Vojvodina Kërkon Autonominë

Autoritetet provinciale në Vojvodinë i kanë paraqitur kërkesën e tyre beogradit për një shkallë më të gjerë autonomie

Vojvodina Kërkon Autonominë

Autoritetet provinciale në Vojvodinë i kanë paraqitur kërkesën e tyre beogradit për një shkallë më të gjerë autonomie

Asambleja rajonale në provincën e Vojvodinës në veri të Serbisë ka kërkuar rivendosjen e autonomisë të hequr nga ish presidenti Jugosllav Sllobodan Millosheviq më shumë se dhjetë vjet më parë.


Koalicioni i ri qeveritar në Beograd - i cili ka në përbërje të tij edhe tre parti me qendër në Vojvodinë - ka premtuar një rikthim të shpejtë të vetë administrimit në prag të zgjedhjeve të kaluara parlamentare përpara fitores së koalicionit DOS ndaj Millosheviqit.


Por arritja e nivelit të autonomisë që ka pasur provinca përpara periudhës së Millosheviqit gjatë së cilës pushteti u centralizua nuk do të jetë një detyrë e lehtë.


Beogradi e sheh një hap të tillë si një përpjekje tjetër drejt dizintegrimit të republikës. Prandaj pritet një kompromis, sipas të cilit Vojvodina do të kërkojë rikthimin e një farë pushteti por do të lerë më një anë kërkesat për autonomi të plotë.


Asambleja e Vojvodinës ka miratuar propozimet për autonominë, të cilat kërkonin ndryshime të mbi një qind ligjeve, më 2 Mars. Peticioni për vetë-administrim i është dërguar më pas parlamentit Serb për ta parë.


Anëtarë të Partisë Demokratike Serbe të Presidentit Jugosllav Vojisllav Koshtunica, DSS, kanë votuar kundër ligjeve të autonomisë në asamblenë e Novi Sadit. Partia e Koshtunicës ka deklaruar gjithnjë se autonomia do të çonte në shpërbërjen e Serbisë.


DSS preferon një ndarje rajonale të Serbisë, ku Vojvodina të gëzojë status të barabartë me pjesë të tjera të republikës. Por DSS ende nuk ka paraqitur hollësi të propozimit të saj.


Duke dashur të shmangë akuzat për separatizëm, përkrahësit e autonomisë duket se po bëjnë të pamundurën që të theksojnë se statusi i provincës duhet të zgjidhet brenda kuadrit të Jugosllavisë dhe Serbisë.


Asambleja e provincës për këtë arësye ka propozuar që mbrojtja, sigurimi i shtetit, sistemet moentare dhe ai doganor, politika e jashtëme dhe sistemi juridik të mbeten në kuadrin e qeverisë Jugosllave.


Autorët e propozimit të 2 Marsit thonë që provinca duhet të marrë në kontroll pensionet, pagesat për të paaftit, kujdesin shëndetësor, mirëqënien, median, bujqësinë, pakicat kombëtare, gjuhën dhe jetën kulturore.


Problemi i autonomisë pritet të shkaktojë mosmarrëveshje të mëdha në gjirin e koalicionit DOS. Një takim i drejtuesve të koalicionit është planifikuar për në Novi Sad në mesin e muajit Mars. Ata do të diskutojnë planin për autonominë.


Ekziston një përçarje e theksuar ndërmjet partive të DOS-it me qendër në Beograd dhe tre partive me qendër në Vojvodinë.


Si pjesë e axhendës së përbashkët të aleancës për të rrëzuar Millosheviqin, ka qenë edhe "autonomia e plotë" për Vojvodinën.


Por nëse partitë me qendër në Novi Sad e kanë menduar këtë autonomi si ekzekutive, ekonomike dhe juridike, të tjerat kanë pasur parasysh një interpretim më të paqartë, duke thënë se këto çështje do të diskutoheshin pas zgjedhjeve të Dhjetorit.


Megjithatë, menjëherë pas zgjedhjeve, Vojvodina ka filluar përpjekjet e saj për vetë-administrim.


Autoritetet e reja rajonale kanë dërguar një mocion parlamentit të Serbisë ku i kërkohej ndryshimi i tetë ligjeve që kanë lidhje me gjuhën zyrtare të Vojvodinës, suficitin tregtar dhe tokën bujqësore. Ndërkohë, tetë bashkitë me popullsi kryesisht Hungareze kanë përgatitur plane për institucione të përbashkëta financiare.


Kjo gjë ka rritur presionin ndaj Novi Sadit për të marrë një pozicion më të fortë ndaj Beogradit, dhe i ka dërguar një sinjal këtij të fundit që duhet të bëhen lëshime.


Kundërshtimi i Beogradit për autonominë e plotë është bërë e qartë në mesin e muajit Shkurt kur Nenad Canak, presidenti i asamblesë së Vojvodinës dhe anëtari i koalicionit të DOS-it, ka lënë të kuptohet se mund të organizohet një referendum për t'i kërkuar popullsisë së provincës të shprehen rreth kësaj çështjeje.


Partia e Koshtunicës është zemëruar. DSS-ja ka thënë se një plebishit është hapi i parë drejt shkëputjes së Vojvodinës nga Serbia.


Pas votimit të 2 Marsit në Novi Sad, anëtarë të DSS-së nga Vojvodina janë takuar me Koshtunicën. Zyra e presidentit nuk ka pranuar të bëjë komente për takimin, por koordinatori i partisë në provincë, Igor Kurjacki, ka thënë se çështja e autonomisë mund të mos përcaktohej përpara se të zgjidhej statusi i Serbisë brenda Jugosllavisë.


"Ne duhet të ndjekim disa procedura kushtetuese," ka thënë Kurjacki. "Kushtetuta kërkon që të bëhen ndryshime me qëllim që të zgjidhet gjendja e tanishme territoriale dhe politike".


Me fjalë të tjera, e gjithë kjo çështje duhet të presë edhe për një periudhë kohe.


Canak ka një mendim të ndryshëm. "Ndryshimet kushtetuese në Serbi kanë kuptim vetëm nëse ato zgjidhin çështjen e Vojvodinës," ka"thënë ai.


Populli i Vojvodinës mund të mos gënjehet. Shumë njerëz ende kujtojnë me nostalgji "kohën e artë" nga vitet 1974 deri 1989 kur provinca kishte kushtetutën e saj dhe pavarësinë ekonomike. Të ardhurat për frymë në atë periudhë ishin të njëjta me ato të republikave më të zhvilluara të Jugosllavisë, Kroacia dhe Sllovenia, dhe më të larta se në Serbi.


Që prej vitit 1989, financat e Vojvodinës kanë kaluar në varësi të Beogradit. Ekonomia dhe bujqësia e provincës praktikisht janë shkatërruar si pasojë e humbjes së tregjeve tradicionale në Slloveni, Kroaci dhe Europën perëndimore pas shpërbërjes së dhunëshme të ish Jugosllavisë.


Anketimet e opinionit publik tregojnë se 60 përqind e njerëzve fajësojnë për këtë keqësim të gjendjes, cetralizimin. Një anketim i kryer nga agjensia Skan në emër të asamblesë së Vojvodinës më 7 Mars ka treguar se rreth 60 përqind e njerëzve janë në favor të autonomisë së plotë.


Por Dr. Stanko Pihler, një profesor i drejtësisë në Universitetin e Novi Sadit, mendon se kjo gjë do të kërkojë shumë kohë. Partitë politike më me influencë dhe drejtuesit në Beograd kundërshtojnë autonominë për provincën. Komuniteti ndërkombëtar nuk është gjithashtu shumë i kënaqur me vendosjen e kësaj çështjeje në axhendë.


Pihler mendon se kjo çështje do të zgjatet edhe për disa kohë, ndërsa integrimi ekonomik me pjesën tjetër të Europës do të inkurajojë decentralizimin dhe do të zhvillojë Vojvodinën si një rajon Europian.


Beogradi do të pranonte pa dyshim disa nga kërkesat e 2 Marsit dhe të arrijë një kompromis me Vojvodinën. Por autonomia e plotë nuk është në axhendë, të paktën, jo në të ardhmen e afërt.


Mihajlo Ramac është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Balkans, Serbia, Croatia
Frontline Updates
Support local journalists