Të Thyesh Heshtjen

Vendimi ndaj Filipoviq ka nxjerrë në pah çështjet e krimeve të luftës dhe lirisë së fjalës në Serbi.

Të Thyesh Heshtjen

Vendimi ndaj Filipoviq ka nxjerrë në pah çështjet e krimeve të luftës dhe lirisë së fjalës në Serbi.

Tuesday, 6 September, 2005

Ky është një vendim hakmarrës dhe burracak. Duke dënuar një gazetar serb me shtatë vjetë burgim, autoritetet serbe kanë kriminalizuar zyrtarisht të vërtetën.


Miroslav Filipoviq bëhet kështu i pari gazetar i njohur i cili dënohet për spiunazh, sepse ka shkruajtur artikuj në internet. Familja, miqtë dhe kolegët e tij si edhe admiruesit e shumtë janë shumë të shqetësuar dhe të dëshpëruar nga ky lajm. Vendimi është dhënë në formën e një paralajmërimi të hapur ndaj gazetarëve të tjerë vendas - edhe ata mund të kenë të njëjtin fat si Filipoviq.


Me shumë kundërthënie, ky vendim nuk është gjë tjetër përveç se vrasja e një mesazheri. Sipas vetë gjykatësit, informacioni i botuar në pjesën më të madhe të artikujve të Filipoviq ka qenë "korrekt dhe i vërtetë". Nuk ka pasur asnjë përpjekje nga ana e gjykatës për të provuar se Filipoviq ka botuar dokumenta sekrete apo të vjedhura, apo se ka e ka marrë këtë informacion në mënyrë të fshehtë dhe të jashtëligjshme.


Filipoviq është dënuar për spiunazh edhe se "ka shpërndarë informacion të pavërtetë". Por në fakt ky rast mund të ketë shërbyer për të dënuar dhe hakmarrë ndaj saktësisë së disa raportimeve të tij mbi Kosovën, si edhe për mobilizimin ushtarak në Mal të Zi.


Krimi kryesor i Filipoviqit ka qenë se u ka dhënë (apo ka menduar t'u japë) informacion mbi mobilizimin ushtarak organizatave të huaja, Institutit për Raportimin e Luftës dhe Paqes, IWPR, dhe Agjencisë Franceze të Lajmeve, AFP. Gjykata nuk ka dhënë asnjë fakt që këto janë organizata spiunazhi - por qënia të huaj është e mjaftueshme.


Ky është një dallim që nuk mund të qëndrojë. Në botën e internetit media lokale ka mundësi të njëjta për të shpërndarë informacionin e saj në të gjithë globin. Pra, pozicioni i IWPR-së si një organizatë e huaj bie poshtë.


Media e pavarur lokale - të cilët që të gjithë varen nga lidhjet apo mbështetja ndërkombëtare - janë paralajmëruar. Ato tani përballen më një dilemë të vështirë.


Deri tani asnjë nga artikujt kryesorë të Filipoviqit nuk është botuar nga media vendase dhe artikujt e saj shpesh nuk përmendin as shkrimet e tij të botuara në internet. A nuk do të kishte më shumë efekt që të tregonin solidaritet më të madh me Filipoviqin - së pari duke ribotuar artikujt e tij kryesorë - në vend që të ushtronin kaq shumë kujdes dhe vetëcensurë? E njëjta pyetje mund t'i bëhet edhe opozitës serbe. E vetmja mënyrë e sigurtë për të luftuar sulmet ndaj fjalës së lirë është krijimi i hapësirave për më shumë fjalë të lirë.


Në vend që të sulmojnë një gazetar, autoritetet duhet të bëjnë më shumë për të ruajtur dinjitetin dhe ligjet e Serbisë duke hetuar në thellësi dhe hapur akuzat e publikuara në shkrimet e Filipoviqit për krime të kryera ndaj fëmijëve qytetarë jugosllavë në Kosovë gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s.


Në Serbi ekzistojnë shumë tabu. Dikush mund të thotë çfarë dëshiron në adresë të vetë Millosheviqit, por të prekësh një çështje të vërtetë duke rrezikuar regjimin është rreptësisht e ndaluar. Si në rastin e Zheljko Kopanjas, i cili humbi të dyja këmbët pas një atentati me bombë në makinë në Banja Luka pasi kishte shkruar mbi krimet e kryera nga serbët e Bosnjes, Filipoviq ka paguar gjithashtu një çmim të lartë për hetimet e tij mbi krimet e luftës.


Serbia duket se po shkon gjithnjë e më tepër në drejtim të kundërt nga pjesa tjetër e botës - duke bërë që edhe qytetarët e saj të largohen gjithashtu. Në ditët përpara gjyqit autoritetet nuk kanë pranuar një takim me presidencën e Bashkimit Europian në Beograd, ku do të paraqitej një kërkesë për këtë rast.


Për disa javë me rradhë ministria e jashtme e Serbisë ka hedhur poshtë përpjekjet e ish-presidentit të Finlandës Marti Ahtisari - njeriu i cili negocioi përfundimin e fushatës së bombardimeve - për të shërbyer si ndërmjetës në këtë rast. Freimut Duve, përfaqësuesi i Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë për mediat, i cili ka shprehur shqetësim për këtë rast, është akuzuar për një "agresion në media" të sponsorizuar nga CIA.


Megjithatë kjo strategji me kalimin e kohës do të dështojë. Fjala e lirë nuk humbet asnjëherë. Një profesionist i një niveli jo shumë të lartë dhe në fakt një Serb besnik është shndërruar brenda një dite në një simbol ndërkombëtar i kurajos dhe i ndershmërisë - dhe temë për një fushatë të re të diplomatëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut. Çdo ditë që Filipoviq kalon në burg përbën një provë të qartë për frikën e autoriteteve nga populli i tyre - jo nga kroatë, myslimanë, apo shqiptarë, por nga serbët.


Akoma edhe më e rëndësishme, dënimi i Filipoviq është një kujtesë konstante se heshtja ndaj natyrës së vërtetë të regjimit të Millosheviqit është thyer - dhe kur ajo çahet, nuk mund të rivendoset më.


Antoni Borden është drejtor ekzekutiv i IWPR-së.


Serbia, Kosovo
Support our journalists