Zhgënjimi i Berishës në Zgjedhje

Sali Berisha është vënë nën një presion të madh për të dhënë dorëheqjen si kryetar i partisë më të madhe të opozitës në Shqipëri pas rezultatit të dobët të arritur në zgjedhjet vendore.

Zhgënjimi i Berishës në Zgjedhje

Sali Berisha është vënë nën një presion të madh për të dhënë dorëheqjen si kryetar i partisë më të madhe të opozitës në Shqipëri pas rezultatit të dobët të arritur në zgjedhjet vendore.

Tuesday, 6 September, 2005

Drejtuesi i Partisë Demokratike të Shqipërisë në opozitë, PDSH, Sali Berisha, po përballet me thirrje për dorëheqje pas fitores së socialistëve në pushtet në zgjedhjet vendore.


Socialistët, të drejtuar nga ish-kryeministri Fatos Nano, kanë arritur fitore të thella në zgjedhjet e 1 tetorit duke marrë në kontroll disa autoritete locale, të cilat mbaheshin nga PD-ja që prej vitit 1996. Ata kanë fituar 27 bashki nga 65, ndërsa PD-ja ka fituar vetëm në nëntë bashki. Komisioni Qendror Zgjedhor, KQZ, thotë se balotazhet do të zhvillohen në 40 përqind të 385 bashkive dhe komunave më 15 tetor.


Berisha i ka përshkruar rezultatet si një "lojë e turpshme", por ka thënë se partia e tij do të vendosë se si do të veprojë pas zgjedhjeve.


Në prag të zgjedhjeve, presioni ndërkombëtar dhe ai i opozitës e ka detyruar KQZ-në të rrisë numrin e votuesve të regjistruar nga 2.3 në 2.7 milion votues. Qeveria ka thënë se problemet e regjistrimit kanë qenë për faj të autoriteteve lokale të kontrolluara nga PD-ja, të cilat kanë fallsifikuar me qëllim listat e votuesve duke e ditur se do të humbnin në zgjedhje.


Berisha ka bërë disa paralajmërime përpara zgjedhjeve se nuk do të pranonte rezultatin e tyre. Vetëm ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar, kryesisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ka bindur atë të mos bojkotonte zgjedhjet.


Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë (OSCE) dhe Berisha kanë pasur marrëdhënie të tensionuara që prej zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1997. Berisha e ka akuzuar OSBE-në dhe vëzhguesit e saj të ODIHR-it se kanë favorizuar Partinë Socialiste dhe ka kërkuar që zgjedhjet e 1997 të vëzhgoheshin nga Këshilli i Europës. Më në fund ai është detyruar të tërhiqet.


OSBE, Këshilli i Europës e qeveritë e SHBA-së dhe shteteve europiane kanë deklaruar se zgjedhjet e 1 tetorit kanë qenë të lira dhe të ndershme. Kjo është një arritje jo e vogël në Shqipërinë post-komuniste, e cila është përfshirë nga dhuna dhe mungesa e stabilitetit politik.


Fushata elektorale është dominuar nga mitingjet, ku drejtuesit e partive kanë shtuar tensionet dhe fyer politikanët rivalë. Berisha dhe Nano e kanë quajtur njëri tjetrin si "Millosheviqi shqiptar".


Ditën e votimeve, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madlen Ollbrait, ka ndërhyrë duke dërguar një letër nëpërmjet të dërguarit të saj special Robert Frouik ku u kërkonte të dy drejtuesve të partive kryesore të pranojnë rezultatet ashtu siç u ka hije pozitave të tyre si liderë.


Pas humbjes së tij, Berisha po përballet me thirrje të shumta për dorëheqje për të lejuar reformimin e PDSH-së. Disa zyrtarë të partisë e kanë quajtur strategjinë e Berishës si "aventuriere" dhe kanë bërë thirrje që ai të pranojë rezultatet. Ata kanë kritikuar qëndrimin e tij si të papërshtatshëm dhe nxitës të 'tensioneve të rrezikshme' në vend. Rezultati i dobët i PD-së i është faturuar kryesisht personalitetit impulsiv dhe të paqëndrueshëm të Berishës.


Përpara zgjedhjeve Berisha kishte deklaruar se votat për PD-në ishin vota për të.


"Mua më vjen turp nga vetja, sepse kisha premtuar se nuk do të votoja kurrë për komunistët," thotë një votues nga Tirana. "Por si mund të votoj për atë njeri?"


Në një intervistë për gazetën Albania, deputeti i PD-së Genc Pollo i ka bërë thirrje Berishës të mos vazhdojë të "mbajë peng partinë për mbijetesën e tij".


Në garën më të ashpër dhe interesante në këto zgjedhje, ministri i kulturës Edi Rama ka mundur kandidatin e PD-së Besnik Mustafaj, ish-ambasador në Francë në kohën e Berishës duke u bërë kështu kryetari i ri i bashkisë së Tiranës.


Rama, një artist që ka ngjallur shumë diskutime dhe një kritik i ashpër i Berishës, i cili është rrahur në vitin 1996 nga njerëz të cilët mendohet të kenë qenë anëtarë të policisë sekrete, e ka përqëndruar fushatën e tij në përmirësimin e jetesës në kryeqytetin e shkatërruar të vendit.


I pyetur gjatë një debati televiziv se çfarë avantazhi kishte ai ndaj Ramës, Mustafaj është përgjigjur se ai përfaqësonte forcat demokratike ndaj komunizmit.


Sipas rezultateve paraprake, Mustafaj ka fituar tre përqind më tepër vota sesa PD-ja në shkallë vendi, një shenjë kjo se ndoshta përkrahësit e partisë preferojnë një qëndrim të ndryshëm nga ai i ofruar nga Berisha.


Zgjedhjet vendore shërbejnë si një tregues për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2001. Rezultatet tregojnë se PD-ja ka nevojë të ribëjë politikat e saj dhe strategjitë e fushatës dhe ndoshta edhe udhëheqjen e saj.


Kryeministri 31 vjeçar, Ilir Meta, ka qenë nën një presion të madh nga ana e komunitetit ndërkombëtar për të siguruar që zgjedhjet e 1 tetorit të kalonin në mënyrë të qetë. Ai vendosi 1,300 trupa policore rreth pikave kryesore në Tiranë duke dhënë urdhër që çdo njeri që përpiqej të hynte me forcë në institucionet shtetërore të qëllohej - një paralajmërim i qartë për përkrahësit e Berishës. Asnjë nga qeveritë pararendëse nuk kishte lëshuar një kërcënim kaq të qartë.


Komuniteti ndërkombëtar e ka bërë të qartë se ai pret që partitë politike shqiptare të sillen në një mënyrë të përgjegjëshme, të qetë dhe demokratike. Nëse jo komuniteti ndërkombëtar do të tërhiqet nga vendi i vogël. Një opozitë e konsoliduar është tepër e rëndësishme për demokracinë, por ajo duhet të luftojë në një mënyrë demokratike.


Tani socialistët kontrollojnë qeverinë qendrore e një pjesë të madhe të pushtetit vendor dhe shpresat janë të mëdha. Fondet janë. Qeveria vetëm duhet t'i përdorë ato me efikasitet për të sjellë ndryshimet e nevojshme për përmirësimin e kushteve të jetesës.


Por nëse rezultatet nuk ndihen shpejt, Berisha, i cili ka shumë mundësi të fitojë ndaj sfidave të brendshme të partisë, mund të gjendet në një pozicion të mirë për të rimarrë pushtetin në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm.


Llazar Semini është Manaxher i Projektit të IWPR-së në Kosovë. Fred Abrahams po shkruan një libër për tranzicionin e Shqipërisë në demokraci.


Albania, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists