SKANDALI I TRAFIKIMIT SHQETËSON QEVERINË MALAZEZE

Presioni ndërkombëtar në rritje mund të detyrojë shumë shpejt autoritetet të rihapin cështjen e trafikimit të vajzave në të cilën janë përfshirë edhe disa zyrtarë të lartë.

SKANDALI I TRAFIKIMIT SHQETËSON QEVERINË MALAZEZE

Presioni ndërkombëtar në rritje mund të detyrojë shumë shpejt autoritetet të rihapin cështjen e trafikimit të vajzave në të cilën janë përfshirë edhe disa zyrtarë të lartë.

Mali i Zi është nën presionin ndërkombëtar në rritje për të rihapur hetimet për një skandal të trafikimit të vajzave i cili ka tronditur rëndë qeverinë.


Ekspertë ligjor nga Këshilli i Europës, KE, dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, i kanë dhënë kohë qeverisë deri më 21 tetor të kthejë përgjigje në lidhje me një dokument sekret i cili mendohet ti jetë paraqitur asaj dhe që thuhet se kritikon mënyrën e hetimit të një cështjeje të një vajze moldave e cila nëntorin e kaluar ka akuzuar zyrtarë të lartë malazez se janë të përshirë në trafikun e qenieve njerëzore.


Edhe Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe publiku i zemëruar po ushtrojnë presion mbi qeverinë në lidhje me këtë cështje.


Pavarësisht dëshmive të shumta nga viktima në fjalë dhe disa raporte mjeksore të hollësishme, në maj të këtij viti hetimet për këtë cështje janë mbyllur me justifikimin për mungesë provash.


Por analistët mendojnë se autoritetet do të pranojnë së shpejti se kanë "zbuluar prova të reja" të cilat do të lejojnë rihapjen e hetimeve për këtë cështje, duke u munduar kështu ta paraqesin ndryshimin e vendimit të tyre si një vendim të zakonshëm.


Nëntorin e kaluar, vajza e re - e cila njihet vetëm si SC për të mbrojtur identitetin e saj - është larguar nga një shtëpi publike, në të cilën ajo ishte mbajtur me forcë si një skllave, dhe është strehuar në një qendër për gratë e trafikuara në kryeqytetin Podgorica.


Sipas një raporti mbi trafikimin të bërë publik janarin e kaluar nga Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore, SC është mbajtur kundër dëshirës së saj për më tepër se tre vjet në ambjente të ndryshme në Podgorica dhe në qytete të tjera të Malit të Zi, përpara se të largohej dhe të strehohej në qendrën e Podgoricës.


Gjatë kësaj kohe, në raport thuhet se SC është detyruar të ushtrojë shërbime seksuale dhe të tjera për shumë klientë dhe trafikantë. Në raport thuhet se ajo është rrahur, djegur, droguar, përdhunuar, dhe abuzuar seksualisht deri në atë shkallë sa për disa kohë ajo nuk mundej të lëvizte dhe është mbajtur në një karrike për personat e paralizuar.


Helga Konrad, kryetare e grupit të trafikimit të qenieve njerëzore në Paktin e Stabilitetit, është takuar me SC dhe ka konfirmuar për IWPR se viktima ka qenë në një "gjendje të tmerrshme - ajo do të jetë e traumatizuar për tërë jetën".


Raporti për trafikimin përmend gjithashtu se gjatë katër javë pyetjesh nga autoritetet malazeze, SC ka treguar me hollësi eksperiencën e saj; se ajo ka identifikuar disa bare, apartamente, dhe vila ku ajo ëshë detyruar të punojë, dhe ka përmendur me emra trafikantët dhe klientë të saj - përfshirë zyrtarë të lartë dhe njerëz të njohur në fushën e biznesit në Malin e Zi.


Gjatë marrjes në pyetje, raporti thotë, se asaj i janë treguar një sërë fotosh dhe i kanë kërkuar të identifikojë personat.


Më pas policia ka arrestuar zëvendës prokurorin e përgjithëshëm Zoran Piperoviq dhe tre persona të tjerë - Irfan Kurpejoviq, Ekrem Jasaviq, dhe Barjam Orahovac - më 25 nëntor si të dyshuar në përfshirje në trafik të qenieve njerëzore.


Katër të arrestuarit kanë kundërshtuar me forcë akuzat dhe më pas janë liruar më 27 janar, në pritje të një vendimi përfundimtar nëse do të ngriheshin akuza ndaj tyre.


Kur gjykatësja hetuese, Ana Vukoviq ka qenë e bindur se kishte prova të mjaftueshme për të akuzuarit, vajza moldave është lënë e lirë të largohej nga vendi. Ajo tani jeton në një vend të papërcaktuar së bashku me dy fëmijët e saj.


Por në maj të këtij viti, prokurori i lartë i shtetit Zoran Radonjiq ka arritur në përfundimin se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për të ngritur padi ndaj të akuzuarve.


Pas një reagimi të fuqishëm nga komuniteti ndërkombëtar dhe publiku në Mal të Zi, zëvendës kryeministri i qeverisë ka kërkuar nga OSBE që ajo të hetojë këtë rast.


Sipas një burimi nga OSBE, dokumenti i paraqitur nga ky organizëm autoriteteve përmban një listë gabimesh të kryera gjatë shqyrtimit të këtij rasti dhe jep rekomandime për hapat të cilat duhen ndërmarrë tani nga qeveria.


"Ne dëshirojmë ti japim kohë autoriteteve ti përgjigjen rekomandimeve," ka thënë burimi për IWPR. "Raporti do të bëhet publik vetëm pasi qeveri të japë përgjigjen e saj".


Burimi nga OSBE ka thënë se përmbajtja e raportit po mbahet e fshehtë sepse mendohet se qeveria malazeze mund të bashkëpunojë më mirë në këtë mënyrë.


Dy ditë pas paraqitjes së raportit, konsullata amerikane në Podgorica ka dhënë gjithashtu një sërë rekomandimesh mbi mënyrën se si autoritetet duhet të zgjidhin këtë cështje.


Propozimet konfidenciale - të cilat i janë dhënë më pas medias malazeze - bëjnë thirrje që zyrtarët e përfshirë në këtë skandal të dalin para drejtësisë dhe për marrjen e masave ndaj njerëzve të dyshuar si të korruptuar në gjirin e prokurorisë.


Konrad ka thënë për IWPR se, për mendimin e saj, autoritetet kanë bërë gabim kur kanë menduar se komuniteti ndërkombëtar do ta harronte këtë skandal. "Viktima ka dhënë prova të plota para gjykatësit hetues. Për mendimin tim, ekzistojnë prova të mjaftueshme për të rihapur cështjen," ka thënë ajo për IWPR.


Dhe mendohet se qeveria do të jetë e detyruar të marrë një hap të tillë. Sipas ekspertëve ligjorë në Podgorica, zyrtarët mund të përpiqen të shpëtojnë fytyrën duke thënë se janë zbuluar prova të reja dhe se cështja duhet të rihapet.


Një ish prokuror, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë për IWPR se "Për shkak të presionit ndërkombëtar, ekziston një mundësi që dikush nga qeveria të kontaktojë policinë dhe të japë urdhër për 'zbulimin e provave të reja'. Vesna Medenica [prokurorja e përgjithëshme] do të jetë e detyruar atëherë të rihapë cështjen".


Gjykatësi i njohur Marko Dakiq ka thënë për IWPR se prokurorja e përgjithëshme Vesna Medenica gjithashtu mund të ngrejë padi ndaj Radonjiq për abuzim me pushtetin, "sepse ai ka mbyllur këtë cështje pavarësisht ekzistencës së provave të mjaftueshme".


IWPR ka kontaktuar zyrën e prokurores së përgjithëshme për të marrë një deklaratë mbi zhvillimet më të fundit, por na u tha se Medenica ishte me punë jashtë zyrës deri javën e ardhëshme.


Dragana Nikoliq-Solomon është një ndihmës redaktore e IWPR në Londër. Boris Darmanoviq është drejtues i projektit të IWPR në Podgorica.


Frontline Updates
Support local journalists