saj Bullgar.


Fushata kundër tij ndaloi. Shumë intelektualë të njohur Maqedonas arritën në përfundimin se qeveria dhe rregjimet mund të ndryshojnë në Ballkan por aspiratat historike nuk vdesin kurrë.


Ish ambasadori Jugosllav Zoran Janackoviq ka qenë një tjetër i dërguar shumë jo popullor në Maqedoni. Ndërsa ai përgatitej të merrte postin e ambasadorit katër vjet më parë, Partia e Rimëkëmbjes Serbe e opozitës, në Beograd, e akuzoi atë si një agjent të Millosheviqit, i cili do të organizonte në Shkup një "qendër Ballkanike spiunazhi."


Pas mbërritjes së tij në Shkup, shërbimet sekrete Maqedonase e akuzuan atë se kishte krijuar një infrastrukturë spiunazhi dhe i kërkuan presidentit të atëhershëm Maqedonas Kiro Gligorov të tërhiqte kredencialet e tij. Gligorov vendosi të mos veprojë për shkak të frikës se mos dëmtonte marrëdhëniet edhe ashtu të këqija me Beogradin.


Janackoviq më pas filloi të ndërtojë një ambasadë tepër të madhe në një tokë shumë të shtrenjtë si për të konkuruar me Ambasadën Amerikane. Ndërsa në Shkup vinin lajmet për varfërinë e madhe të shkaktuar nga rregjimi i Millosheviqit në Serbi, ambasadori Jugosllav organizonte mbrëmje luksoze në njërën prej të cilave, sipas shtypit, ai poqi një ka në tarracën e hotelit Holiday Inn në Shkup.


Janackoviq është sulmuar vazhdimisht nga shtypi Maqedonas. Autoritetet e reja të Beogradit e kanë tërhequr atë nga Shkupi në fund të muajit Dhjetor.


Mbi të gjitha, revista e respektuar Maqedonase, Forum, ka botuar një editorial ku akuzohet Perëndimi se nuk po bën asgjë për të lehtësuar peshën e reformave të kërkuara prej tij nga vendet ish komuniste. Diplomatët gjithashtu zihen edhe ndërmjet njëri tjetrit se kush e kush të përmbushë interesat e vendit të tij. Disa janë akuzuar edhe se kanë pranuar rrushfete në shkëmbim të mbështetjes politike.


Maqedonasit e shqetësuar ankohen se ata po jetojnë në një protektorat. Intelektualët më të njohur kanë filluar të quajnë Maqedoninë një "laborator të Perëndimit".


Në krye të listës së të dërguarve më jopopullorë është ambasadori i BE-së Horhe Pinto Tesiera, i quajtur nga gazetat si "guvernatori", një emër i vjetër për një drejtues absolut të një territori.


Në një intervistë me TV, ish ministri Bullgar i Financave, Boris Stojmenov ka akuzuar Tesieran se është blerë nga qeveria. Stojmenov nuk ka përmendur hollësi të veçanta, por ka thënë se Tesiera ka qenë një kritik i ashpër i qeverisë deri në krizën politike të Dhjetorit të kaluar.


Kriza shpërtheu kur Partia kryesore e opozitës Social Demokrate e Branko Crvenkovskit, së bashku me Alternativën Demokratike të Vasil Tupurkovskit u përpoqën të rrëzonin qeverinë.


Në një konferencë shtypi në atë kohë, Teseira deklaroi se "vetëm një vend i brishtë dhe i papërgjegjshëm do të ndryshonte qeverinë në një kohë kaq të turbullt". Ai ka paralajmëruar se rënia e qeverisë së Georgievskit mund të sillte një luftë.


Kur opozita nuk arriti të siguronte shumicën parlamentare, ankesat kundër ambasadorit të BE-së u shtuan. Ai është akuzuar nga disa gazeta se mbështet disa njerëz për blerjen e kompanive shtetërore Maqedonase.


Gunar Vigand, zëdhënës i Komisionerit Europian Kris Paten ka denoncuar këto akuza ndaj Tesieras si "spekulime absurde".


Ambasadorë të tjerë janë akuzuar për ndërhyrje në punët e brendëshme. Një shembull tipik është edhe rasti i kompanisë së telekomunikacionit të Maqedonisë TELEKOM, e cila është nxjerrë në shitje nga qeveria e Georgievskit në fund të vitit të kaluar.


Blerësit kryesorë ishin kompania Hungareze MATAV - aksionerët kryesorë të së cilës janë Amerikanë dhe Gjermanë - dhe kompania Greke OTE. Drejtuesi i Partisë Demokratike dhe ish ministër i policisë Pavle Trajanov ka akuzuar Georgievskin se po shet TELEKOM-n për shkak të një komisioni të premtuar për veten. Ai dhe partitë e tjera të opozitës kanë bërë thirrje për ndalimin e sitjes. Por përpara një debati parlamentar për këtë çështje, ambasadori Amerikan, Maik Ajniç, ka habitur publikun duke njoftuar se MATAV e kishte blerë TELEKOM-in.


Ajniç ka thënë se shitja ishte kryer në mënyrë transparente dhe ligjore, por publiku arriti në konkluzionin se në fakt ishte ambasadori Amerikan i cili e kishte 'shitur' TELEKOM-in Maqedonas.


Një këshilltar politik i ish presidentit Kiro Gligorov, Eleonora Karanfilska, ka thënë se as qeveria dhe as opozita nuk kanë qenë në gjendje të ndërtojnë politikat e tyre por janë mbështetur kryesisht në integrimin e tyre me Perëndimin. Megjithatë, kjo mbështetje e ka një çmim - dhe ndonjëherë një çmim shumë të lartë.


Për shembull, gjatë ndërhyrjes së NATO-s, Perëndimi i kërkoi Maqedonisë të hapte kufirin e saj me Kosovën. Pas disa hezitimesh vendi pranoi ta bënte këtë. Rreth 400,000 refugjatë (rreth 25 përqind e popullsisë së përgjithëshme) u futën në Maqedoni si rezultat i këtij vendimi. Më pas, në fund të verës së kaluar, Perëndimi i kërkoi Maqedonisë të merrte të gjithë refugjatët të cilët ishin larguar nëpërmjet territorit Maqedonas për në vende të tjera Perëndimore.


Në fund të vitit të kaluar, përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bisvaxhit Benerxhi, ka kërkuar që qeveria të shkurtojë 4,500 vende pune në sektorin shtetëror, një kusht ky për marrjen e borxheve dhe kredive. Qeveria e pranoi.


Në përgjigje ndaj presionit të Perëndimit mbi Maqedoninë, revista Forum ka botuar një editorial ku akuzohen institucionet ndërkombëtare se nuk po bëjnë asgjë për të lehtësuar vështirësitë me të cilat përballen vendet ish komuniste në kuadrin e reformave të kërkuara nga ato.


Zyrtarët Perëndimorë në Maqedoni janë shprehur për IËPR-në se akuzat ndaj kolegëve të tyre janë të pabaza. Ata ngulin këmbë se ato janë rezultat i një kombinimi të ksenofobisë dhe një përpjekje për të mbuluar inkompetencën e zyrtarëve vendas.


Nuk ka dyshim se 'skandalet e ambasadorëve' në Maqedoni do të vazhdojnë. Pozicioni gjeo strategjik i vendit do të tërheqë patjetër vëmendjen e fqinjëve të saj Ballkanik. Në të njëjtën kohë, vështirësitë financiare që kalon vendi e detyrojnë atë të pranojë kërkesat e Perëndimit.


Ky proces në vend që të kënaqë qytetarët e Maqedonisë, përforcon edhe më tepër mekanizmat mbrojtëse të cilat shkaktojnë një reagim të tepruar dhe ksenofobi.


Dragan Nikoliq është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists