Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

TË ARDHURIT E RINJ SHIHEN ME DYSHIM NË SARAJEVËN E VJETËR

Karakteri i njohur shumë etnik i kryeqytetit ka ndryshuar rrënjësisht që prej përfundimit të luftës – dhe jo të gjithë janë të kënaqur me këtë.
By Mirsad Bajtarevic

Në zemër të zonës së qytetit të vjetër në Sarajevë, fasadat e nxira të Hotel Evropa qëndrojnë si një monument i lavdisë së periudhës së sundimit austro-hungarez.


Dikur, hoteli ka qenë një pikë e preferuar takimi për banorët vendas, gazetarët, akademikë dhe intelektualë, të cilët mblidheshin gjatë mbrëmjeve të verës në kopshtin e hotelit. Por fondet e investuara në kaq shumë ndërtesa të shkatërruara që prej përfundimit të luftës së viteve 1992-95, nuk kanë prekur hotelin Evropa, i cili është dëmtuar rëndë nga zjarri i artilerisë serbe.


Ish kopshti veror i hotelit tani është një parkim për makina. “Do të ishte dicka e mirë nëse riparohej por nuk ka interes, sepse njerëzit kanë ndryshuar,” thotë roja i parkimit, duke parë rrënojat. “Askush nuk ka më nevojë për të”.


Kujtesa e Sarajevës së ri nuk është tepër larg. Vetëm njëzet metra nga hoteli i shkatërruar ndodhet Bar Central, një vend takimi i preferuar për të kamurrit e periudhës së pasluftës. Pronari – si shumë nga klientët e tij – nuk është nga Sarajeva, por nga Sanxhaku, një rajon me popullsi në shumicë muslimane në juglindje të Serbisë.


Në sytë e shumë banorëve vendas, kontrasti ndërmjet fasadës së rrënuar të hotel Evropës dhe asaj të punuar me shijë të Central është simbol i ndryshimeve të shumta të cilat kanë ndodhur në kryeqytetin e Bosnjes gjatë 10 apoo 15 vjetëve të fundit.


Ndërsa shumë njerëz të cilët kanë mbijetuar rrethimit tre vjecar të Sarajevës janë larguar më pas nga qyteti i tyre dhe janë shpërndarë në të katër anët e botës, shumë të tjerë kanë ardhur nga Sanxhaku dhe nga qytetet muslimane në lindje të Bosnjes të cilat tani janë nën drejtimin serb.


Tensionet ndërmjet banorëve të para luftës dhe të ardhurve të rinj janë të dukëshme dhe shumë nuk pranojnë të përzihen me “të tjerët”.


Disa banorë të vjetër të Sarajevës i shohin të ardhurit nga Sanxhaku si fshatarë të cilët kanë shkatërruar shpirtin dhe atmosferën e qytetit të tyre. Një dicka e zakontë është që ndërsa banorët e vjetër të Sarajevës blejnë në dyqanet e dorës së dytë, të ardhurit e rinj kanë makina të shtrenjta, blejnë në dyqanet e Versace dhe Benetton dhe përdorin telefona të shtrenjtë celularë.


Popullsia e qytetit ka ndryshuar rrënjësist. Që prej regjistrimit të vitit 1991, kur Sarajeva ka pasur 430,000 banorë, popullsia ka rënë me një të katërtën dhe një katëgori e re banorësh është shtuar – njerezit e zhvendosur.


Si rezultat, është ndryshuar krejtësisht edhe përbërja etnike. Sipas zyrës së statistikave në bashkinë e Sarajevës, numri i boshnjakëve (muslimanëve të Bosnjes) është rritur me një të tretën, ndërsa serbët dhe kroatët janë pakësuar.


“Struktura e popullsisë ka ndryshuar shumë sepse ata të cilët kanë jetuar këtu më parë janë larguar jashtë vendit,” është ankuar Senad Didareviq, një shitës suvenirësh në Qytetin e Vjetër në Sarajevë. “Dhe njerëzit e dëbuar nga qytetet e tjera gjatë luftës kanë ardhur këtu. E gjithë Podrinje [në lindje të Republikës Srpska] ka ardhur këtu”.


Arkitektura e Qytetit të Vjetër, përreth një ish tregu të vjetër të periudhës otomane e njohur si Carshija e Vjetër, reflekton imazhin e ri të qytetit. Shumë pranë njëra tjetrës tani qëndrojnë një xhami, një kishë dhe një sinagogë, dhe tingujt e lutjeve të muslimanëve përzihen në ajër me ato të këmbanave të kishës.


Duke fshirë djersën në fytyra, Mehmed Uzicanin, një tregtar lëkurës, thotë se imigracioni mund të ndryshojë traditën e bashkëjetesës paqësore në Sarajevë. “Cdo gjë ka ndryshuar,” thotë ai. “njerëzit duan të jetojnë në një qytet të madh sepse është më lehtë dhe kultura e tyre ndikon edhe mbi traditën kulturore të zonës”.


Mustafa Kubat, 74 vjec, thotë për IWPR se qyteti i tij ka arritur me vështirësi të pranojë valën e parë të refugjatëve në vitet dyzet dhe tani i duhet të përballohet me një valë të re.


“Pasojat e Luftës së Dytë Botërore ndjehen ende në Sarajevë,” thotë ai.


“Më tepër se 60,000 refugjatë kanë ardhur në atë kohë, dhe janë dashur 50 vjet që ata të mësohen dhe të pranojnë kulturën dhe rregullin e qytetit. Tani kanë ardhur edhe gjithë këta njerëz të rinj, dhe duhet të shohim se cfarë të bëjmë me ta. A do të adoptojnë ata shpirtin civil? Kjo është dicka e vështirë”.


Një personazh i njohur lokal, një llustrazhi me mustaqe i njohur si Xhaxha Misa, është edhe më i shqetësuar. Pjesa më e madhe e klientëve të tij të vjetër të cilëve u ka shërbyer për rreth gjysëm shekulli janë larguar. Me lotë që i rrjedhin nga sytë, ai thotë, “Sarajeva nuk është më si ka qenë. Edhe këpucët kanë ndryshuar bashkë me njerëzit!”


Këto mendime janë shtuar shumë, dhe jo vetëm në rradhët e njerëzve të lindur dhe të rritur në qytet. Jovan Divjak, një gjeneral i dalë në pension i lindur në Beograd, ka botuar muajin e kaluar një libër, Sarajeva – Dashuria Ime, në të cilin ai ka ngritur pikpyetjen nëse karakteri i famshëm i kryeqytetit të Bosnjes do ti mbijetojë ndryshimeve të fundit etnike.


“Si të gjithë qytetet në këtë vend, Sarajeva është bërë gjithnjë e më tepër mono etnik,” ka thënë ai për IWPR. “Nëse përpara luftës, qyteti ka pasur 44 përqind boshnjak, 32 përqind serbë dhe 17 përqind kroat – tani mbi 80 përqind e popullsisë janë boshnjak, dhe për rrjedhim nuk mund të flitet më për një qytet multi etnik”.


Divjak është ankuar se banorët tani janë nën presion për të ruajtur zakonet e grupit dominues etnik në qytet – boshnjakët. “Insistimi në një kulturë të vetme nuk ëshë e mirë, dhe kjo ka ndryshuar,” ka thënë ai.


Ndërsa shumë banorë lokal i quajnë imigrantët si biznesmenë nga Sanxhaku, të cilët po ecin me forcë përpara në qytet, pjesa më e madhe e të sapo ardhurve janë në fakt viktima të spastrimit etnik të cilët nuk kanë pasur ku të shkojnë pas luftës.


Shakatë popullore tregojnë edhe ndjenjën që mbizotëron në qytet. Në një prej tyre, një burrë ankohet një shoku të tillë se ndërtesa e tij është pushtuar nga njerëzit nga Foca, dhe më pas shton: “Vetëm unë jam nga Vishegrad!” (Të dy qytetet janë spastruar etnikisht në vitin 1992).


Për Kada Hotiq, një refugjate nga Srebrenica, në Bosnjen lindore, transferimi në Sarajevë nuk ka qenë një zgjedhje e saj por një domosdoshmëri. Ajo është larguar nga qyteti kur ai është pushtuar nga trupat e serbëve të Bosnjes në vitin 1995, të cilat kanë vrarë mbi 7,000 burra dhe djem boshnjak.


“Sarajeva është një vend i sigurtë ku kam gjetur pak qetësi. Në Srebrenicë nuk mund ta gjeja kurrë qetësinë – që na është rrëmbyer,” thotë ajo.


Ajo e di mirë se shumë njerëz nuk i duan të ardhurit e rinj. “Shumë më shohin si të huaj,” thotë ajo. “Por nuk jam fajtore që jetoj këtu”.


Saljo Mrkuliq është mishërimi i njerëzve të biznesit nga Sanxhaku të cilët kanë arritur sukses me ambicjen e tyre. Banorët e Sarajevës tregojnë shumë shaka për sipërmarrësit e tillë, dhe interesin e tyre në shitblerjen e pronave. Në një prej tyre Kësulkuqja troket në derën e gjyshes. Në vend të përfundimit të zakonshëm të përrallës, me ujkun, ajo dëgjon nga ana tjetër: “Gjyshja jote nuk jeton më këtu. Unë kam ardhur nga Sanxhaku dhe e kam blerë shtëpinë e saj”.


Mrkuliq ka hapur një hotel, të quajtur Hollyëood, në rrethinën Ilidza. Ai thotë se xhelozia është burimi i shumë prej pakënaqësisë dhe mendon se banorët e Sarajevës duhet të ndjekin shembullin e amerikanëve, të cilët kanë mirëpritur energjinë e të sapoardhurve.


“Nëse je immigrant në SHBA dhe hap një biznes të ri sa njerëz do të ngrenë vetullat?” pyet Mrkuliq.


Rifet Skrjelj, kryetar i Shoqatës së Boshnjakëve nga Sanxhaku, e cila ka rreth 8,000 anëtarë, mendon se shumë njerëz kanë ende paragjykime.


“Kjo armiqësi është reagimi i komunitetit, dhe jo vetëm ndaj nesh,” thotë ai. “Ky është një reagim tipik në Ballkan”.


Skrijelj thekson se shumë njerëz në kryeqytet punojnë për bizneset në pronësi të të ardhurve nga Sanxhaku, të cilët japin një kontribut të madh në ekonomi. “Gjithashtu nuk duhet të harrohet edhe kontributi i madh i njerëzve nga Sanxhaku në mbrojtjen e Sarajevës gjatë luftës,” ka shtuar ai.


Banorët e vjetër të Sarajevës në fakt nuk janë pakësuar aq shumë sa mendon dikush – ata thjesht nuk janë më të parët në skenën sociale. Një shembull i mirë i kësaj është Klubi i Shkrimtarëve. Ndërsa ndërtesa ka mbijetuar luftës – dhe që prej përfundimit të saj është rikonstruktuar – klientela ka ndryshuar.


“Këtu vinin shkrimtarë dhe njerëz të letrave, por këta njerëz nuk e kanë më fuqinë ekonomike,” thotë drejtuesi i restorantit Sulejman Kapiq, duke tymosur një cigare.


“Për fat të keq, gjendja e rëndë ekonomike përcakton nëse një njeri mundet apo jo të vijë në një vend si ky”.


Ai thotë se industria e mikpritjes në Sarajevë ka ndryshuar shumë, por thekson se klientët e rinj nuk janë biznesmenët nga Sanxhaku sic mendojnë shumë njerëz, por të huajt. “Për arësye se ekonomia është kaq e pazhvilluar, Sarajeva mbështetet shumë në 20,000 të huajt që jetojnë këtu. Të gjithë pronarët e restoranteve synojnë kryesisht ata,” shton ai.


Profesor Salih Foco, një specialist i sociologjisë në universitetin e Sarajevës, ka thënë se kryeqyteti është normal që të përjetojë një ndryshim të thellë pas traumës së një luftë të gjatë dhe të tmerrshme.


“Gjëja e keqe është se pjesa më vitale e popullsisë e cila ka ardhur në qytet sjell me vete edhe një kulturë më primitive. Qyteti ka humbur shumë nga vlerat e tij tradicionale, si për shembull mirësjellja,” thotë ai.


Por Ismet Didareviq, një professor i psikologjisë në universitet, thekson se gjatë gjithë historisë, banorët vendas nuk kanë mirëpritur të ardhurit e rinj. “Qëndrimi i tyre është se të rinjtë u kanë marrë dicka që u takon atyre,” thotë ai.


“Megjithatë, unë nuk mendoj se ekziston rreziku i ndryshimit të imazhit të qytetit,” shton ai. “Sarajeva ka shpirtin e saj që nuk mund të ndryshohet lehtësisht”.


Mirsad Bajtareviq është një gazetar i Radio BH 1 në Sarajevë.