TRANSFERIMI I DREJTËSISË PËR KRIMET E LUFTËS

Prokurorët dhe gjykatësit vendas duhet të përqëndrohen në ndërtimin e kapaciteteve të tyre për të gjykuar çështjet e krimeve të luftës brenda vendit.

TRANSFERIMI I DREJTËSISË PËR KRIMET E LUFTËS

Prokurorët dhe gjykatësit vendas duhet të përqëndrohen në ndërtimin e kapaciteteve të tyre për të gjykuar çështjet e krimeve të luftës brenda vendit.

Monday, 21 February, 2005
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

Debati mbi krimet e luftës në pothuajse çdo shtet të ish Jugosllavisë është ende në kulmin e tij. Ai është i gjallë dhe prezent në jetën e përditëshme dhe në media: kush është më tepër fajtor; kush ka vuajtur më shumë? Siç është shprehur filozofi gjerman Karl Jaspers (1883-1969) ka thënë se “Vuajtja është e llojit të ndryshëm dhe shumë njerëz kanë ndjenja vetëm për llojin e tyre. Të gjithë kanë tendencën të interpretojnë humbjet e mëdha dhe gjyqet si një sakrificë. Por interpretimet e mundëshme të kësaj sacrifice janë kaq shumë të ndryshme, saqë fillimisht, ato i ndajnë njerëzit”.


Hetimi dhe dënimi i personave përgjegjës për krime lufte nuk është një detyrë e lehtë, kur pikpamjet janë kaq të ndryshme, dhe kur ka një mungesë kaq të madhe besimi ndërmjet fqinjëve. Dhe unë pyes veten ndonjëherë, a do ta kenë më të lehë gjykatat lokale të japin drejtësi për çështjet e nisura tanimë nga gjykata e Hagës, apo të nisin çështje të tjera? Përse politikanët dhe publiku shpesh kërkojnë zhvillimin e gjyqeve në vend dhe jo në Hagë? Përse është më mirë për serbët të gjykohen nga gjykatat serbe dhe kroatët nga gjykatat kroate? A mund të pritet zhvillimi i proceseve gjyqësore të drejta kur ata njerëz të cilët kërkojnë zhvillimin e gjyqeve lokale për të akuzuarit thonë se këta persona të akuzuar janë të pafajshëm?


Proceset transparente janë një zgjidhje. Është një fakt përgjithësisht i pranuar që zbulimi më i saktë i së vërtetës është i mundur vetëm si rezultat i hetimit gjyqësor, dhe që hetimet e mëdha mund të zbulojnë shumë nga dhkeljet e bëra në të kaluarën. E vërteta përbëhet nga disa fakte dhe perspektiva, secila prej të cilave mund të ndryshohet, të mohohet, racionalizohet dhe hudhet poshtë. Këtë gjë e shohim shpesh në ish Jugosllavi, kur nëntë vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit, njerëzit nuk mund të bien dakord për faktet kryesore, dhe politikanët ende diskutojnë për çdo aspekt të ish Jugosllavisë dhe konflikteve të armatosura të cilat kanë çuar në shpërbërjen e saj.


Aspekti tjetër në këtë çështje është se pothuajse të gjithë janë të shqetësuar vetëm për ata të cilët janë të dyshuar apo akuzuar. Pak njerëz flasin për viktimat dhe të drejtën e tyre për drejtësi dhe një gjyq të paanshëm. Parlamentet miratojnë ligje për të drejtat dhe interesat e të akuzuarve – ndërsa nuk kam dëgjuar akomapër ndonjë rregullore të tillë apo ligj për viktimat dhe të drejtat e tyre.


Duke u kthyer në sfidat me të cilat përballen gjykatat lokale kur bëhet fjalë për trashëgiminë e gjykatës së Hagës dhe dënimin e krimeve të luftës, ato janë të shumta dhe të së njëjtës natyrë me ato të cilat përballemi ne në gjykatën e Hagës. Këto sfida janë ligjore dhe politike. Duke lënë më një anë politikën, është diçka e pakundërshtueshme që gjykata ka mbledhur një eksperiencë të madhe dhe prova të shumta gjatë 11 vjetëve të fundit. Kjo duhet të përdoret nga gjykatat lokale sa më tepër të jetë e mundur.


Pasuria e provave të gjykatës së Hagës përfshin gjykime dhe mocione, dokumenta, prova, deklarime të dëshmitarëve, video dhe transkriptime të gjyqeve. Përveç atyre që janë regjistruar në sallën e gjyqit, Zyra e Prokurorisë posedon mbi 4.5 milion faqe dokumenta, mbi 12,000 orë regjistrime video dhe audio, disa qindra harta dhe materiale të tjera. Jo të gjitha provat dhe materiali i mbledhur janë përdorur në gjyqet e deritanishme, dhe ndoshta një pjesë e tyre nuk do të përdoren kurrë për shkak të mungesës së kohës. Problemi tani shtrohet se si të mundësojmë gjykatat lokale të përdorin këto materiale. Ne jemi të gatshëm të ndajmë çdo gjë që kemi edhe tani, pas kërkesave të duhura juridike, dhe kuptohet në bazë të disa rregullave të caktuara.


Nuk përbën ndonjë sekret fakti që qindra, dhe mijëra shkaktarë të krimeve të rënda të luftës nuk janë akuzuar ende. Ata shpesh shihen nga viktimat e tyre në rrugë, apo në pozita të rëndësishme shtetërore. Zyra ime ka në plan të transferojë gjykatave lokale dosiet e hetimeve të papërfunduara dhe materialet investigative. Pastaj do tu takojë drejtësisë së vendeve të veçanta dhe autoriteteve të prokurorive të veprojnë për këto raste. Ky proces do të nisë vitin e ardhëshëm dhe do të jetë një test i rëndësishëm për pjekurinë e gjykatave lokale.


Gjykatat lokale nuk duhet të veprojnë vetëm për ato çështje të nisura nga gjykata e Hagës. Ato gjithnjë kanë pasur mundësinë të nisin hetimet e tyre, megjithëse të gjitha shenjat tregojnë se për arësye të ndryshme kjo gjë nuk ka ndodhur. Për shembull, në Bosnje dhe Herzegovinë, dosje kriminale të rreth 5,908 personave u janë paraqitur zyrës sime për rishikim, por vetëm 90 persona kanë dalë para gjykatave. Në Kroaci vazhdon ende procesi i rishikimit të qindra rasteve të gjykuara në mungesë dhe shumë prej këtyre rasteve po mbyllen për arësye të mungesës së provave. Serbia dhe Mali i Zi sapo kanë filluar procesin i cili do të çojë para drejtësisë fajtorët për krime lufte.


Hetimet dhe gjykimi i krimeve të luftës do të përballen me problemin e fshehjes së të dyshuarve në shtete “mike”, apo mbrojtjes nga grupe të interesuara. Bashkëpunimi rajonal dhe një vullnet i qartë politik nga ana e autoriteteve është e vetmja mundësi për të tejkaluar këtë sfidë. Inisiativat e fundit në fushën e bashkëpunimit rajonal në lidhje me krimet e luftës, me mbështetjen e OSBE-së, PNUD, Gjykatës së Hagës dhe të tjerë, janë shumë të mirëpritura.


Megjithëse gjyqet ndërkombëtare janë të mirëpritura sepse ato përcaktojnë përgjegjësinë për krime masive për individë në nivelet më të larta, ato kanë edhe kufizimet e tyre. Fokusi i tyre lë të paprekura disa kategori – si fajtorët në nivel të ulët. Këta përfshijnë anëtarët e komunitetit, të huaj të cilët mund të kenë pasur një kontribut në shpërthimin e dhunës, dhe “vëzhgues” të cilët mund të mos kenë marrë pjesë në krime por edhe nuk kanë ndërhyrë për ti ndaluar ato. Për sa i përket ligjit, përgjegjësia kriminale është individuale. Por për sa i përket drejtësisë dhe pajtimit, fajësia e atyre të cilët kanë qëndruar pa bërë asgjë apo kanë duartrokitur një drejtues kriminel, apo të cilët kanë zgjedhur për ti përfaqësuar një kriminel lufte, nuk mund të shmanget. Këta lloj të pandehurish mund të gjykohen shumë më mirë në vendet e tyre.


Vendet e ish Jugosllavisë kanë të gjitha arësyet për të përkrahur gjykatën e Hagës si një gjykatë të tyre. Ata duhet ta shohin gjykatën e Hagës si një ndihmë në shmangien e përgjegjësisë kolektive për kombet e tyre, dhe si një burim drejtësie, provash dhe praktike. Ata kanë interes në funksionimin optimal të gjykatës sepse ata vetë nuk mund të dënojnë personat më përgjegjës për krimet dhe shkatërrimin e dekadës së kaluar.


Drejtësia kërkon që fajtorët të përgjigjen për krimet e tyre. Në të njëjtën kohë, shoqëri të ndryshme kanë kuptim të ndryshëm mbi ligjin dhe drejtësinë. Në ish Jugosllavi nuk njihet dhe nuk kuptohet mirë koncepti i përgjegjësisë së drejtimit. Vetëm përgjegjësia e fajtorëve direkt është e pranueshme në këto vende (për dekada me rradhë drejtuesit janë konsideruar si të paprekshëm). Kjo është një prej arësyeve që këto vende duhet të mësojnë nga eksperienca e gjykatës ndërkombëtare.


Më lejoni të ilustroj sa thashë më sipër me një shembull nga media kroate, i cili flet vetë. Menjëherë pas njoftimit për akuzën ndaj gjeneralit Mirko Norac, një gazetë e përditëshme e Zagrebit, Jutarnji list, ka dërguar një gazetar në vendin ku është kryer krimi për të cilin akuzohet ai – fshatrat e Citluk, Pocitelj, Ornica dhe Divoselo në Xhepin e Medak. Plani ka qenë që gazetari të pyeste banorët vendas se çfarë mendonin për akuzën ndaj Norac. Kjo detyrë ka qenë e pamundur sepse tre banorët e intervistuar ishin kthyer në dekadën e fundit, dhe jetonin të izoluar pa energji elektrike dhe nuk kishin dijeni për të rejat e një dite më parë. Gazetari ka thënë se tre të kthyerit jetonin si kafshë në shtëpi të shkatërruara dhe të djegura, të rrethuar nga minat. Një prej të kthyerve ka komentuar se ai nuk dinte nëse Norac ka qenë fajtor për këto krime, duke shtuar se politika e luftës nga të dyja palët ka qenë të shkatërrojnë dhe të djegin sa më shumë. “Lufta nuk duhet të kishte ndodhur,” ka thënë ai.


Kjo histori e shkurtër më tregon shumë për viktimat dhe përgjegjesinë e komandimit. Për ta thënë më qartë, dhe jo në terma ligjore, mua nuk më intereson kush kanë qenë agresorët apo mbrojtësit, dhe as nuk më interesojnë fjalët e mëdha të përdorura nga të dyja palët për të justifikuar “të vërtetën”. Mua më interesojnë viktimat e këtyre konflikteve dhe e drejta e tyre për drejtësi dhe u bëj thirrje kolegëve të mi prokurorë të jenë në të njëjtën anë.


Më lejoni gjithashtu të kujtoj edhe fjalët e një fizikanti danez, fitues i çmimit Nobel, Niels Bohr: “E kundërta e një të vërtete të thelë mund të jetë gjithashtu një e vërtetë e thellë”.


Për të përfunduar, koha e paqartësisë dhe e presioneve të padurueshme për akuza të reja ka kaluar. Por kjo nuk duhet ti japë fund kësaj historie. Mosndëshkimi nuk duhet toleruar dhe ky është jo vetëm detyrimi ynë moral por edhe profesional si juristë. Për të përdorur fjalët e një tjetër fituesi të çmimit Nobel, shkrimtarit rus, Solzhenitsin: “Kur nuk ndëshkojmë apo qortojmë ata që bëjnë gabim, ne jo vetëm mbrojmë ata por në të njëjtën kohë shkatërrojmë edhe bazat e drejtësisë për brezin e ardhëshëm”.


Ndërsa përqëndrohemi në përfundimin e veprimtarisë së gjykatës dhe në strategjinë tonë përmbyllëse, prokurorët vendas dhe gjykatësit duhet të përqëndrohen në ndërtimin e kapaciteteve për gjykimin e krimeve të luftës në nivel lokal. Përveç ndryshimeve në legjislacion, si përmirësime në procedurën ligjore, janë të nevojëshme edhe fusha të tjera në mënyrë që të kemi një përfundim të suksesëshëm të kësaj detyre. Këtu dua ti referohem përsëri bashkëpunimit rajonal ndërmjet Kroacisë, Bosnjes, Serbisë dhe Malit të Zi në fushën e krimeve të luftës (shkëmbimi i informacioneve, ndihma ligjore dhe ekstradimet) dhe çështjen e mbrojtjes së dëshmitarëve.


Unë mbështes plotësisht deklaratën e bërë pas seminarit të fundit në Dubrovnik për çështjen e bashkëpunimit rajonal për çështjen e krimeve të luftës: “Kur kemi të bëjmë me krime lufte, nuk mund të ketë një rrugë të mesme. Mos ndëshkimi është rezultat i impotencës politike dhe mungesës së moralit. Kjo është një çështje e cila duhet parë bardhë e zi: ose do të dënojmë krimet e luftës dhe shkaktarët e tyre, ose brezat e ardhëshëm do të gjykojnë se ne kemi qenë bashkëfajtorë me ta”.


Ne në gjykatën e Hagës, veçanërisht në Zyrën e Prokurorisë, jemi të mësuar me kritikat. Ne nuk kemi imunitet përsa i përket kritikave. Nuk kemi shumë kohë, dhe mendoj se kur gjykata do të përfundojë mandatin e saj, publiku, por veçanërisht mediave do tu mungojmë. Vetëm imagjinoni për një çast – media në Beograd, Zagreb dhe Sarajevë pa sensacione dhe spekulime në lidhje me gjykatën e Hagës? Unë u bëj thirrje kolegëve prokurorë, të mos e zhgënjejnë median e tyre, përndryshe ata nuk do të kenë me çfarë të merren!


Por duke lënë më një anë shakatë, mos harroni se krimet e luftës nuk kanë kohë skadence: Ato janë, dhe do të mbeten gjithnjë, krime lufte – veçanërisht për viktimat dhe familjet e tyre.


Ky është një version i redaktuar i një fjalimi të mbajtur nga kryeprokurorja e gjykatës së Hagës, Carla del Ponte në një konferencë ndërkombëtare në Beograd më 1-2 tetor, e organizuar nga Qendra e Ligjit Humanitar në bashkëpunim me Këshillin e Evropës.


Frontline Updates
Support local journalists