Thirrje të Reja në Holandë për Hetime Rreth Srebrenicës
Njerëz të njohur në Holandë thonë se paqeruajtësit holandezë mund të kishin bërë më tepër për të parandaluar masakrën në Srebrenicë.
Thirrje të Reja në Holandë për Hetime Rreth Srebrenicës
Njerëz të njohur në Holandë thonë se paqeruajtësit holandezë mund të kishin bërë më tepër për të parandaluar masakrën në Srebrenicë.
Ka pasur thirrje të reja në Holandë për një hetim pralamentar mbi rolin e forcës holandeze në kuadrin e Kombeve të Bashkuara gjatë rënies së enklavës myslimane në Bosnje të Srebrenicës pesë vjetë më parë.
Pasi forcat serbe të Bosnjes pushtuan enklavën e mbrojtur nga OKB-ja, ato kanë mbledhur dhe masakruar pjesën më të madhe të banorëve në atë që përgjithësisht pranohet si masakra më e madhe në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Këto thirrje në Holandë pasojnë akuzat e ngritura nga organizata ndërkombëtare Mjekë Pa Kufi, MSF, ndaj autoriteteve franceze se ato po pengojnë një hetim për përfshirjen e Francës në këtë çështje.
Ministri holandez i mjedisit Jan Pronk ka përkrahur kërkesat e 40 autorëve dhe gazetarëve të njohur për një hetim mbi rënien e "zonës së sigurtë" dhe masakrën e rreth 7,000 burrave që pasoi atë.
Në një letër të hapur drejtuar qeverisë, që ka koinciduar me përvjetorin e pestë të tragjedisë së Srebrenicës, këta personazhe publike kanë deklaruar se 150 paqeruajtës holandezë të armatosur lehtë, pjesëtarë të batalionit paqeruajtës holandez të ngarkuar me detyrën për të mbrojtur enklavën, mund të kishin parandaluar pushtimin e saj.
"Batalioni holandez nuk arriti të mbrojë banorët e Srebrenicës dhe disa mijëra refugjatë në zonat e sigurta të OKB-së," thuhej në letër. "Enklava u pushtua, disa mijëra njerëz u vranë apo janë zyrtarisht edhe sot të humbur - dhe batalioni holandez nuk bëri asnjë përpjekje që ia vlen të përmendet për të mbrojtur këto jetë".
Ndërsa forat e serbëve të Bosnjes avanconin në drejtim të enklavës, ushtarët holandezë fillimisht bënë një farë rezistence, por pastaj u tërhoqën. OKB-ja dhe Haga thonë se paqeruajtësit nuk mund të parashikonin atë që do të ndodhte pas pushtimit të Srebrenicës.
Por Pronk ka këmbëngulur se ka ende mjaft pyetje pa përgjigje rreth rolit të holandezëve në këtë tragjedi. "Qeveria vendosi që batalioni holandez të tërhiqej në një mënyrë të papërgjegjëshme ndaj myslimanëve," citohet të ketë thënë ai. "Pyetja kryesore është: si mund të tërhiqeshin trupat tona me gjithë përgjegjësinë që kishin."
Publiku në Holandë është i tronditur nga ngjarjet në Srebrenicë, por shumë politikanë duket se nuk e pëlqejnë mënyrën me të cilën po fajësohen ushtarët holandezë për tragjedinë. Vetëm 5 nga 150 pjestarët e batalionit holandez kanë marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të mbajtur javën e kaluar në Srebrenicë. Për më tepër, kryeministri Vim Kok pa humbur kohë ka deklaruar se kritikat e Pronk ndaj ushtarëve holandezë përpara dhe pas tragjedisë nuk përfaqësonin pozicionin e qeverisë së tij ndaj kësaj çështjeje.
Që prej pushtimit të Srebrenicës nga forcat serbe, gjykatat holandeze si edhe gjashtë komisione të pavarura kanë vendosur se nuk ka asnjë bazë për të proceduar paqeruajtësit e Srebrenicës.
Por gjatë gjithë këtyre viteve dyshimet mbi sjelljen e ushtarëve kanë mbijetuar. Këto dyshime janë ushqyer kryesisht nga disa zëra se ata kanë shkatërruar prova fotografike dhe video që i tregojnë ata duke ndihmuar forcat serbe të Bosnjes për të mbledhur myslimanët pas rënies së enklavës.
Gjatë këtyre viteve ka pasur thirrje të shumta në Holandë që kanë kërkuar një hetim të plotë mbi tragjedinë e Srebrenicës. Qeveria holandeze po pret rezultatet e dy raporteve mbi këtë çështje përpara se të vendosë për hapat e saj të ardhshme.
Një hetim i Institutit holandez për Dokumentimin e Luftës do të botohet në maj të vitit të ardhshëm. Një raport tjetër nga komiteti parlamentar Baker, i quajtur me emrin e kryetarit të tij, anëtarit social demokrat të parlamentit holandez Bert Baker, do të bëhet publik në shtator.
Seancat dëgjuese të komisionit Baker në maj dhe qershor kanë treguar se ministria e mbrojtjes ka qenë e përçarë rreth misionit të batalionit holandez. Ata që e kanë kundërshtuar këtë mision kanë pasur para sysh rreziqet e mëdha të dërgimit të një force ushtarake kaq të vogël dhe të armatosur lehtë. Disa nga përkrahësit e idesë së dërgimit të batalionit e konsideronin këtë hap si një mjet për të shmangur shkurtimet e buxhetit të mbrojtjes.
Në letrën e tyre të hapur për qeverinë, shkrimtarët holandezë thonë se seancat e dëgjimit të komisionit Baker "kanë treguar qartë se tërheqja e sigurtë e ushtarëve holandezë ka qenë më e rëndësishme se sa detyra parësore e batalionit holandez: ajo e mbrojtjes së qytetarëve dhe refugjatëve."
Në Francë MSF ka kërkuar një hetim parlamentar për të hetuar rreth sjelljes së komandantit francez të OKB-së në Bosnje në kohën e tragjedisë së Srebrenicës gjeneralit Bernar Zhanvie.
MSF dhe grupe të tjera dëshirojnë të dinë arësyen përse Zhanvie nuk kërkoi sulme ajrore të NATO-s ndërsa forcat serbe të Bosnjes kërcënonin se do të pushtonin enklavën.
Në atë kohë disa francezë ishin ndërmjet një grupi prej rreth 350 trupash të OKB-së që mbaheshin peng nga forcat serbe. MSF ka thënë se drejtuesit e serbëve të Bosnjes mburreshin se kishin marrë garanci se avionët e NATO-s nuk do të sulmonin pa një autorizim nga ana e presidentit francez Zhak Shirak.
"Kush i ka thënë Zhanvie të mos jepte urdhër [për sulmet ajrore]? Cilat kanë qenë argumentat për mosdhënien e këtij urdhëri? Ndoshta marrëdhëniet ndërmjet Zhanvie dhe Shirak janë arësyeja e bllokimit të këtij hetimi," ka thënë presidenti i MSF-së Zhan-Herve Bradol.
Oton Zimerman është gazetar me qendër në Hagë.