Tronditen Themelet e Maqedonisë

Dhuna që ka shpërthyer në Tanushë është një fakt tjetër që pasqyron të ardhmen e pasigurtë të Maqedonisë

Tronditen Themelet e Maqedonisë

Dhuna që ka shpërthyer në Tanushë është një fakt tjetër që pasqyron të ardhmen e pasigurtë të Maqedonisë

Megjithëse dhuna që ka shpërthyer në zonën e Tanushës nuk do të shkaktojë shpërbërjen e Maqedonisë, ajo tregon edhe një herë dobësinë e theksuar të vendit. Reagimi i parë ndaj çdo krize në Maqedoni është pyetja nëse vendi do të shpërbëhet. Megjithatë, ky është një reagim i tepruar. Burimi i stabilitetit të Maqedonisë është më i thellë sesa mendohet zakonisht.


Si Maqedonasit ashtu edhe Shqiptarët etnik, si edhe grupet e tjera të pakicave etnike, kanë një interes në vazhdimin e ekzistencës së Maqedonisë. Pavarësisht mosmarrëveshjeve etnike, ata ende ndajnë së bashku pushtetin politik dhe burimet ekonomike, megjithëse kjo ndarje nuk është krejtësisht e barabartë.


Gjithashtu, çdo ndryshim nga gjendja e tanishme politike është jo vetëm shumë i rrezikshëm për popullin e Maqedonisë, por edhe për të gjithë rajonin.


Për momentin, Maqedonia është një shtet unitar me një qeveri koalicioni të partive Maqedonase dhe Shqiptare. Ajo gëzon mbështetjen ndërkombëtare, gjë e cila nënvizohet edhe nga prezenca e NATO-s.


Kjo aftësi për tu bashkuar në raste krize është shfaqur edhe më parë: ajo ka qenë dëshmitare e procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë, krizën totale të Shqipërisë në vitin 1997 dhe krizën e Kosovës në vitin 1999.


Në të gjitha këto raste, Maqedonasit, Shqiptarët etnik, pakicat, vendet fqinje dhe komuniteti ndërkombëtar janë bashkuar, megjithëse ndonjë herë pa shumë dëshirë për të ruajtur ekzistencën e Maqedonisë dhe për të mbështetur infrastrukturën e saj.


Por megjithatë, konflikti në Tanushë përbën ndoshta testin më të vështirë që Maqedonia ka përballuar deri më tani.


Vendosmëria politike e vendit për të përballuar një kryengritje të armatosur është vënë për herë të parë në provë. Pavarësisht mënyrës se si do të zgjidhet kjo krizë, ajo do të ketë pasoja të rënda.


Viktima më e madhe e kësaj krize do të jetë legjitimiteti i tronditur i qeverisë së tanishme të koalicionit. Si anëtarët Maqedonas ashtu edhe ata Shqiptarë të koalicionit qeveritar kanë humbur besueshmëri, ndërmjet të tjerash edhe për shkakun se ata kanë mohuar me forcë ekzistencën e grupeve paraushtarake në vende si në Tanushë deri në shpërthimin e krizës.


Ato kanë minimizuar gjithashtu rëndësinë e incidenteve të mëparëshme terroriste. Pra, është e vështirë të mendohet se ato do ti shmangen përgjegjësive politike për lejimin e këtyre ngjarjeve të precipitojnë deri në këtë fazë.


Megjithatë, çështja kryesore është nëse me humbjen e legjitimitetit të qeverisë, do të ketë edhe një përkeqësim të legjitimitetit të vetë Maqedonisë. Kjo do të varet në një farë mase nga mënyra se si do të zgjidhet kriza.


Është e qartë, se komunitetet Maqedonase dhe Shqiptare do të largohen më tepër si pasojë e kësaj dhune.


Dhe me përkeqësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy grupeve, ka mundësi të dëmtohet gradualisht edhe legjitimiteti i vendit.


Ky proces do të shpejtohet jo vetëm nga pafuqia politike e koalicionit qeveritar por edhe nga kostot ekonomike të krizës së tanishme.


Maqedonia mbështetet kryesisht në ndihmat financiare të huaja dhe për më tepër në investimet e huaja.


Nuk ka asnjë dyshim që këta investitorë të huaj do të bëhen edhe më të kujdesëshëm se sa kanë qenë deri tani.


Maqedonia nuk mund të përballojë një rikthim të stanjacionit ekonomik apo një rënie ekonomike. Papunësia është tepër e lartë dhe gjendja e saj e rëndë financiare mund të përkeqësohet shumë shpejt.


Maqedonasit deri më tani nuk kanë dalë në rrugë për të kërkuar përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale, me qëllim për të mos destabilizuar më tepër vendin.


Por ky vullnet i mirë nuk mund të quhet i mirëqenë edhe për shumë kohë. Publiku e konsideron qeverinë si shumë të korruptuar dhe të gatëshme për të kompromentuar interesat kombëtare. Gadishmëria e njerëzve për të bërë sakrifica duket se po merr fund.


Një faktor i mundëshëm stabiliteti mund të jetë afrimi i zgjedhejve të ardhëshme dhe një ndryshim i qeverisë. Megjithatë, në këtë moment, ndërsa Maqedonasit dhe Shqiptarët janë më larg njeri tjetrit se gjithmonë, kjo gjë duket pak e mundur.


Dhënia fund e pasigurisë në Kosovë mund të ishte gjithashtu një faktor stabiliteti edhe për Maqedoninë, por deri më tani, si OKB-ja ashtu edhe KFOR-i kanë treguar se nuk janë të aftë të vendosin rendin dhe qetësinë në provincë.


Mund të jetë e vështirë në mos e pamundur për të shmangur shkatërrimin e legjitimitetit të vendit. Por, pavarësisht nga ëkto probleme, duket se stabiliteti i Maqedonisë do të vazhdojë të ruhet.


Vladimir Gligorov është një studjues në Institutin për Studime Ekonomike ndërkombëtare në Vjenë dhe një këshilltar i Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD) në Paris.


Macedonia, Albania, Kosovo
Support our journalists