Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

VENDIMI PËR DËNIMIN E KËRSTIQ, TEPËR I RËNDËSISHËM

Për herë të parë që prej gjyqit të Nurembergut, një gjykatë ndërkombëtare ka vendosur të japë një vendim për genocid në Evropë.
By Ana Uzelac

Të afërmit e mijëra muslimanëve të ekzekutuar pas rrëzimit të Srebrenicës kanë pritur vendimin me një përzierje ndjenjash, shpresë dhe keqardhje – një vendim i gjykatës i cili nuk ka lënë asnjë dyshim mbi atë që ka ndodhur pas pushtimit të enklavës muslimane pothuajse nëntë vjet më parë.


“Dhoma e apelit, e quan masakrën e Srebrenicës me emrin e saj të vërtetë: genocid,” ka thënë kryetari i trupit gjykues, Theodore Meron, më 19 prill, duke dhënë vendimin përfundimtar për rastin e gjeneralit serb të Bosnjes, Radislav Krstiq, trupat e të cilit kanë mbledhur burra dhe djem nga enklava dhe kanë marrë pjesë në ekzekutimin e tyre.


Ka qenë hera e parë që prej gjyqit të Nurembergut që një gjykatë ndërkombëtare ka përcaktuar një rast genocidi në territorin evropian. Ky fakt historik përforcohet edhe më tepër nga fakti që gjykatësi i cili ka lexuar vendimin ka qenë vetë një i mbijetuar i genocidit.


Në Sarajevë, gruaja e një viktime të Srebrenicës e ka ndjekur vendimin në television. “Jam ndjerë shumë e lehtësuar,” thotë për IWPR Zumra Sehomiroviq. “Nuk ka më dyshime: ajo që ka ndodhur me ne ka qenë një genocid”.


Por kur Meron ka përfunduar leximin e vendimit, të mbijetuarit e Srebrenicës i ka mbërthyer një ndjenjë zhgënjimi. Krstiq, fillimisht i dënuar si pjesë e një ndërmarrjeje kriminale për të kryer genocid, është shpallur fajtor vetëm se “ka ndihmuar dhe mbështetur” krimin – dënimi i tij është ulr nga 46 në 35 vjet burgim.


“Kjo ka qenë shumë e pakënaqëshme,” ka thënë Sehomiroviq. “Por megjithatë… askush nuk mund ta quajë tani ndryshe atë që ka ndodhur në Srebrenicë”.


Vendimi i dhomës së apelit është ndoshta dënimi më i rëndësishëm i dhënë deri më tani nga gjykata e Hagës. Gjykatësit kanë konfirmuar se ngjarjet e Srebrenicës kanë qenë një genocid, dhe kanë përshkruar me hollësi ndryshimin ndërmjet kryerjes së një krimi dhe ndihmës e mbështetjes për një krim.


Këto dy elementë të vendimit po vendosin standarde të reja për provimin e krimit më serioz nën juridiksionin e gjykatës, dhe po pasurojnë jurisprudencën në fushën e genocidit.


Vendimi për Krstiq mund të ndikojë ndjeshëm edhe mbi një numër gjyqesh të tjera në Hagë, ndër të cilët më i rëndësishmi ai ndaj ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq, sepse tani vëzhguesit thonë se ai mund ta ketë më të vështirë të shmangë një dënim për genocid.


“Ky është një rast tepër i rëndësishëm, i cili jo vetëm konfirmon akuzat për genocid në Srebrenicë, por edhe thellon kuptimin ligjor të kësaj cështjeje,” thotë për IWPR, Eric Markusen, një studiues i genocidit dhe punëtor shkencor në Institutin për Studime Ndërkombëtare të Danimarkës.


“Ashtu si vrasja mund të ketë shumë forma, dhe përsëri mund të quhet vrasje, edhe genocidi mund të ndodhë në forma të ndryshme, duke shkuar nga vrasja e shtatë mijë vetëve brenda pak ditësh, sic ka ndodhur në Srebrenicë, në deri afërsisht një milion në Ruanda apo gjashtë milionëve që kanë humbur jetën gjatë periudhës së holokaustit”.


Rreth 7000 muslimanë mendohet të jenë vrarë në ditët që kanë pasuar marrjen në kontroll nga serbët të qytetit më 11 korrik, 1995. Shumë, si burri i Zumra Sehomiroviq, janë ndarë nga familjet e tyre. Atyre u kanë thënë se do të “kontrolloheshin” për përfshirje të mundëshme në krime lufte, por askush nuk i pa më të gjallë.


Banorë të tjerë burra të qytetit u përpoqën të largoheshin, duke u drejtuar në grupe të mëdha drejt pyjeve të dendura në rrethinat e Srebrenicës në përpjekje për të shkuar në zonat e kontrolluara nga muslimanët. Pjesë të Korpusit të Drinas të drejtuar nga Krstiq i kanë rrethuar ata. Pothuajse të gjithë ata që janë kalur janë ekzekutuar më vonë. Vrasjet kanë vazhduar deri më 19 korrik.


Ekipi i avokatëve mbrojtës të Krstiq ka argumentuar se nuk ishte e saktë të përshkruhej dëbimi dhe vrasjet në Srebrenicë si një genocid sepse numri i viktimave nuk e mbështet këtë akuzë.


Por dhoma e apelit e ka hedhur poshtë këtë kërkesë, duke thënë se megjithëse popullsia e Srebrenicës “përbënte vetëm një përqindje të vogël të popullsisë së përgjithëshme muslimane të Bosnje Herzegovinës në atë kohë, rëndësia nuk mund të shpjegohet vetëm nga numri…. Meqënëse pjesa më e madhe e banorëve muslimanë të Bosnjes lindore, në vitin 1995, ishin strehuar në enklavën e Srebrenicës, eleminimi i tyre do të përmbushte në fakt synimin për spastrimin e të gjithë rajonit nga popullsia muslimane”.


Mbrojtja gjithashtu ka theksuar se nuk ka ndodhur genocid, sepse ushtria e serbëve të Bosnjes ka përqëndruar vëmendjen vetëm tek burrat në moshë luftimi, dhe jo gratë e fëmijët.


Megjithatë, dhoma e apelit, nuk është bindur nga argumenti se “burrat e masakruar kanë përbërë vetëm një të pestën e komunitetit të përgjithëshëm në Srebrenicë,” ka thënë gjykatësi. “Po të kemi parasysh karakterin patriarchal të shoqërisë së muslimanëve të Bosnjes në Srebrenicë, shkatërrimi i një numri kaq të madh burrash do të rezultonte në mënyrë të pashmangëshme në zhdukjen fizike të popullsisë muslimane në Srebrenicë”.


Por ndërsa kanë vendosur që në Srebrenicë ka ndodhur genocid, gjykatësit kanë ndryshuar dënimin e Krstiq me akuzat se ka planifikuar dhe ka kryer genocid.


Pasi kanë analizuar përsëri një sasi të madhe provash të paraqitura gjatë procesit gjyqësor, përfshirë dëshmi, dokumenta, filmime dhe biseda të përgjuara telefonike, gjykatësit nuk kanë arritur të gjejnë prova të mjaftueshme për të provuar që Krstiq ka pasur në plan të kryejë genocid.


Gjykatësit, megjithatë, kanë pranuar se genocidi është planifikuar nga disa anëtarë të komandës së lartë të serbëve të Bosnjes, por nuk i kanë përmendur emrat e tyre.


Drejtuesi i ushtrisë, Ratko Mlladiq, është akuzuar për genocid në lidhje me Srebrenicën, por është ende i lirë.


Për sa i përket Krstiq, gjykatësit kanë arritur në përfundimin se ai e ka ditur se pa korpusin e Drinas, drejtuesit e ushtrisë serbe të Bosnjes “nuk do të kishin qenë të aftë të zbatonin planin e tyre për genocid”. Për rrjedhim, thonë ata, “përgjegjësia kriminale e Krstiq mund të shprehet më tepër si ajo e një ndihmësi dhe mbështetësi të genocidit, dhe jo si e një shkaktari të tij”.


Kjo pjesë e vendimit fillimisht ka shkaktuar kritika të ashpra nga disa vëzhgues të gjykatës, dhe një vendim të ndryshëm nga një prej pjesëmarrësve të trupit gjykues. Gjykatësi Mohamed Shahabudeen nga Guajana ka thënë se mesa kuptonte ai, sjellja e Krstiq ka qenë shumë më tepër se thjesht “ndihmë dhe mbështetje”.


Vendimi, gjithashtu, ka shtuar debatin mbi faktin nëse figura të larta të ushtrisë duhet të gjykohen për përgjegjësi individuale apo për përgjegjësinë e tyre drejtuese për genocid. Nëse Krstiq do të ishte akuzuar për përgjegjësi drejtuese, ai mund të ishte gjendur fajtor, sepse do të mjaftonte të provohej që ai kishte pasur dijeni për planet e vartësve të tij dhe nuk ka bërë asgjë për ti ndaluar ata, ka thënë Even Allison, një konsulent i ligjit ndërkombëtar humanitar dhe një avokat në Uashington.


Por akademik të tjerë mendojnë se ndarja strikte e gjykatësve ndërmjet organizatorëve dhe ndihmësve dhe mbështetësve të masakrës së Srebrenicës mund të jetë në fund të fundit kontributi më i rëndësishëm i vendimit të dhënë për Krstiq në jurisprudencën e genocidit.


“Problemi më genocidin është se zakonisht ka pak nxitës dhe vrasës direkt, dhe shumë më tepër ndihmës dhe mbështetës,” thotë Eric Markusen. “Dhe tani gjykata e ka bërë të qartë se ku qëndron kufiri i ndryshimit ndërmjet kryerjes dhe dhënies së ndihmës e mbështetjes për një genocid, dhe gjithashtu e ka bërë të qartë se ndihma dhe mbështetja është një formë e përgjegjësisë individuale e cila ndëshkohet rëndë”.


“Mesazhi i dhënë nga trupi gjykues është se dikush mund të jetë përgjegjës individualisht për genocid duke ndihmuar dhe mbështetur edhe nëse nuk do të kishte në plan të kryente genocid,” ka thënë për IWPR, Paul Seils, analist i vejtër me Qendrën Ndërkombëtare për Drejtësinë në Tranzicion, ICTJ, me qendër në Nju Jork. “Nuk mund të thuhet më se ‘unë vetëm kam zbatuar urdhërat dhe kam bërë detyrën dhe megjithëse e dija se njerëzit të cilët po ndihmoja po kryenin genocid, unë nuk jam fajtor,”. Në këtë mënyrë, thotë Seils, “është përjashtuar mundësi që dikush të shpëtojë nga dhënia llogari për genocid” për të gjithë ata të cilët akuzohen – në lidhje me masakrat në Srebrenicë si edhe me krime të tjera në luftërat në ish Jugosllavi. Seils ka thënë se duke pasur parasysh ato që janë paraqitur në gjyqin ndaj Millosheviq, është e dukëshme se i pandehuri ka qenë në një pozicion ku ose ka planifikuar dhe drejtuar krimet ose ka pasur dijeni për to dhe nuk ka ndërhyrë.


“Kjo mund të klasifikohet si përgjegjësi komandimi ose ndihmë dhe mbështetje për genocid – dicka që mund të jetë më e lëhtë për tu imagjinuar pas vendimit të dhënë ndaj Krstiq,” thotë ai.


Pasi është gjendur fajtor se ka ndihmuar dhe mbështetur genocidin, dënimi i Krstiq është ndryshuar. Për gjeneralin 56 vjecar, do të thotë se ai mund të mos vdesë pas hekurave të qelisë – dicka që ka zemëruar të mbijetuarit e Srebrenicës të cilët kanë mbështetur kërkesën e prokurorit për dënim me burgim të përjetëshëm.


“Një dënim i përjetëshëm do të ishte më i drejtë,” thotë Sehomiroviq. “Në fund të fundit, edhe ne jemi dënuar të jetojmë me vuajtjet tona për gjithë jetën”.


Ana Uzelac është drejtuese e projektit të IWPR në Hagë.