SHTOHET NOSTALGJIA PËR TË KALUARËN NËN DREJTIMIN E TITOS

Mungesa e stabilitetit ekonomik dhe social ka bërë që shumë qytetarë të ballkanit të kujtojnë me nostalgji të kaluarën me rregull dhe prosperitet (BCR No 500, 28-May-04)

SHTOHET NOSTALGJIA PËR TË KALUARËN NËN DREJTIMIN E TITOS

Mungesa e stabilitetit ekonomik dhe social ka bërë që shumë qytetarë të ballkanit të kujtojnë me nostalgji të kaluarën me rregull dhe prosperitet (BCR No 500, 28-May-04)

Kaqusha Jashari, kryetare e Partisë Social Demokrate të Kosovës, ka kujtime të bukura nga ditët kur ajo mbante pishtarin e burrit të fundit të shtetit të Jugosllavisë, presidentit Josip Broz “Tito”.


Një politikane e rëndësishme shqiptare në kohën e regjimit komunist, ajo është përzgjedhur për të mbajtur pishtarin i cili përmbante një mesazh nga rinia e kombit për presidentin, i cili ka kaluar nga Sllovenia në veri në Kosovë e Maqedoni në jug.


E gjithë kjo ka përfunduar me dorëzimin e pishtarit presidentit në stadiumin e ushtrisë në Beograd në mes të thirrjeve dhe brohoritjeve me rastin e ditëlindjes së tij më 25 maj. “Festimi i kultit të Titos ka qenë në përputhje me edukimin që kishim në atë kohë,” kujton Jashari. “Ajo ishte një festë për të gjithë, një festival rinor”.


Mendimet e Jasharit janë më të zakonëshme se sa mendojnë shumë njerëz. Ndërsa katër nga gjashtë republikat jugosllave tani janë shtete të pavarura dhe Kosova – ende teknikisht pjesë e Serbisë – po përpiqet të bëhet shteti i pestë i pavarur, shumë banorë të ish federatës, vecanërisht të vjetrit në moshë dhe ata nga pjesa e varfër e jugut, kujtojnë me nostalgji Jugosllavinë.


Për ta ajo ka qenë një kohë kur nuk mundonin ushqimi dhe vendet e punës, kriminaliteti në nivel të ulët, ndarjet etnike jo shumë të rëndësishme dhe vendimet e vështira politike merreshin nga Marshalli me uniformë, fytyra e të cilit ishte vendosur në mijëra portrete në zyra, stacione hekurrudhore, dyqane dhe shtëpi.


“Në kohën e Titos kam qenë i pasur, ka pasur fabrika dhe artizanat – kishim vende pune, kishim cdo gjë,” thotë 84 vjecari Mehdi Shabani nga Prishtina. “Standardi i jetesës ka qenë shumë më i lartë,” shton Osman Krasniqi, 62 vjec, gjithashtu banor i Prishtinës. “Më një rrogë të ulët mund të ndërtoje një shtëpi – tani nuk e bën më dot”.


Kosova ka qenë zona më pak jugosllave nga të gjitha, për arësyen e thjeshtë se ishte pjesa më pak sllave në vend. “Shqiptarët kanë qenë më pak të lidhur me Jugosllavinë se sa kombësitë e tjera për shkak se ata ishin të vetmit jo-sllavë. E vetmja e përbashkët që kishim ishte ideologjia komuniste, e cila ka qenë më pak personale se sa gjuha, kultura dhe besimi fetar,” thotë Jashari.


Ndër fqinjët sllavë në Maqedoni, ku banorët vendas jo vetëm kanë pasur punë dhe ushqim, por edhe republikën e tyre, ndjenja e simpatisë për Titon është shumë më e madhe. Ndërsa emri i Titos i shkruajtur dikur me shkronja të mëdha në shumicën e rrugëve dhe shesheve në ish Jugosllavi është hequr prej andej, në kryeqytetin maqedonas të Shkupit, shkolla më e madhe dhe më e mirë ende mban emrin “Josip Broz Tito” dhe cdo 25 maj ajo nderon figurën e tij me një ceremoni me këngë e kërcime dhe me vendosje kurorash.


Për shumë maqedonas, pavarësia e cila është shoqëruar me varfëri është një zgjedhje më e keqe se sa jeta e sigurtë në federatën e madhe slave. “Në atë kohë nuk kishte ndarje midis të pasurve dhe të varfërve, të gjithë mund të shkonin në shkollë dhe të kishin një shtëpi e një punë,” thotë Makedonska Jancevska, 62 vjece, një mesuese e gjuhës maqedonase në pension.


“Patriotizmi ushqehej në shkallë të gjerë; dhe kjo sillte respekt për cdo gjë të lidhur me unikalitetin e të gjitha kombësive dhe popujve të cilat ishin pjesë e Jugosllavisë”.


“Standardi i jetesës që gëzonim na jepte siguri ekonomike dhe shumë përfitime sociale,” kujton Petar Mojsov, 46 vjec, një llogaritar maqedonas. “Të gjithë mund të blinin një shtëpi dhe një makinë. Unë udhëtoja për të blerë në Itali. Shkoja për pushime në Greqi sa herë që doja”.


Tose Nackov, një elektricist, kujton kur qytete të tëra në Maqedoni dilnin në rrugë për të mirëpritur pishtarin e ditëlindjes që të rinj si Kaqusha Jashari nga Kosova mbanin dikur me krenari.


“Mezi prisnim ditën kur do të mbërrinte në qytetin tonë,” thotë Nackov. “Ishte si një ditë feste dhe të gjithë njerëzit mblidheshin në shesh për të mirëpritur pishtarin dhe për ta përcjellë për në qytetin tjetër”.


Entusiazmi për kujtimin e Titos është shumë i fortë në Maqedoni dhe vitin e kaluar është krijuar një shoqatë e re nga Slobodan Ugrinovski për të përkujtuar jetën e tij. 6,180 anëtarët e kësaj shoqate vizitojnë ato pak institucione të cilat mbajnë ende emrin e Titos dhe varrin e tij në Shtëpinë e Luleve në Beograd dhe vendlindjen e tij në Kumrovec në Kroaci.


Ashtu si në Maqedoni, banorët e pakënaqur në Bosnje Herzegovinën e shkatërruar nga lufta nuk i rezistojnë dot krahasimit të jetës në kohën e Titos me atë që kanë tani. Për boshnjakët, emri i Titos është kujtimi “i kohëve të mira të kaluara”.


Kulti i Titos në Bosnje në vend që të dobësohet, po forcohet. Kur autoritetet janë përpjekur kohët e fundit të ndryshojnë emrin e rrugës kryesore të Sarajevës për nder të Alija Izetbegoviq, presidentit të parë të Bosnjes së pavarur, banorët e qytetit janë ngritur në këmbë duke vendosur tabela gjatë bulevardit me fotografi të Titos dhe me parrullat “Kjo është rruga e Mareshallit Tito”. Edhe kur kanë kaluar disa muaj nga dështimi i përpjekjeve për ndryshimin e emrit, tabelat janë ende aty.


“Të rinjtë po rikthejnë sytë nga periudha e Titos sepse ai ka personifkuar prosperitetin,” thotë Adnan Koriq, një anëtar i Shoqatës Josip Broz Tito në Bosnje. “Ata e dinë se vetëm gjatë periudhës së Titos ne kemi ecur përpara gjithnjë për 45 vjet në cdo aspekt të jetës shoqërore dhe eonomike”.


Koriq mendon se boshnjakët kujtojnë me admirim kohën kur ata nuk kishin disa monedha dhe nuk u nevojiteshin disa viza për të lëvizur në atë që dikur ishte një shtet i vetëm. “Tani nuk mund të harxhojmë një serbator benzine duke udhëtuar në një vijë të drejtë dhe pa marrë më parë gjashtë viza,” thotë me të qeshur Koriq.


Në Sarajevë, imazhi i Titos është rikthyer nga bodrumet dhe dyqanet e sendeve të përdorura në bare dhe restorantet e njohura. Në Bar Tito, një vend i pëlqyr nga studentët, të rinjtë dhe profesionistët, muret janë të mbushura me shenja dhe fotografi të Titos, ndërsa kamerierët kanë veshur uniforma me firmën ende të njohur të titos. “Unë vij këtu për të menduar dhe jetuar të kaluarën,” thotë 26 vjecari Amel. “Cfarëdo që mund të thotë dikush, e kaluara jonë ka qenë më e ndritur se sa duket e ardhmja”.


Ndërsa Bosnja dhe Maqedonia kanë humbur shumë dhe nuk kanë fituar ndonjë gjë nga rrëzimi i Jugosllavisë së Titos, kujtimet janë më pak të mira në Serbinë dhe Kroacinë fqinje. Për më tepër se një dekadë nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviq, Tito është demonizuar në Serbi si një armik kroat i cili ka organizuar rënien e serbëve në Jugosllavi.


Por edhe në Serbi, zhgënjimet e dekadës së fundit, përfshirë luftërat e humbura dhe rënien e nivelit të jetesës, kanë bërë që shumë njerëz të ndryshojnë mendje. Misa Gjurkoviq, nga Instituti i Studimeve Evropiane në Beograd, thotë se rritja e nostalgjisë për kohën e Titos ka të bëjë më tepër me keqardhjen për rënien e standardid të jetesës.


“Nostalgjia për Jugosllavinë e vjetër është gjithashtu nostalgji për rregull dhe rend dhe për dinjitet,” thotë ai. “Diktatura jonë e komunizmit ‘të butë’, ka qenë në fund të fundit një sistem serioz i fuqishëm në të cilin nuk ka pasur rrëmbime, kaos dhe anarki të cilat tani për fat të keq janë dicka e zakonëshme”.


Gjurkoviq mendon se kjo nostalgji është zhvilluar edhe tek disa nga brezi i ri: “Të rinjtë sot shohin në nostalgjinë për Jugosllavinë një mjet për të protestuar ndaj së kaluarës së krimbur të viteve nëntëdhjetë, të cilën kanë trashëguar”.


Natyrisht që nuk mund të mendohet që Shtëpia e Luleve të mbyllë dyert për vizitorët tani së shpejti, megjithëse ajo është më e lënë pas dore se sa në vitet tetëdhjetë, kur diplomatë dhe kryetarë të huaj shtetesh vizitonin varrin dhe përkujtonin figurën e Titos.


Por nëse kryetarët e shteteve dhe presidentët nuk vizitojnë mauzoleumin e Titos, veteranë të luftës, anëtarë të partisë komuniste dhe organizatave jo qeveritare, OJQ, kthehen ende në ditën e lindjes së ish drejtuesit. Svetlana Ognjanoviq, zëdhënësja e Shtëpisë së Luleve, thotë se ajo pret deri 2,000 njerëz për përkujtimin e këtij viti, përfshirë një grup të madh nga Engjëjt e Ferrit nga Sllovenia (një grup motociklistësh të cilët kanë bërë një pilgrimazh të përvitshëm që prej vitit 2000).


Kryetari i OJQ-së Tito, gjenerali në pension Stevan Mirkoviq, feston këtë ditë edhe me darka të stilit partizan me fasule dhe një ripërsëritje të ceremonisë së pishtarit. Në Serbinë e veriut, Blasko Drashkiq, 73 vjec, ka bërë aq shumë në fushatën e tij për të rivendosur kujtimin e Titos, duke hapur një park të quajtur “Jugoland” pranë qytetit kufitar të Suboticës.


Mini Jugosllavia ka disa atribute gjeografike të trashëguara nga ish Jugosllavia, përfshirë një kodër me emrin e malit më të lartë, Malit Triglav, në Slloveni. Flamujt e vjetër me yjet e kuq valëviten në hyrje, ndërsa portreti i Titos është vendosur në cdo mur, në pamje të cilat Tito tregohen duke gjuajtur, duke i rënë pianos, duke lexuar, duke kërcyer dhe gjatë vizitave shtetërore. Blasko jep edhe dokumenta qytetarie për vizitorët e Jugoland, dhe deri tani ka regjistruar 2,500 persona.


Drashkiq thotë se heqja e emrit Jugosllavi ka qenë një krim. “Qeveria e Serbisë dhe Malit të Zi ka shkatërruar emrin e shtetit më të mirë, Jugosllavi, gjëja e fundit që na kujtonte ish Jugosllavinë, por pa pyetur më parë njerëzit,” thotë ai. “Unë dua ta ruaj këtë për të gjithë ata të cilët kanë nostalgji për Jugosllavinë dhe që vijnë këtu për të kujtuar me kënaqësi kohën e Titos”.


Megjithëse Draskiq thotë se vizitorët janë të të gjitha moshave, fotografitë e fetsimeve të zhvilluara atje tregojnë se Jugo-nostalgjia është më tepër një fenomen i njerëzve në moshë të madhe.


Ndër të rinjtë në të gjitha republikat, interesi është i vogël apo i kufizuar në ndonjë objekt ironik kulti, dicka si në ish Gjermaninë lindore të cilët kujtojnë të kaluarën e tyre komuniste duke ngarë makina Trabant dhe duke mbajtur shirita me sllogane komuniste.


Aca Bogdanoviq, 32 vjec, nga Beogradi, thotë se ai e respekton Titon vetëm “sepse ai ka qenë hedonisti më i madh i shekullit të 20” – një kompliment i cili nuk është shumë i pëlqyeshëm për të devotshmit e vërtetë. Ky lloj vlerësimi ironic është i pranishëm edhe në vendlindjen e Titos në Kroaci, ku vetëm një numër i vogël njerëzish i kanë mbetur besnik ideve të tij politike, ndërsa shumë të tjerë preferojnë të eksperimentojnë me motivet e Titos.


“Këto bluza i blenë kryesisht të rinjtë – ata të cilët as nuk kishin lindur kur Tito ka vdekur!” thotë një shitës në Osijek, në Kroacinë verilindore për një grumbull bluzash me fytyrën e Titos në to.


Sociologu Drazen Laliq në Zagreb thotë se ndërsa vetëm pak njerëz të kaluar në moshë mund të përshkruhen si Jugo-nostalgjikë, vihet re një shtim i interesit personal mbi Titon dhe mbi vendin që ai dikur drejtonte. Ky interes shtohet nga fakti që Kroacia tani është më koshiente për vetveten se sa ka qenë dhjetë vjet më parë.


“Pas disa vjetësh që kemi dëgjuar se ne i përkasim vetëm kulturës mesdhetare apo të evropës qendrore, tani po përballemi me faktin që edhe Kroacia i përket qarqeve të kulturës ballkanike” thotë Laliq.


“Jugo-nostalgjia ekziston por njerëzit nuk kanë nostalgji për Jugosllavinë si ish shteti i tyre,” thotë Milanka Opaciq, e Partisë Social Demokrate. “Atyre u vjen keq për cilësinë e jetesës që kanë pasur. Ata mendojnë se kanë qenë shumë më mirë, më të sigurtë dhe kanë pasur një standard më të mirë jetese dhe mbrojtje më të mirë shëndetësore se sa tani”.


Është fakt që Jugo-nostalgjia nuk shkakton më probleme pasi askush nuk beson seriozisht në rikrijimin e Jugosllavisë. Në Kroaci, ndërsa vendi shkon drejt Bashkimit Evropian, Jugosllavia konsiderohet si një gjë e së kaluarës – një projekt i dështuar i cili nuk mund dhe nuk do të rikthehet. Si rezultat, jugo-nostalgjikët në Kroaci tani shihen si romantikë, dhe jo si armiq të shtetit, sic janë quajtur gjatë periudhës së drejtimit të drejtuesit nacionalist kroat, Franjo Tugjman.


Marcus Tanner është redaktor/trajnues i IWPR për ballkanin; Dino Bajramoviq është redaktor i kulturës në të përjavëshmen Slobodna Bosna në Sarajevë; Vladimir Sudar dhe Mitko Jovanov janë respektivisht gazetarë të së përjavëshmes Reporter të Beogradit dhe së përditëshmes Dnevnik në Maqedoni; dhe Muhamet Hajrullahu, Drago Hedl e Tanja Matiq janë bashkëpunëtorë të rregullt të IWPR.


Support our journalists