Studentët Protestues Përkrahin Opozitën

Lëvizja studentore Otpor, e cila konsiderohet si grupi më i fuqishëm antiqeveritar në vend, mund të pendohet për vendimin e saj për të mbështetur opozitën serbe.

Studentët Protestues Përkrahin Opozitën

Lëvizja studentore Otpor, e cila konsiderohet si grupi më i fuqishëm antiqeveritar në vend, mund të pendohet për vendimin e saj për të mbështetur opozitën serbe.

Në një miting antiqeveritar në Beograd muajin e kaluar një grup të rinjsh nga lëvizja studentore Otpor (Rezistenca) i kanë dorëzuar flamurin e tyre drejtuesve të opozitës së bashkuar.


Ky veprim ishte tepër domethënës. Kjo ishte hera e parë që Otpor tregonte publikisht përkrahjen e saj për aleancën antiqeveritare, duke përbërë një fitore për grupin pro-opozitës në rradhët e lëvizjes ndaj atyre që kërkojnë një qëndrim më të pavarur.


Mbetet për t'u parë nëse ky ishte një vendim i zgjuar. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit disa revolta të të rinjve dhe studentëve serbë janë shtypur kur ato janë marrë në dorë nga drejtuesit e opozitës.


Partitë e opozitës janë përpjekur që prej muajsh të vendosin njerëzit e tyre në rradhët e Otpor-it dhe kanë inkurajuar një bashkëpunim më të madh, duke e dobësuar në këtë mënyrë lëvizjen.


Megjithëse aktivistët e Otpor-it hedhin poshtë me forcë se ata janë pjesë e ndonjë partie politike, ata njihen si simpatizantë të tre grupeve kryesore të opozitës: Lëvizja për Ripërtëritje Serbe, SPO; Partia Demokratike, DS; dhe Partia Demokratike e Serbisë, DSS.


Anketimet më të fundit të opinionit publik të kryer nga Instituti i Shkencave Sociale kanë treguar se një numër i madh të rinjsh serbë përkrahin Vojislav Kostunican, drejtuesin e DSS-së. Arsyeja kryesore për këtë mbështetje ka qenë "nacionalizmi i moderuar serb" i tij duke shkatërruar çdo shpresë që të rinjtë serbë të mund të kenë tejkaluar mendimet nacionaliste të prindërve të tyre.


Kostunica ka fituar përkrahjen e pjesës më të madhe të aktivistëve të rinj të Otpor-it duke abstenuar nga çdo bashkëpunim i dukshëm me Millosheviqin, në ndryshim nga drejtuesit e tjerë të opozitës. Duket se përkrahja e tij për nacionalizmin e linjës së ashpër në fund të viteve 1980 është harruar krejtësisht.


"Ne i kemi dhënë flamurin tonë opozitës, sepse mendojmë se Serbia ka nevojë për një luftë të vërtetë politike," ka thënë Ivan Vasoviq, një aktivist nga Novi Sadi. "Ky veprim nuk përbën përkrahje për ndonjë parti të veçantë, por një strategji për të cilën Otpor mendon se është ajo e duhura për momentin."


E krijuar vetëm një muaj pas përfundimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s në korrik të vitit të kaluar, lëvizja studentore Otpor është zgjeruar me shpejtësi në të gjithë Serbinë. Aktivitetet e Otpor-it kanë zemëruar regjimin - 2,000 aktivistë janë arrestuar në 20 qytete të Serbisë vetëm në muajin mars. Marrja në pyetje dhe rrahjet e studentëve nga policia janë bërë një gjë e zakonshme. Po kështu janë bërë edhe denoncimet e medias shtetërore për lëvizjen.


Në një fushatë të kohëve të fundit, 41 aktivistë janë arrestuar pasi Otpor ka vendosur rreth 600,000 postera anti-regjimit në 67 qytete për të kujtuar bombardimet e NATO-s ndaj Jugosllavisë. Policia rreh shumicën e të arrestuarve dhe u bën presion atyre për të treguar identitetin e atyre që kanë planifikuar këtë protestë.


"Regjimi ka frikë nga veprimet tona, sepse ne nuk luftojmë për pushtet, ne nuk jemi të etur për gjak dhe nuk kërkojmë hakmarrje," thotë Marko Butuliq, student nga Beogradi i fakultetit të drejtësisë. "Ata kanë frikë, sepse aktivistët e Otpor-it dëshirojnë me të vërtetë që të ketë ndryshime në Serbi.


"Ne nuk kemi iluzione për konfliktin në Kosovë, ne nuk e besojmë versionin e Millosheviqit dhe nuk dëshirojmë të kalojmë pjesën tjetër të jetës sonë me frikë nga dhuna, policia apo krimi."


Maria V nga Beogradi mendon se regjimi frikësohet se lëvizja rinore mund të shkaktojë një revolucion: "Autoritetet nuk kanë frikë për aq kohë sa ata nuk shohin masat e organizuara në rrugët e qyteteve të Serbisë. Otpor ndoshta nuk ka fuqi të mjaftueshme politike për ndryshime të vërteta, por fakti mbetet që ajo po shtrihet si një zjarr i pakontrollueshëm."


Organizatorët e Otpor thonë se rreth 50,000 të rinj serbë "janë gati të hyjnë në veprim në çdo moment". Përveç aktivistëve, prindërit e tyre, anëtarë të tjerë të familjes dhe miq janë gjithashtu të gatshëm të dalin në rrugë. "Ne mendojmë se mund të nxjerrim rreth gjysëm milion njerëz në rrugë të paktën në 15 qytete serbe," thotë një aktivist. "Askush në Serbi përveç nesh nuk është në gjendje të mobilizojë një ndjenjë të tillë anti-qeveritare. Regjimi natyrisht që nuk e pëlqen aspak këtë."


Protestat e rinisë serbe për pak sa nuk e rrëzuan Millosheviqin në vitin 1996. Marshimet e tyre të përditshme nxorën edhe njerëz të tjerë të pakënaqur në rrugë, duke bërë presion ndaj regjimit për të pranuar rezultatet e zgjedhjeve lokale në të cilat kishte triumfuar opozita.


Edhe tani ekziston mundësia që rradhët e studentëve të shtohen edhe me qytetarë të tjerë: të papunë, familjet e atyre që kanë humbur jetën në luftërat e shumta të Millosheviqit, refugjatët nga Kosova, Kroacia dhe Bosnja, pensionistët, ish-aleatë të Millosheviqit ...lista është shumë e gjatë.


Srxhan Staletoviq është bashkëpunëtor i IWPR-së nga Beogradi.


Frontline Updates
Support local journalists