Votuesit Kërkojnë Ndryshim

Votuesit serbë kanë shprehur dëshirën për ndryshim, ndërsa një numër rekord votuesish kanë marrë pjesë në zgjedhjet e së dielës.

Votuesit Kërkojnë Ndryshim

Votuesit serbë kanë shprehur dëshirën për ndryshim, ndërsa një numër rekord votuesish kanë marrë pjesë në zgjedhjet e së dielës.

Nëna ime plakë Rada sapo ishte kthyer nga shtëpia e saj e verës në Mal të Zi në Beograd për të votuar. Unë i telefonova nga Londra, ndërsa ajo rrufiste kafenë e mëgjesit së bashku me fqinjën e saj Pera, një përkrahëse e flaktë e Millosheviqit.


"Nëse voton për Millosheviqin, nuk ke për të më parë më në shtëpinë tënde," i thashë unë, e shqetësuar se ajo mund të binte përsëri viktimë e propagandës së vazhdueshme të regjimit. "Mos u shqetëso," u përgjigj ajo. "Nuk do të kisha marrë gjithë atë rrugë që nga Mali i Zi për të. Do të votoj për Koshtunican".


Më pas gjatë ditës u bë e qartë se politika serbe kishte fituar një seriozitet të paparë ndonjëherë. Një numër shumë i madh votuesisht po shkonin për të votuar. Shumë prej tyre me të cilët kam folur në telefon shprehnin një dëshirë të qartë për ndryshim.


Vitko, një inxhinier kompjuterash 35-vjeçar, sapo ishte kthyer nga qendra e votimit me nënën e tij. "Atmosfera ishte tepër pozitive. Unë jam shumë i lumtur. Duket se për herë të parë njerëzit e kaluar në moshë duan të ndryshojnë diçka.


"Pashë se shumë prej tyre votuan për opozitën. Megjithëse shpresoj për më të mirën, nuk kam asnjë lajm për çfarë po ndodh, sepse nuk kap asnjë sinjal të radiove të pavarura."


Natasha, një ekonomiste 37-vjeçare e papunë, e divorcuar me dy fëmijë, po përgatitej të udhëtonte për në Surcin, rreth 30 kilometra larg Beogradit, për në qendrën e votimit ku ishte regjistruar për herë të fundit, ndërsa jetonte atje me gjithë të shoqin.


Një votuese apatike në të kaluarën, ajo do të bënte një udhëtim të gjatë për të votuar për Koshtunican. "Edhe sikur të shoh atje ish-vjehrrën time, ajo nuk do të më pengojë të votoj," bëri shaka ajo. "Ka rëndësi çdo votë."


Disa të tjerë ishin më të përmbajtur. Jelica, një pensioniste nga Beogradi i Ri dhe përkrahëse e Millosheviqit, nuk donte të shprehej se për kë kishte votuar. Ajo ishte e kënaqur me realitetin e ofruar nga televizioni shtetëror. "Millosheviq ka fituar votat në Kosovë," tha ajo me krenari. "Edhe shqiptarët kanë votuar për të."


Ndërsa binte mbrëmja u duk qartë se Millosheviq i kishte bërë llogaritë gabim për sa i përket dëshirës së votuesve serbë. "Ai shpresonte se do të humbiste lehtë dhe se do të mund të falsifikonte pak zgjedhjet. Ky është një moment tepër i rëndësishëm në Serbi. Ai po dështon," ka thënë një analist nga Beogradi.


Ndërsa Partia Radikale Serbe njoftoi se Koshtunica kryesonte, Komisioni Elektoral Federal qëndronte krejtësisht i heshtur. Televizioni serb pro-regjimit transmetonte valle popullore nga e gjithë Serbia sikur të mos kishte lajme të tjera për të njoftuar.


Predrag, një profesor në universitet, tha se ai ishte tepër i lumtur me rezultatin. "Ai ka pësuar një humbje të thellë: edhe në Pozharevc, qytet i cili shpesh është konsideruar si një vend ku testohet përkrahja politike për partitë e ndryshme. Ne në Serbi jemi tepër të lumtur."


Ai ka theksuar se Partia Radikale Serbe ultranacionaliste e Vojislav Shesheljit, SRS, e cila kishte kandidatin e saj për president, kishte pranuar se Koshtunica kryesonte.


SRS ka thënë se Koshtunica kryesonte me 53.5 përqind të votave ndaj 37.9 përqind të Millosheviqit pas numërimit të 20 përqind të votave. Është njoftuar se Millosheviq ka humbur edhe bashkinë e Beogradit të Ri, dikur një pikë e tij e fortë.


Opozita e Shesheljit konsiderohet si tepër serioze. Një ish-zëvendëskryeministër i Jugosllavisë dhe aleat i dikurshëm i Millosheviqit, ai dhe radikalët e tij kanë filluar të kritikojnë ashpër regjimin në prag të zgjedhjeve.


Partia Socialiste Serbe në pushtet, SPS, po përballet me një sfidë të madhe, ndërsa fitorja e Koshtunicas është shpallur tashmë në mediat e pavarura. Aktivistë të partisë kanë vazhduar të insistojnë se Millosheviqi kryeson, por ka njoftime se disa degë të SPS-së, si ajo në Valjevo, tanimë kanë pranuar humbjen e Millosheviqit.


Një diplomat i lartë perëndimor në Beograd, i cili ka qëndruar zgjuar gjithë natën për të ndjekur zhvillimin e ngjarjeve, ka njoftuar për një "gjendje shpirtërore të gëzuar". "Shkuarja në raundin e dytë do të ishte një pranim i humbjes, pasi ata kanë njoftuar planet e tyre për të fituar që në raundin e parë," ka thënë ai.


Kështjella e Millosheviqit po shkatërrohet. Dhe duket se ai nuk mund të bëjë më asgjë për të parandaluar shkatërrimin e saj.


Dragana Nikoliq është bashkëpunëtore e rregullt e IWPR-së.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists