Zgjedhjet e Rëndësishme në Kroaci Rrezikohen nga Apatia

Koalicioni i përbërë prej gjashtë partish në Kroaci nuk ka arritur të kryejë reformat ekonomike dhe sociale të cilat kishte premtuar.

Zgjedhjet e Rëndësishme në Kroaci Rrezikohen nga Apatia

Koalicioni i përbërë prej gjashtë partish në Kroaci nuk ka arritur të kryejë reformat ekonomike dhe sociale të cilat kishte premtuar.

Friday, 18 May, 2001
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

Zgjedhjet lokale në Kroaci këtë fund javë, më 20 Maj, kërcënohen nga apatia e votuesve të cilët janë të pakënaqur me dështimin e qeverisë për të përmirësuar gjendjen ekonomike dhe për të goditur kriminalitetin.


Megjithëse anëtarët e koalicionit qeveritar prej gjashtë partish, të cilat kanë ardhur në pushtet një vit e gjysëm më parë, nuk pritet të humbasin, drejtuesit e tyre e kanë kuptuar apatinë e përgjithëshme që ka pakësuar mbështetjen për ta.


"Unë nuk do të votoj sepse nuk besoj se është e mundur që të ndryshohet diçka në këtë vend," thotë një dyzetvjeçar banor i Zagrebit, me një ton të një njeriu që nuk ka më shpresë. "Kur partia e Tugjmanit (Bashkimi Demokrat Kroat, HDZ) humbi pushtetin, unë kisha shumë shpresa - por asgjë e mirë nuk ka ndodhur".


Problemi është se qeveria, shumë shpesh e gjendur ndërmjet pikpamjeve të ndryshme, e ka pasur të vështirë të arrijë në një mendim të përbashkët për një program reformash efektive.


Zgjedhjet e afërta lokale janë të rëndësishme sepse secila nga partitë e koalicionit po bën fushatën e saj dhe kështu do të dalë më në pah forca e secilës prej tyre.


Nëse Partia Social Demokrate, SDP, e kryeministrit Ivica Raçan, arrin një rezultat të mirë, ai ndoshta mund të thërrasë zgjedhjet e parakohëshme në vjeshtë. Nëse partia nuk arrin një rezultat të mirë, ai ndoshta do të zgjedhë të zvogëlojë koalicionin vetëm në tre parti: SDP-në, Liberalët, HSLS e Drazhen Budishës, dhe Partinë Fshatare Kroate, HSS, të drejtuar nga presidenti i parlamentit, Zlatko Tomçiç.


Duke gjykuar nga anketimet e opinionit publik, SDP mund të fitojë në 14 nga 20 zonat zgjedhore, përfshirë edhe kryeqytetin Zagreb, pavarësisht ekzistencës së kësaj apatie.


Disa analistë të mediave si Mladen Plese i revistës së përjavëshme të Zagrebit Nacional, mendojnë se aleanca qeveritare do të shpërbëhet pas këtyre zgjedhjeve dhe se Raçan do të vendosë për krijimin e një koalicioni prej tre partish.


Kjo natyrisht do ti lejonte Raçanit të drejtonte në një mënyrë më të vendosur, sepse ai do të ishte më pak i shqetësuar nga mosmarrëveshjet e brendëshme. Disa elementë të drejtimit të tre partive tashmë janë vendosur, thotë Plese. Ai ka shkruajtur në Nacional se Raçan, Budisha, dhe Tomçiç janë takuar në mënyrë sekrete për të marrë vendime të rëndësishme.


Analistë të tjerë, si Kris Cviiq, një bashkëpunëtor i Institutit Mbretëror të Punëve të Jashtëme në Londër, mendon se mbijetesa e koalicionit gjashtë partish do të ishte opsioni më i mirë për Kroacinë. Por ai pranon se në rast se SDP-ja arrin një rezultat të mirë në këto zgjedhje, Raçan ndoshta do të thërrasë zgjedhje të parakohëshme parlamentare.


Analiza e Cviiq është ndoshta e drejtë, sepse alternativa tjetër - ajo e zvogëlimit të aleancës qeveritare pa aprovimin e votuesve - ndoshta do të ishte e rrezikëshme për Raçan.


Pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve të kësaj të Djele, Raçan do të duhet të bëjë diçka për të fituar besimin e elektoratit.


Mbi 20 përqind e popullsisë së aftë për punë është e papunë, një përqindje kjo e lartë edhe për vendet në tranzicion. Qeveria duket se ka dështuar në zgjidhjen e këtij problemi.


Në Prill të këtij viti, numri i atyre që hynë në punë ka qenë më i lartë se i atyre që kanë humbur punën, me një diferencë prej rreth 3,000 vetësh. Qeveria e citon këtë si një shenjë të një përmirësimi ekonomik, por ekspertët e ekonomisë thonë se kjo shifër thjesht tregon një kërkesë në rritje nga industria e turizmit për punëtorë me afrimin e sezonit të verës.


Një problem tjetër i madh është kriminaliteti, i cili ka lulëzuar gjatë rregjimit të kaluar. Megjithëse qeveria e re ka premtuar të luftojë kriminelët, ajo ka arritur pak rezultate të mira. Njerëzit ankohen se hetimet mbi mënyrën e mbledhjes së pasurisë nga njerëzit e pasur me anë të marrëveshjeve të fshehta gjatë dhjetë vjetëve të fundit kanë ecur shumë ngadalë. Disa të dyshuar janë ndaluar po janë lëshuar menjëherë.


Gazetarët thonë se dështimi i qeverisë për të përmirësuar ekonominë dhe luftuar krimin ka rrjedhur si pasojë e paaftësisë së koalicionit qeveritar për të marrë vendime të rëndësishme.


"Një koalicion kaq i gjerë ka qenë i nevojshëm për të rrëzuar HDZ-në por më pas kemi parë se ai ishte i paefektshëm për të zgjidhur problemet serioze të vendit," ka thënë një zyrtar i lartë i partisë së Raçanit.


Ndërkohë, apatia rreth zgjedhjeve mbizotëron. OJQ-të, të cilat kanë bërë një fushatë të madhe në zgjedhjet e mëparëshme që njerëzit të votonin, këtë rradhë nuk janë shumë entuziaste për të bërë thirrje njerëzve të votojnë.


"Njerëzit duhet të votjnë sepse ne e dimë se HDZ-ja ka mbështetës besnik të cilët marrin pjesë gjithnjë në votime dhe ne nuk duam të ndihmojmë këtë parti për të fituar më tepër vota," thotë një aktivist i njohur i një OJQ-je. "Kjo qeveri ndoshta nuk e meriton një ndëshkim të tillë, por natyrisht që meriton një kritikë të ashpër".


Dragutin Hedl është redaktori koordinues i IWPR-së në Kroaci.


Croatia
Frontline Updates
Support local journalists