Votuesit e Përjashtuar Nuk Ankohen

Brcko është vendi i vetëm në Bosnje ku njerëzit nuk do të votojnë këtë fund jave, por ata nuk ankohen.

Votuesit e Përjashtuar Nuk Ankohen

Brcko është vendi i vetëm në Bosnje ku njerëzit nuk do të votojnë këtë fund jave, por ata nuk ankohen.

Shiu i pranverës nuk i ka ndaluar qindra refugjatë në rrethinat e Brckos të rindërtojnë shtëpitë e tyre të shkatërruara.


Në pjesën tjetër të Bosnjes fushata zgjedhore lokale është në kulm, por këtu njerëzit vazhdojnë si zakonisht me jetën e tyre.


Brcko, e cila kohët e fundit ka marrë statusin e rrethit bashkiak, nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Supervizori ndërkombëtar i qytetit nuk ka vendosur akoma se kur do të votojnë banorët apo se kush do të administrojë bashkinë e tyre.


"Sa për mua, ne nuk kemi nevojë për zgjedhje, të paktën jo tani shpejt. Unë ndihem shumë më i sigurtë tani që të huajt do të marrin vendimet përfundimtare," thotë Mirsad Jakuboviq, 45 vjeçar nga Brcko. "Ata janë shumë më të besueshëm se këta politikanët tanë."


Mirsad ka pritur shtatë vjetë për t'u kthyer në shtëpi. Kur ai u kthye më së fundi pranverën e kaluar, ai e gjeti shtëpinë krejtësisht të shkatërruar. Tani një shtëpi krejt e re qëndron në të njëjtin vend.


"Nuk është aq e bukur sa e vjetra, por të paktën është e jona," thotë Mirsadi, i cili ka kaluar shtatë vjetët si refugjat në Kroaci së bashku me gruan, djalin dhe vajzën.


Brcko ka mbetur një çështje e pazgjidhur territoriale pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes në Dejton në vitin 1995, e cila përfundoi konfliktin boshnjak.


Nënshkruesit e marrëveshjes ranë dakort të ndanin vendin në dy entitete të administrueshme në mënyrë të veçantë, Republika Srpska dhe Federata Muslimane-Kroate. Por ata nuk mund të binin dakort se cila nga këto entitete do të kontrollonte Brckon. Vendimi përfundimtar për fatin e qytetit u morr nga arbitri ndërkombëtar Robert Ouens.


Përpara luftës Brcko ishte një qytet i pasur, kryesisht musliman në pjesën veriore të vendit. Në pranverë të vitit 1992, qyteti u pushtua nga trupat serbe boshnjake dhe rreth 20,000 muslimanë dhe kroatë u detyruan të largohen me forcë.


Ouens e shtyu dy herë marrjen e vendimit për kontrollin e qytetit për shkak të rëndësisë së kësaj çështjeje.


Për muslimanët dhe kroatët, Brcko ishte një lidhje me federatën dhe pjesën tjetër të Europës. Por qyteti kishte rëndësi të veçantë edhe për serbët e Bosnjes. Brcko përbën të vetmen lidhje gjeografike ndërmjet dy pjesëve të Republika Srpska.


Në muajin mars të vitit të kaluar, Ouens më së fundi arriti një vendim dhe vendosi se Brcko dhe rrethi i saj të ishin një zonë neutrale. Një autoritet i përbashkët u vendos nën një supervizion ndërkombëtar - Robert Farrand nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Përpara luftës Enes dhe Anica Haxhiq ishin mësues në shkollën fillore të qytetit. Ata janë kthyer në shtëpinë e tyre të shkatërruar verën e kaluar. Sot të dy janë të papunë. Familja Haxhiq ka tre fëmijë dhe jeta e tyre në Brcko është shumë e vështirë.


"Megjithëse jemi në kushte të vështira, asnjë herë nuk jemi penduar që jemi kthyer. Mendojmë se ditë më të mira do të vijnë," thotë Enes.


Anica mendon se njerëzit janë më të shqetësuar për të rindërtuar shtëpitë dhe jetët e tyre sesa për politikanët dhe zgjedhjet. "Unë e kuptoj që Bosnja duhet të ndryshojë. Politikanët, të cilët kanë qenë në pushtet gjatë luftës, kanë qëndruar edhe pas saj, dhe shumë prej tyre vazhdojnë të jenë në pushtet.


"Këtu në rrethin tonë, njerëzve duhet t'u jepet një mundësi për të zgjedhur ata që do t'i përfaqësojnë. Por unë mendoj se për momentin kemi gjëra më të rëndësishme për të bërë. Njerëzit duhet të lejohen të kthehen, të ndërtojnë ato që janë shkatërruar dhe të kthehen në jetën e tyre të mëparëshme."


Volfgang Petriç, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje Herzegovinën, e konsideron rrethin e Brckos si "një kuadër për të ardhmen".


"Ky rreth ka domethënie të madhe për gjithë Bosnjen: ai u përket të dy entiteteve, Federatës dhe Republika Srpska, dhe për rrjedhojë të gjithë popullit të Bosnjes," ka thënë ai kohët e fundit. "Si e tillë, ajo përfaqëson një fazë të re në qeverisjen demokratike shumë etnike, e cila mund të përbëjë një shembull për të gjithë vendin."


Qindra çati të reja janë ngritur rreth Brckos, një tregues i ndërtimeve të mëdha të bëra gjatë dy vjetëve të fundit. Rreth 5,000 refugjatë janë kthyer në Brcko, më shumë se në çdo qytet tjetër në Bosnje.


Por pjesa më e madhe e të kthyerve kanë mbetur në rrethinat e Brckos dhe vetëm pak prej tyre kanë hyrë në qytet. Serbët boshnjakë, të dëbuar nga pjesë të tjera të Bosnjes, tani përbëjnë pjesën më të madhe të banorëve në Brcko.


Shumë prej tyre nuk dëshirojnë të kthehen në shtëpitë e tyre të paraluftës. Duke qendruar këtu, ata po pengojnë kthimin e familjeve muslimane.


Një serb boshnjak, Jovo Krstiq, 65 vjeç, nga Vogosca pranë Sarajevos, nuk dëshiron të kthehet në shtëpinë e tij të paraluftës. "Unë nuk njoh asnjë njeri më atje. Disa refugjatë jetojnë tani në shtëpinë time," thotë Krstiq. Disa mijëra boshnjakë të tjerë kanë të njëjtin fat.


Ndërkohë Farrand ka ngritur një asamble, ka emëruar një kryetar bashkie, zëvendësit e tij dhe zyrtarët bashkiak. Ky sistem do të vazhdojë të veprojë deri sa supervizori ndërkombëtar të thërrasë zgjedhjet lokale, të planifikuara për në fund të këtij viti.


Atmosfera në Brcko është shumë e gjallë, plane të mëdha po bëhen, përfshirë këtu edhe projekte për investime të huaja.


Farrand është optimist për të ardhmen dhe insiston se Brcko është e destinuar të bëhet "zona më progresive, dhe e pasur e përzier etnike në Bosnje." Këtë do ta tregojë koha.


Nermina Durmiq-Karoviq është asistent profesore e gazetarisë në Universitetin e Tuzlës.


Frontline Updates
Support local journalists