Tensionet E Refugjatëve Në Vojvodinë
Vazhdon armiqësia ndaj Serbëve të cilët kanë ardhur në provincë gjatë luftërave të ndryshme.
Tensionet E Refugjatëve Në Vojvodinë
Vazhdon armiqësia ndaj Serbëve të cilët kanë ardhur në provincë gjatë luftërave të ndryshme.
Milan Kuzman më parë merrte një pagë të mirë si inxhinier mekanik në qytetin Travnik në Bosnje. Por lufta e detyroi atë të largohej për në Serbi, dhe tani ka një tezgë të vogël ku shet fruta së bashku me gruan e tij në Novi Sad, kryeqytetin e provincës Serbe të Vojvodinës.
Gjatë dhjetë vjetëve të jetës së tyre si refugjatë, Kuzman dhe gruaja e tij kanë blerë një apartament dhe i kanë dërguar dy djemtë e tyre në shkollë. Rasti i tyre është diçka e jashtëzakonëshme.
Pjesa më e madhe e 200,000 refugjatëve në Vojvodinë nuk bëjnë një jetë kaq të mirë. Të ardhur nga Kroacia, Bosnja dhe Kosova, pjesa më e madhe e tyre ende mbijetojnë falë ndihmave dhe jetojnë në qendra pritjeje për refugjatët. Në klimën e vështirë ekonomike të Vojvodinës, ata përbëjnë shtresën shoqërore më të varfër.
Një anketim i kohëve të fundit nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ka treguar se banorët jo refugjatë të Vojvodinës - Hungarezë, Serbë, Kroat dhe Sllovak - ushqejën ndjenja të forta pakënaqësie ndaj refugjatëve, duke i konsideruar ata si inferior dhe dembelë. Pjesa më e madhe, thotë Dr. Vladimir Iliq, profesori i sociologjisë i cili ka drejtuar ekipin e studiuesve, do të preferonin që refugjatët të ktheheshin në shtëpitë e tyre, "apo të shkojnë kudo tjetër, mjaft që të largohen prej këtej".
Por pavarësisht armiqësisë ndaj tyre, dhe varfërinë e përgjithëshme, vetëm më pak se 5 përqind dëshirojnë të largohen.
Armiqësia rrjedh kryesisht nga konkurenca për vendet e punës, të cilat janë të pakta në të gjithë shtresat e popullsisë. Pothuajse gjysma e të anketuarve mendojnë se refugjatët kanë prioritet për marrjen e vendeve të punës në krahasim me "vendasit". Në fakt, refugjatët përbëjnë thjesht një krah më të lirë pune.
Fluksi i refugjatëve ka pasur pasoja të mëdha në Vojvodinë. Provinca ka vetëm një të pestën e popullsisë së Serbisë, por më tepër se gjysmën e refugjatëve të saj.
Fluksi i refugjatëve ka ndryshuar përbërjen etnike të provincës, duke e bërë atë më Serbe se më parë. Numri i Serbëve është shtuar, ndërsa numri i Kroatëve pothuajse është përgjysmuar gjatë dhjetë vjetëve të fundit duke arritur në rreth 40,000. Numri i Hungarezëve, Sllovakëve, Rumunëve dhe komuniteteve të tjera etnike ka rënë gjithashtu.
Një arësye tjetër për mungesën e tolerancës është kujtesa kolektive: Pjesa më e madhe e njerëzve kujtojnë se qeveria e Millosheviqit ka përdorur refugjatët e ardhur nga Serbia për të spastruar etnikisht Vojvodinën nga popullsia jo Serbe.
Në Srem, dhjetra mijëra Kroatë etnik janë dëbuar. Në fshatin Hrtkovci, refugjatët Serbë kanë zënë me forcë shtëpitë e Kroatëve dhe Hungarezëve, duke i hedhur banorët e tyre në rrugë. Kjo u ka ndodhur 350 familjeve.
Shembuj të tillë të dhunës janë kryer nga disa individë, jo nga të gjithë refugjatët. Por banorët ende e kujtojnë këtë dhe tani - në mënyrë të gabuar - ia atribuojnë dhunën të gjithë refugjatëve.
Radenko Popiq, një refugjat nga Sarajeva, thotë se këto pragjykime janë të pabaza. Ai citon një regjistrim të refugjatëve të kryer në Mars, i cili ka treguar se refugjati i zakonshëm është më mirë i edukuar se sa banorët e Vojvodinës.
Refugjatët nuk janë të dhunshëm, vazhdon ai, por janë viktimat më të mëdha të konflikteve ndërkombëtare të filluara nga elita politike e Beogradit.
Në fillim të luftës kur kanë qenë ende në Bosnje, atë e kanë vizituar paraushtarakët Serbë të Shqiponjave të Bardha. "Ata më thanë se do të më vrisnin nëse nuk bashkohesha me ta. Për këtë arësye u largova," thotë ai.
Pavarësisht tensioneve, nuk ekziston ndonjë rrezik për dhunë ndër-etnike, sipas profesor Iliqit. Natyrisht asgjë që mund të ngjasojë me periudhën e luftës, apo me atë të bombardimeve ndaj Jugosllavisë, kur avionët e NATO-s fluturonin nga Hungaria dhe kanë shkaktuar tensione të mëdha ndërmjet Hungarezëve dhe Serbëve.
Ratko Bubalo, drejtor i Qendrës Humanitare për Integrim dhe Tolerancë në Novi Sad, nuk ka dyshim që refugjatët mund të integrohen me sukses. Dhe sidoqoftë, ai thekson, se gjendja në terren nuk i lë mundësi zgjedhjeje Vojvodinës - me një përqindje të ulët të lindjeve, refugjatët janë një injeksion gjaku i ri vital, megjithëse problematik.
Jan Briza është zëvendës redaktor i së përditëshmes së Novi Sadit Dnevnik.