Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Zbulohet Misteri i Ahmiçit

Një revistë kroate ka hedhur dritë mbi përfshirjen e qeverisë në luftën në Bosnje.
By Dragutin Hedl

Revista e përjavshme kroate Globus publikoi dokumenta që tregojnë përfshirjen e kroatëve të Bosnjes në masakrën e Ahmiçit shtatë vjet më pare.


Dokumentat dhe zbardhja e bisedave ndërmjet ish-presidentit Franjo Tugjman dhe zyrtarëve kroatë e boshnjakë tregojnë edhe për plane për të aneksuar pjesë të Bosnjes.


Të gjitha bisedat në zyrën e Tugjmanit janë regjistruar dhe presidenti kroat Stipe Mesiq ka kërkuar që këto biseda të bëhen publike.


Njëqind e gjashtëmbëdhjetë myslimanë gjetën vdekjen në Ahmiçi më 16 prill 1993. Pjesa më e madhe e të vrarëve ishin civilë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë.


Versioni zyrtar kroat i ngjarjes ka akuzuar gjithnjë shërbimet sekrete britanike dhe disa serbë të panjohur. Por një raport nga hetues të qeverisë, i botuar në Globus, identifikon qartë fajtorët si kroatë të Bosnjes.


Sipas revistës, shefi i atëhershëm i shërbimeve sekrete kroate, HIS, Mirosllav Tugjman, ia ka dërguar raportin babait të tij presidentit Tugjman, i cili urdhëroi nisjen e hetimeve.


Dy agjentë u caktuan të punonin për këtë çështje, por që të dy janë vrarë menjëherë pasi kishin përfunduar raportin e tyre. Ivica Rajiq, drejtues i Këshillit të Mbrojtjes Kroate, HVO, në Bosnje, dhe një nga personat e implikuar në raport, është gjykuar dhe dënuar për vrasjen e dyfishtë në Mostar, por është liruar më pas me ndërhyrjen e ish-ministrit të mbrojtjes të Kroacisë Gojko Susak dhe Mlladen Naleteliq Tuta, i cili iu dorëzua së fundi Gjykatës së Hagës nga qeveria kroate.


Pasi ka marrë raportin për ngjarjen në Ahmiçi thuhet se qeveria kroate u ka lëshuar dokumenta identifikimi të fallsifikuara disa oficerëve të HVO-së të dyshuar si pjesëmarrës në vrasje, përfshirë këtu Pasko Ljubiçiq, Ante Sloskoviq, Miroslav Brale Cicak, Vlada Çosiq e Vlada Kojiq, si edhe Rajiq.


Ljubiçiq ka qenë komandant i njësisë së policisë ushtarake e cila mendohet të jetë përgjegjëse për masakrën. Sliskoviq ka qenë shef i shërbimeve sekrete në Bosnjen qendrore.


Provat se figura të larta të administratës së Tugjmanit e të shërbimeve sekrete kroate nuk kanë dorëzuar para Gjykatës së Hagës të dyshuarit e njohur, por në fakt kanë vepruar krejtësisht ndryshe duke i mbrojtur këta njerëz, mund të çojnë në akuza të reja nga gjykata. Miroslav Tugjman, i cili veçse është shkarkuar nga posti i tij si kryetar i shërbimeve sekrete kroate, HIS, në janar pas humbjes në zgjedhje nga ana e Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, duket veçanërisht i ekspozuar.


Publikimi i këtyre informacioneve ka koinciduar edhe me një vizitë të papritur të kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Karla Del Ponte, në Zagreb, duke ngjallur zëra se këto dy ngjarje kanë lidhje. Zyrtarët në Hagë e kanë përshkruar vizitën si një "vizitë pune rutinë".


Del Ponte është takuar me kryeministrin kroat Ivica Raçan, zëvendës kryeministrin Goran Graniq dhe ministrin e drejtësisë Stjepan Ivanisheviq. Megjithëse ka theksuar se bashkëpunimi në rritje ndërmjet Hagës dhe Zagrebit po shkon mirë, Del Ponte ka kritikuar median kroate për botimin e informacionit të Ahmiçit duke argumentuar se këto publikime mund t'i japin informacione të dyshuarve për mbarëvajtjen e hetimeve.


Më 30 maj, ditën kombëtare të Kroacisë, presidenti Mesiq ka theksuar vendosmërinë e qeverisë së re për të përmirësuar bashkëpunimin me Hagën. "Duhet të ketë një dallim të qartë ndërmjet politikës dhe krimit, mbrojtjes së ligjshme dhe spastrimit etnik," tha Mesiq.


Qeveria Raçan tashmë ka dorëzuar një të dyshuar të rëndësishëm për krime lufte dhe ka ofruar sasi të mëdha dokumentash në lidhje me ofensivën e ushtrisë kroate gjatë së cilës u rimorrën territoret e kontrolluara nga serbët pesë vjetë më parë.


Në shkurt gjeneral Tihomir Blashkiq, ish-komandant i HVO-së në Bosnje, u dënua nga Gjykata e Hagës për krime lufte me 45 vjet burgim. Ky dënim i ashpër u dha kryesisht për shkak të krimeve të kryera në Ahmiçi. Ky vendim shkaktoi demonstrata masive në Zagreb të kryesuara nga radikalët në gjirin e HDZ-së duke kundërshtuar haptazi politikën e Raçanit për bashkëpunim me gjykatën.


Raçan tha në atë kohë se janë gjendur dokumentat që hedhin dritë mbi fajtorët për vrasjet e Ahmiçit. Nëse qeveria e mëparëshme do t'i kishte ofruar këto dokumenta për gjykatën, ka thënë Raçan, Blashkiq ndoshta nuk do të ishte dënuar kaq ashpër.


Dragutin Hedl është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.