Tmerri i Arrestimit të Filipoviq

Gazetari i IWPR-së Mirosllav Filipoviq, i liruar së fundi nga burgu pas një apeli kundër dënimit të tij për spiunazh, përshkruan arrestimin e tij kafkian.

Tmerri i Arrestimit të Filipoviq

Gazetari i IWPR-së Mirosllav Filipoviq, i liruar së fundi nga burgu pas një apeli kundër dënimit të tij për spiunazh, përshkruan arrestimin e tij kafkian.

Monday, 21 February, 2005

"Unë nuk kam bërë asgjë të keqe, por në këtë vend njeriut mund t'i ikë koka edhe për më pak." Këto fjalë të shkrimtarit tonë të madh Ivo Andriç janë mënyra më e mirë për të përmbledhur me një fjali absurditetin total të situatës në të cilën u gjenda dhe jam ende.


Ndërsa shkruaja artikujt (për shkeljet e të drejtave të njeriut në Serbi dhe Kosovë) të cilat çuan në burgimin tim, isha i sigurtë se përbëja një farë interesi për policinë. Të tjerë që shkruanin për IWPR-në ishin thirrur për biseda 'informative' dhe ishin këshilluar miqësisht të 'qetësoheshin pak'.


Problemet e mia filluan më 8 maj të këtij viti. Bashkëshortja ime Sllavica dhe unë sapo ishim kthyer nga fshati ku babai im Ljubomir, oficer i ushtrisë në pension, ishte varrosur një javë më parë.


Në korridorin e shkallëve të apartamentit tim dy djem të rinj m'u afruan dhe më thanë se ishin nga shërbimi i sigurimit të shtetit. Ata më treguan dokumentat e identifikimit dhe më kërkuan t'i shoqëroja në apartamentin tim.


Duke hyrë në apartament ata pritën edhe dy oficerë të tjerë dhe dy 'qytetarë', të cilët unë i dallova lehtësisht si informatorët e tyre. Më thanë se kishin një mandat kontrolli, por nuk pranuan të ma tregonin.


"Do ta japim më pas, mos u bëj kaq formal," më thanë. Ata gjithashtu nuk pranuan të më thonin arsyen që gjykata u kishte dhënë mandatin e kontrollit. Ata e mbajtën Sllavican dhe djalin tim, Sashan, në një dhomë duke u thënë të ulen në divan dhe të mos ngriheshin pa u thënë ata, të mos dilnin në verandë dhe, nëse duhet të shkonin në tualet, të mos e mbyllnin derën.


Ata natyrisht kishin hequr telefonin tonë dhe më pyetën nëse kisha ndonjë armë zjarri duke u shtirë sikur nuk e dinin që kisha një armë.


Kur u siguruan se arma ishte në shtëpinë e nënës sime, u mjaftuan duke konfiskuar lejen e armës, kartën e identitetit dhe pasaportën. Ndërkohë unë dëgjova që u ndez kompjuteri im në studio.


Dhjetë minuta më vonë më thirrën në studio dhe më ulën në një karrike. Filluan të printonin skedarët nga kompjuteri im. Unë nuk mund të dalloja se çfarë po printonin, por 'qytetarët' nënshkruanin çdo dokument të printuar.


Ata printuan nëntëdhjetë faqe gjithsej. Kërkuan në të gjithë dhomën dhe kontrolluan çdo copë letër. E gjithë kjo vazhdoi për rreth dy orë. Kur mbaruan punë më thanë të shkoja me ta.


"Merr diçka të ngrohtë me vete, netët janë ftohur," më thanë. Kur i pyeta se në çfarë gjendje isha, ata qeshën dhe më thanë: "Hajdeni zotëri, nuk ka gjë për t'u shqetësuar, thjesht duam të shpjegojmë diçka."


Më çuan në zyrat e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit. Atje tre informatorët filluan të më bënin pyetje. "Le të shpjegohemi," tha njëri prej tyre. "Kjo mund të jetë një gjë e shkurtër dhe e thjeshtë, apo e gjatë dhe e komplikuar. Këtë duhet të vendosësh ti."


Unë u thashë se nuk kisha ndër mend të tregohesha një hero. Gjatë gjithë natës më sillnin kopje të artikujve të mi, një nga një dhe fjali të shkëputura prej tyre duke më pyetur se ku i kisha gjetur këto informacione.


Këto ishin artikuj rreth policisë dhe ushtrisë dhe donin që unë t'u tregoja burimin e informacionit. Por këto 'burime' nuk ekzistonin, apo të paktën jo në formën që kujtonin ata. Unë u përpoqa t'u shpjegoja se informacionin e kisha marrë nga njerëz me të cilët kisha folur në Kraljevë. Këto gjëra diheshin nga të gjithë.


Nuk më besuan. Më dhanë një faqe letër dhe një stilograf dhe më diktuan deklaratën time. Ata më diktonin unë shkruaja. Dhe kur doja të thoja ndonjë gjë me fjalët e mia, duhet ta 'diskutonim' se çfarë doja të thoja.


M'u desh të nënshkruaja çdo faqe të 'deklaratës' sime. Kjo zgjati gjithë natën dhe një pjesë të mirë të ditës së nesërme. Ata ndërroheshin me rradhë, ndërsa unë shkruaja i ulur në një karrike të parehatshme.


Pas njëfarë kohe më sollën një version të deklaratës të shtypur. M'u desh të nënshkruaja çdo faqe. Nënshkrova edhe një deklaratë të përgatitur, e cila thoshte se kisha shkruar çdo gjë vetë dhe se nuk isha vënë nën presion.


Më pas më lanë vetëm nën shoqërinë e një roje. "Oh, i dashur Filipoviq," më tha ai në një moment, "e gjitha kjo nuk ishte e nevojshme."


"E gjithë çfarë?" e pyeta unë.


"Epo ja, këto artikujt e shkruar. Përse nuk shkruan për gjëra normale? Në këtë mënyrë t'i tradhëton shtetin dhe pastaj kur arrestohesh bën një zhurmë dhe rrëmujë të madhe."


"Por unë nuk kam bërë asgjë të keqe," thashë unë.


"Çfarë do të thotë që nuk ke bërë asgjë?" tha ai duke më parë me tallje. "Ti ke qënë jashtë shtetit, apo jo? Dhe me kë ke qenë në kontakt atje, hë? Me të huaj, natyrisht, dhe tani bën me faj të tjerët për problemet e tua. I dashur Filipoviq, këtë nuk mund ta bësh. Ju jeni të gjithë kolona të pesta."


Unë nuk po u besoja veshëve. Por qëndrova i qetë duke u përpjekur të mos qeshja. Më pas fillova të mendoja për të marrë një avokat.


U kthyen përsëri pasdite. Më drejtuan nëpërmjet disa rrugëve të fshehta për në një makinë, e cila u drejtua për nga Gjykata e Lartë.


Personat që ishin në apartamentin tim më parë e që më pyetën gjithë natën dukeshin mjaft ndryshe tani. Kishin një shprehje të akullt në fytyrë.


Pasi pritëm pak u futëm në sallën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Milija Kurçubiq. Vura re se gruaja ime kishte gjetur një avokat, mikun tonë Slavisha Vojinoviq, por policia nuk e lejonte të fliste me mua.


Në sallën e gjykatës prokurori kërkoi menjëherë që gjykata të konsideronte çështjen jashtë juridiksionit të saj dhe t'ia kalonte për shqyrtim gjykatës ushtarake. Gjyqtari tha se do të vendoste çfarë do të bënte pas seancës.


Unë isha pothuajse i vdekur nga lodhja dhe i nxehur nga gjendja e vështirë që isha futur. Nuk e dija se çfarë po ndodhte me mua. Gjyqtari më informoi se sigurimi i shtetit më kishte akuzuar për spiunazh dhe për përhapje informacioni të rremë.


Unë nuk po u besoja veshëve. Spiunazh? Qesharake! Gjyqtari më pyeti për akuzën. Përpara se të përgjigjesha, i kërkova t'i shpjegoja rrethanat në të cilat isha detyruar të nënshkruaja deklaratën time origjinale.


Ai pranoi dhe unë deklarova se çdo gjë që kisha nënshkruar në rajonin e policisë e kisha bërë nën presion dhe se doja të tërhiqja një pjesë të deklaratës sime....


Vazhdon në numrin tjetër të Balkan Crisis Report.


Frontline Updates
Support local journalists