Tronditet Besnikëria e Ushtrisë Jugosllave

Me sa duket, Millosheviq nuk mund të mbështetet tek ushtria për ta ndihmuar pas humbjes së tij elektorale.

Tronditet Besnikëria e Ushtrisë Jugosllave

Me sa duket, Millosheviq nuk mund të mbështetet tek ushtria për ta ndihmuar pas humbjes së tij elektorale.

Tuesday, 6 September, 2005
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

A do t'i bëjë thirrje Millosheviqi ushtrisë dhe policisë për t'i dhënë fund krizës së krijuar pas zgjedhjeve? Nëse ai e bën këtë, a do t'i përgjigjen ata thirrjes së tij? Kjo pyetje ka shqetësuar banorët e Beogradit ndërsa festojnë fitoren e opozitës në Serbi.


Sipas Goran Vesiq, zyrtar i lartë i Opozitës Demokratike të Serbisë, DOS, Millosheviq ka anashkaluar shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë Nebojsha Pavkoviq që prej zgjedhjeve, sepse ai dyshon në besnikërinë e tij. Kryetari i shërbimit sekret të ushtrisë, KOS, Aleksandar Vasiljeviq, dhe Svetozar Marjanoviq janë tashmë në drejtim të ushtrisë.


Vendosja e oficerëve të KOS-it në të gjithë njësitë e zgjedhura të ushtrisë gjatë vitit të kaluar ka krijuar një sistem komandimi paralel për Millosheviqin në rast të një mosbindjeje të drejtuesve të ushtrisë ndaj tij.


Në rastin më të mirë, kjo tregon për një paqartësi që mbizotëron në rradhët e ushtrisë në të gjitha nivelet. Regjimi është mbështetur gjithnjë mbi policinë dhe ushtarakët dhe përvoja e mëparshme tregon se Millosheviq nuk do të hezitojë të kërkojë ndërhyrjen e tyre për t'i dhënë fund krizës elektorale.


Megjithatë të dyja institucionet janë tronditur rëndë nga zgjedhjet. Dhe në rradhët e regjimit ndjehet paniku, sepse rreziku i një mosbindjeje në rradhët e oficerëve rritet çdo ditë. Millosheviq ka më shumë mundësi për të manovruar me policinë, ku ai akoma është i sigurtë se urdhërat e tij do të zbatohen.


Ndërsa filloi numërimi i votave natën e votimit, regjimi gjithashtu filloi të humbasë qetësinë. Kur kanë mbërritur kutitë e votimit të ushtrisë dhe policisë, anëtarët e DOS-it, Lëvizjes për Ripërtëritje Serbe dhe Partisë Radikale Serbe, anëtarë të koalicioni, u dëbuan nga Komisioni Elektoral Federal. Burime të IWPR-së thonë se tre të katërtat e votave të policisë dhe ushtrisë kanë qenë për Vojislav Koshtunican.


Shpresa më e mirë e regjimit për të dislokuar trupa në rrugë ka qenë në 24 orët pas zgjedhjeve, kur ai mund të kishte argumentuar se opozita po përpiqej të shpallte në mënyrë false fitoren e Koshtunicës, sipas një burimi nga rradhët e ushtrisë.


"Ndërsa kalonte koha dhe fitorja e Koshtunicës pranohej nga gazetat e përditshme, radio-stacionet dhe disa parti që nuk e mbështesin atë, si, për shembull, Lëvizja për Ripërtëritje Serbe dhe Partia Radikale Serbe, shanset e dislokimit të ushtrisë u pakësuan ndjeshëm," ka thënë burimi.


Vonesa prej 40 orësh në shpalljen e rezultateve dhe pranimi i Koshtunicas si president nga ana e Kishës Ortodokse Serbe thuhet të kenë influencuar anëtarët e ushtrisë. Gjithashtu shumë oficerë respektojnë ligjet dhe nuk do të dëshironin të ndërhynin në favor të dikujt që është hedhur poshtë nga votuesit.


"Regjimi do të rrezikonte shumë nëse do të përpiqej të dislokonte këtë herë ushtrinë," ka thënë burimi i ushtrisë. "Koshtunica tashmë gëzon përkrahjen e shumë oficerëve, meqë ai ka kritikuar si Millosheviqin, ashtu edhe fushatën e NATO-s dhe ai nuk është diskredituar kurrë si politikan."


Koshtunica e ka përdorur mitingun e opozitës të 27 shtatorit për t'i dërguar një mesazh ushtarakëve dhe policisë se roli i tyre është të mbrojnë vendin dhe jo një njeri e familjen e tij. Ai pyeti se përse një ushtri e cila "ka luftuar me kurajo ndaj NATO-s duhet të tronditet përpara një njeriu të vetëm, Sllobodan Millosheviqit - një tiran i cili ka humbur pushtetin dhe do të duhet të pranojë këtë humbje."


Duke festuar me pjesën tjetër të turmës ka qenë edhe një anëtar i policisë ushtarake me uniformë, prania e të cilit në miting është mirëpritur nga njerëzit pranë si një shenjë e mirë.


Dyshimet e presidentit rreth Pavkoviqit mund të jenë provokuar nga pozicioni i tij i ndryshueshëm gjatë zgjedhjeve. Një javë përpara zgjedhjeve, shumë oficerë kanë qenë të pakënaqur nga lajmërimi i gjeneralëve se trupat do të jenë në gjendje pritjeje në ditën e zgjedhjeve dhe ushtria nuk do të lejojë që regjimi të sfidohet nga njerëzit nëpër rrugë. Figura ushtarake të larta kanë urdhëruar që oficerët të votojnë për Millosheviqin, ose do të shkarkohen, sipas Aleksandr Gjurishiq të Partisë Demokratike të Socialistëve malazezë, i cili thotë se urdhëri I ka shqetësuar shumë "oficerët e nderuar të ushtrisë jugosllave".


Tre ditë pas zgjedhjeve, Pavkoviq ka njoftuar se ushtria do të pranonte rezultatet dhe ka komentuar se policia, dhe jo ushtria, kanë përgjegjësinë në rast të trazirave civile duke shtuar se "Millosheviq nuk do të urdhëronte kurrë ushtrinë për të ndërhyrë kundër popullit të tij".


Në ndryshim nga policia, të cilët janë vegla në duart e Millosheviqit, ushtria është përdorur vetëm një herë kundër protestuesve - dhe atëherë pa sukses. Më 9 mars 1991, presidenca e ish-Jugosllavisë u bind nga regjimi serb për të shtypur demonstratat e opozitës. Urdhëri erdhi ndërsa demonstratat po i afroheshin fundit. Tanke dhe mjete të blinduara nga Brigada e Parë e Blinduar e Beogradit, e cila rrethoi rrugët qendrore të Beogradit, u tërhoqën në kazermat e saj menjëherë pas përfundimit të demonstrimeve.


Janë vënë re çarje në rradhët e ushtrisë gjatë disa muajve të protestave në dimrin e vitit 1996-1997. Represioni i shtuar i policisë në rrugë ka shkaktuar një revoltë nga disa oficerë të Brigadës së Parë të Blinduar të Beogradit të vendosur në Vozdovc. Vetëm pas ndërhyrjes së rangjeve të larta ushtarake oficerët u bindën të mos bashkoheshin me gratë dhe fëmijët e tyre në demonstrata, ku ushtarakë me uniforma u panë shpesh të merrnin pjesë. Po atë vit, gazetat e Beogradit botuan një letër në të cilën Brigada e 63-të Parashutiste në Nish deklaroi se ishte në krah të popullit dhe jo të regjimit.


Pak përpara fushatës ajrore të NATO-s vitin e kaluar pati një spastrim të drejtuesve të ushtrisë, ndërsa besnikë të Beogradit u promovuan në pozicione të larta. Pavkoviq u bë shef i shtabit të përgjithshëm dhe gjenerali Dragoljub Ojdaniq ministër i mbrojtjes.


Gjërat janë më ndryshe me policinë serbe, megjithëse edhe atje ekzistojnë ndjenja të ndryshme. Policia është vendosur tashmë në gjendje gatishmërie në Beograd, ku mund të shihen një numër i madh policësh pranë rajoneve të policies duke lexuar gazetat zyrtare dhe ato të pavarura.


"E çfarë pastaj nëse autoritetet kanë humbur zgjedhjet? Nuk është fundi i botës, një herë fiton, një herë humbet - kështu është jeta. Ndoshta herën tjetër do të kenë fat më të mirë," u thoshte një polic kolegëve të tij, ndërsa ata qëndronin përpara stacionit të policisë të Beogradit të veshur me uniforma luftarake.


Megjithatë burime të afërta me policinë serbe paralajmërojnë se regjimi ende mund të mbështetet në bindjen e tyre, sepse në ndryshim nga ushtria, e cila ka në rradhët e saj një numër të madh rekrutësh, policia është një organizëm prefesional ende "i gatshëm të zbatojë urdhërat".


Që prej vitit 1991, policia është shndërruar nga një institucion i pajisur keq dhe i paorganizuar në një organizëm të armatosur mirë me 100,000 anëtarë dhe njësi speciale të vendosura në të gjitha qytetet më të mëdha të Serbisë.


"Ushtria paralele" e Millosheviqit, siç njihet policia, mund të ndërhyjë në çdo kohë për të shtypur çdo aktivitet kundër regjimit. Por ndërkohë që një ndërhyrje e tillë do të mund të ishte brutale në fillim, por në planin afatgjatë edhe ky institucion mund të thërrmohet dhe të mos u bindet urdhërave.


Artikullshkruesi është një gazetar nga Beogradi i cili dëshiron të mbetet anonim.


Balkans, Serbia
Frontline Updates
Support local journalists