Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Strategjia e Rrezikshme e Raçanit

Kryeministri kroat Ivica Raçan mund të thërrasë zgjedhje të parakohshme për të nxjerrë qeverinë e tij nga koalicioni qeveritar prej gjashtë anëtarësh. Por kjo strategji mund të rezultojë shkatërrimtare.
By Drago Hedl

Gjashtë muaj pas krijimit të qeverisë së re të Kroacisë, Marko Boshkoviq, një pensionist 64 vjeçar, akoma po pret për përmirësimin e premtuar në nivelin e jetesës. Përpara zgjedhjeve Partia Social Demokrate, SDP, e kryeministrit Raçan i siguroi votuesit se do t'u paguheshin pensionet e prapambetura nga administrata e mëparshme. Por Boshkoviq ende i duhet të mbijetojë me 1,500 kunat e tij në muaj (390 marka gjermane).


Qeveria e Raçanit përballet me një betejë të ashpër që të përmbushë shpresat e mëdha të votuesve.


Në mënyrë që të arrijë rezultate në ndryshimin e gjendjes në Kroaci, Raçanit i është dashur të ndërmarrë një sërë masash jo të pëlqyeshme nga publiku - ka ulur buxhetin e policisë dhe të ushtrisë, ka lehtësuar kthimin e refugjatëve serbë në Kroaci, ka bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës, ka vonuar pagimin e borxheve ndaj pensionistëve dhe ka shtyrë për më vonë pakësimin e taksave. Si rrjedhojë, popullariteti i SDP-së ka rënë ndjeshëm që prej zgjedhjeve të muajit janar.


Administrata e Raçanit përbëhet nga gjashtë parti dhe megjithëse SDP-ja kontrollon pjesën më të madhe të posteve të rëndësishme, ministrat nga anëtarët më të vegjël të koalicionit - Partia Liberale, Partia Popullore Kroate e presidentit Stipe Mesiq dhe Federata Demokratike e Istrias - po bëhen gjithnjë e më kritikë ndaj politikave të qeverisë. Duke e kuptuar rritjen e pakënaqësisë ndaj qeverisë, këto parti po përpiqen të distancohen nga politikat më të diskutueshme të Raçanit.


Të qeverisësh me një koalicion të përbërë nga gjashtë parti të ndara - me programe dhe synime të ndryshme politike - mund të jetë e pamundur. Në një intervistë të kohëve të fundit dhënë një gazete, Zdravko Tomac, koleg i ngushtë i partisë së Ivica Raçan dhe zëvendëspresident i parlamentit kroat, ka paralajmëruar se zgjedhjet e parakohshme nuk mund të përjashtohen.


Disa mendojnë se zgjedhjet e parakohshme do të përforcojnë pozicionin e Raçanit. Ndërsa Bashkimi Demokratik Kroat në pushtet, HDZ, gjendet në krizë politike dhe popullariteti i partisë së Mesiq po rritet, zgjedhjet mund të nxjerrin fitimtare dy parti, SDP dhe Partinë Popullore, koalicioni HNS. Ky rezultat do ta lejonte Raçanin dhe Mesiqin të binin dakort për ndarjen e pushtetit politik dhe do të ndihmonte në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre.


Megjithatë thirrja e zgjedhjeve të parakohshme mund të jetë me shumë rrezik. Pas dhjetë vjetësh përkeqësimi të kushteve të jetesës, njerëzit duan të shohin dhe të ndjejnë një përmirësim të menjëhershëm.


Sukseset e Raçanit - anëtarësimi në Partneritet për Paqe, anëtarësimi i shpejtë në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe në Bashkimin Europian - nuk ka mundësi të japin ndonjë rezultat të dukshëm dhe të shpejtë për pensionistët si Marko Boshkoviq.


Pasi ka premtuar krijimin e 200,000 vendeve të punës, qeveria tani po përballet me realitetin e punëdhënësve të mëdhenj, të cilët po kalojnë vështirësi të mëdha dhe po shkurtojnë mijëra punëtorë.


Grupi i madh magazinues NAMA pritet të mbyllet brenda pak ditësh. Fabrika Xhura Xhakoviq në Slavonski Brod do të mbyllet dhe disa qindra punëtorë do të humbasin vendet e tyre.


Akoma edhe më keq, fabrika dikur e pasur DIOKOM në Split do të mbyllet. Përpara shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, DIOKOM, atëherë e njohur me emrin Jugoplastika, ishte aq e suksesshme saqë sponzorizonte një nga ekipet më të mira të basketbollit në vend. Fabrika prodhonte pjesë për fabrikën e makinave Zastava në Kragujevc, tani pjesë e Serbisë.


Disa analistë mendojnë se krahu i djathtë në Kroaci mund të shfrytëzojë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme për të nxitur trazira. Mosmarrëveshjet e brendshme në HDZ kanë nxitur një ripozicionim të së djathtës. Ekziston një mundësi e mirë që radikalët e partisë të bashkohen me Partinë Kroate të të Drejtave, një parti e ekstremit të djathtë, duke krijuar kështu një forcë politike të re të fuqishme.


Politikanët e djathtë kroatë njihen mire, sepse premtojnë shumë dhe votuesit të zhgënjyer nga dështimi i Raçanit për të përmirësuar ndjeshëm gjendjen mund të bëjnë që ata të fitojnë shumë vota.


Drago Hedl është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.