Studentët Ankohen për Arsimin në Kosovë

Deklaratat e politikanëve se ata duan të reformojnë sistemin arsimor në Kosovë deri tani janë dukur si fjalë boshe.

Studentët Ankohen për Arsimin në Kosovë

Deklaratat e politikanëve se ata duan të reformojnë sistemin arsimor në Kosovë deri tani janë dukur si fjalë boshe.

Tuesday, 6 September, 2005

Kabinetet në shkollën e mesme Sami Frashëri në Prishtinë janë të pajisur më së miri me kompjutera dhe programe, por studentët ende nuk kanë mësuar se si t'i përdorin ato praktikisht, por vetëm në dërrasën e zezë. "Imagjonini sikur ky të ishte ekrani juaj," ka thënë mësuesi ndërsa klasa qeshte.


"Mësuesit nuk na çojnë në dhomën e kompjuterave, sepse kanë frikë se ne i dëmtojmë kompjuterat," ankohet Gëzimi pas përfundimit të mësimit.


Ai dhe shokët e tij të klasës nuk e kuptojnë se si mund t'i mësojnë programet e kompjuterit pa i parë apo përdorur ato. Ata e konsiderojnë këtë qëndrim, dhe të gjithë sistemin arsimor në Kosovë, si një pasqyrim të së kaluarës komuniste dhe qëndrimit totalitar të trashëguar nga brezi i vjetër i mësuesve dhe edukatorëve.


Gjatë këtyre ditëve parazgjedhore të rinjtë kosovarë janë më të shqetësuar për cilësinë e arsimimit të tyre në klasat e shkollave se mungesën e vazhdueshme të energjisë elektrike dhe ujit në qytetet dhe fshatrat e provincës.


Shumë të rinj e ndjejnë se nuk kanë mundësi të arsimohen mirë në Kosovë dhe kanë mendimin të shkojnë në shkolla dhe kolegje jashtë vendit. Nëse sistemi arsimor në Kosovë nuk do të modernizohet ndjeshëm, provinca do të humbasë burimin e saj më të madh - rininë.


"Nuk ka asnjë mënyrë për të marrë një arsimim të mirë këtu," thotë Dardani, i ulur në një kafene pas stërvitjes së basketbollit. "Shkollat vazhdojnë të punojnë në të njëjtën mënyrë si pas Luftës së Dytë Botërore."


Megjithatë, arsimimi nuk duket të jetë një nga prioritetet e partive politike, të cilat marrin pjesë në zgjedhjet lokale të kësaj fundjave. Megjithëse kanë pranuar nevojën për reforma, asnjë prej tyre nuk ka ofruar ndonjë plan konkret, apo ide rreth mënyrës se si mendojnë të arrijnë ata këtë reformë.


"Partitë e mëdha politike vetëm flasin për synime të mëdha si pavarësia, gjëra të cilat në fakt nuk janë në dorë të tyre," thotë Miloti, student i shkollës së mesme. "Ata duhet të ulen me këmbë në tokë dhe të na thonë se çfarë do të bëjnë për brezin tonë. Unë nuk mund të votoj, por a nuk janë prindërit e mi votues?"


Në një diskutim në tryezë të rrumbullakët në Radio Televizioni Kosova pjesa më e madhe e përfaqësuesve të partive politike ranë dakort se reforma e sistemit arsimor duhet të presë deri në zgjedhjet parlamentare të planifikuara për vitin e ardhshëm.


E vetmja çështje që ka të bëjë me arsimin, e cila ka marrë njëfarë vëmendje nga kandidatët, ka qenë pagat e ulta të mësuesve. Kosovarët ende kanë respekt të madh për mësuesit, të cilët kanë dhënë mësim në kushte të vështira për tetë vjetë nën dhunën dhe shtypjen e serbëve.


Në vitin 1995 rreth 400,000 studentë në të gjitha nivelet e shkollës mësonin në shtëpi private me ndihmën e rreth 20,000 mësuesve. Sistemi vetë-financohej nga "Qeveria e Kosovës" në mërgim nën kontrollin e Lidhjes Demokratike të Kosovës të drejtuar nga Ibrahim Rugova.


Këto fonde, të cilat mblidheshin për arsimim dhe ndhmën sociale, tani janë shndërruar në një çështje zgjedhore, ku të gjitha partitë kryesore akuzojnë njëra tjetrën për korrupsion.


Studentët fajësojnë mësuesit për mungesë tolerance, shkollat e këqia, mungesën e mjeteve e sistemin arsimor të vjetëruar dhe për të gjitha këto ia vënë fajin mentalitetit komunist të mësuesve dhe politikanëve.


Departamenti i arsimit në Këshillin Tranzitor të Kosovës, i cili drejton Kosovën për momentin, ka bërë disa përpjekje për të reformuar sistemin arsimor. Por mësuesit nuk kanë pranuar të pranojnë propozimet e tij.


"Sistemi bllokon mësuesit e mirë të përdorin metoda më moderne dhe interaktive të mësimdhënies," thotë Dardani.


Një nga zhvillimet pozitive të sistemit arsimor gjatë vitit të fundit ka qenë influenca e OJQ-ve të huaja të vendosura në Kosovë, të cilat kanë ndihmuar mësuesit vendas të mësojnë metodat e reja të mësimdhënies. "Prania e të huajve është e vetmja gjë që do të bindë mësuesit dhe politikanët se mënyrë e punës së tyre është e gabuar," thotë Dardani.


Agon Maliqi është student i shkollës së mesme në Prishtinë.


Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists