Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Vizioni i Ngushtë i Coviq

Shqiptarët thonë se plani i Coviqit për Kosovën është i pasaktë dhe i ka kaluar koha.
By Shkëlzen Maliqi

Plani i Nebojsha Coviq për krijimin e ‘entiteteve’ Serbe dhe Shqiptare në kosovë është i papranueshëm për Shqiptarët. Propozimi i tij është inkonsistent dhe plot paragjykime dhe do të jetë i pamundur të realizohet.


Por duhet pranuar se qëndrimi i ri i Coviqit për Kosovën reflekton një filozofi të re politike në Beograd. Gjatë fjalimit të mbajtur nga Coviq përpara gjeneralëve të ushtrisë Jugosllave, VJ, më 28 Qershor, ai ka bërë thirrje për një ndryshim rrënjësor në politikën Serbe ndaj Shqiptarëve dhe fqinjëve të tjerë. Kjo ofron një shpresë të re.


Vizioni i Coviqit për marrëdhënie të mira me fqinjëtbazohet në një valë specifike politike liberale në Serbi që ka filluar në fillimet e shekullit të 20. Tradita intelektuale kërkon respektimin e interesave historike, nacionale dhe territoriale të Shqiptarëve dhe Serbëve dhe nevojën për një rregullim të herëpashershëm.


Ky vizion, dhe ai edhe më tolerant i këtij vizioni ofruar nga Social Demokratët, nuk ka arritur të krijojë shumë konsensus në Serbi gjatë shekullit të kaluar. Që pas luftërave Ballkanike të viteve 1912-1913, Serbia ka ndjekur një politikë anti Shqiptare të asimilimit e cila ka arritur kulmin në projektin e Millosheviqit për genocid.


Ndarja e thellë që shkaktoi kjo politikë ndërmjet Shqiptarëve dhe Serbëve është rritur në një zemërim më të thellë ndërmjet popullsive Shqiptare dhe Sllave, siç po duket edhe tani në Maqedoni. Rrënjët e krizës së tanishme në Kosovë dhe Maqedoni gjenden në politikën nacionaliste Serb. Politika Maqedonase, e ndërtuar në një model Serb, injoron në të njëjtën mënyrë realitetin e çështjes Shqiptare.


Gjatë fjalimit të tij, Coviq ka kërkuar largimin nga tradita nacionaliste dhe një fillim të ri në marrëdhëniet Shqiptaro-Serbe. Por mjetet për të arritur këtë duken të gabuara dhe të papranueshme për shumicën e Shqiptarëve.


Coviq parashikon me realizëm se shanset që Serbia të marrë në kontroll përsëri Kosovën, pas krijimit të një administrate të OKB-së në provincë, janë tepër të pakta. Por ai shikon një rrugëdalje të vogël për Serbinë nëpërmjet ruajtjes së një kontrolli të limituar ndaj disa zonave në Kosovë.


Ai mendon se VJ dhe policia mund të kthehen në Kosovën veriore dhe në qytetin e ndarë të Mitrovicës, si edhe në dy bashki ku Serbët janë në shumicë. Ai sugjeron ndarjen e Kosovës në dy ‘entitete’ sipas modelit të Bosnjes. Ai gjithashtu sugjeron krijimin e kantoneve në enklavat më të vogla Serbe brenda Kosovës nën mbrojtjen e forcave Serbe të sigurimit.


Nga pikpamja e Shqiptarëve të Kosovës, kthimi i Serbisë, edhe nëpërmjet “dyerve të vogla” si këto, është krejtësisht i papranueshëm. “Zgjidhja” e Coviqit jo vetëm që do të ndante kosovën në dy pjesë, por do të çonte në në një lidhje të vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të thoshte që Serbia mund të vazhdojë të përzihet në punët e brendëshme të Kosovës. Tensioni do të vazhdonte.


Coviq thotë se Kosova do të ruante integritetin e saj territorial, por kjo është një ëndërr e pastër sepse “entitetet” do të krijonin institucione paralele siç ndodhi në Bosnje pas Dejtonit.


Pasoja tjetër e propzimit të Coviqit do të kishte një impakt edhe mbi vetë Serbinë. Vlerësimi se krijimi i entiteteve të pavarura në Kosovë do të ruante interesat e Serbëve nuk merr para sysh faktin që kjo gjë do të forconte edhe aspiratat e Shqiptarëve në Serbinë jugore, Muslimanëve në Sanxhak dhe Hungarezëve në Vojvodinën veriore. Përse të mos kenë edhe ata “entitetet” apo kantonet e tyre?


Kur Coviq ka zgjidhur krizën në Preshevë vitin e kaluar, nuk u fol për kantone apo autonomi, megjithëse numri i Shqiptarëve që jetojnë atje është i njëjtë me numrin e Serbëve që jetojnë në enklavat në veri të kosovës.


Megjithëse Coviq u tha gjeneralëve të VJ se Serbia duhet të bëjë një politikë të hapur dhe të ndershme ndaj Shqiptarëve, propozimi i tij provon se ai nuk mendon kështu. Një Serbi vërtetë demokratike duhet të pranojë dëshirën e Shqiptarëve për të krijuar një Kosovë të bashkuar dhe demokratike. Kjo do të ndihmonte në mbrojtjen më të mirë të Serbëve të Kosovës të cilët do të donin të jetonin në të njëjtin komunitet me Shqiptarët. Përveç kësaj, kush ushtri dhe polici do të mbrojë Shqiptarët që jetojnë në preshevë? Ajo Serbe?


Propozimi ‘liberal dhe pragmatik’ i coviqit bazohet në keqkuptimin se Serbia mund të bëhet demokratike, me një polici dhe ushtri të përgjegjëshme, por se Kosova nuk mundet. A nuk bie erë kjo racizëm të zakonshëm të Serbëve ndaj Shqiptarëve?


Në rradhët e gjeneralëve të cilët e kanë ftuar Coviqin për të folur rreth filozofisë së re politike në Serbi, ka pasur pa dyshim edhe disa nga ata që kanë marrë pjesë aktive në zbatimin e politikave të Millosheviqit në Kosovë. Disa janë të dyshuar se kanë marrë pjesë në krime lufte. Zhvarrimi i varreve të luftës në Serbi, disa edhe brenda territorit të bazës ushtarake të Batajnicës, është një arësye më tepër për mungesën e besimit të Shqiptarëve ndaj forcave Serbe të sigurimit të cilat Coviq dëshiron ti kthejë përsëri në kosovë për të ruajtur qetësinë.


Hakmarrja që Shqiptarët bënë ndaj Serbëve pas ndërhyrjes së NATO-s është ushqyer nga fakti se krimet e luftës të shkaktuara nga forcat Serbe nuk ishin pranuar si dueht dhe dënuar nga opinioni publik Serb dhe politikanët Serbë. Ekstradimi i Millosheviqit ka përbërë një pikë kthese në këtë drejtim. Por, përpara se propozimi i Coviqit për një “pajtim historik” ndërmjet Shqiptarëve dhe Serbëve të vieht në zbatim, Serbia duhet të nxjerrë para drejtësisë edhe zbatuesit e krimeve të luftës, dhe jo vetëm ata që kanë dhënë urdhëra.


Përpara se të mund të fillojë pajtimi historik, duhet të tregohet krejt e vërteta mbi të kaluarën.


Shkëlzen Maliqi është shefi i zyrës së Radios Europa e Lirë në Prishtinë.