SHTOHEN THIRRJET QË ASHDOWN TË DORËZOJË PUSHTETIN “PERANDORAK”

Po shtohet shqetësimi ndërkombëtar në lidhje me pushtetin e madh dhe të pakontrolluar që gëzon Përfaqësuesi i Lartë Ndërkombëtar në Bosnje.

SHTOHEN THIRRJET QË ASHDOWN TË DORËZOJË PUSHTETIN “PERANDORAK”

Po shtohet shqetësimi ndërkombëtar në lidhje me pushtetin e madh dhe të pakontrolluar që gëzon Përfaqësuesi i Lartë Ndërkombëtar në Bosnje.

Monday, 21 February, 2005

Shoqata Bosnje Herzegovina 2005 ka planet e saj për një konferencë të dytë të Dejtonit. Tetorin e ardhëshëm, dhjetë vjet pas përfundimit të ndërhyrjes ndërkombëtare ushtarake dhe diplomatike për ti dhënë fund luftës në Bosnje, grupi me qendër në Sarajevë do të ftojë ekspertë për ndërtimin e shtetit dhe vendim marrës nga e gjithë bota në Gjenevë.


Christophe Solioz, drejtor ekzekutiv i shoqatës, qëllimi i së cilës është promovimi i politikave nëpërmjet studimit dhe debatit, nuk ka asnjë dyshim mbi synimin kryesor të konferencës, të titulluar “Dhjetë Vjet pas Dejtonit dhe më Tej”.


“Zyra e Përfaqësuesit të Lartë duhet të mbyllet deri në fund të vitit 2005, dhe të dorëzojë shumicën e përgjegjësive të saj autoriteteve lokale,” ka thënë ai për IWPR.


Marrëveshja e paqes së Dejtonit, e përfunduar më 21 nëntor 1995, në një bazë ushtarake amerikane në Ohio, dhe e nënshkruar tre javë më pas në Paris, e ka përcaktuar kryetarin e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, OHR, si “autoritetin më të lartë në terren për interpretimin e kësaj marrëveshjeje në zbatimin civil të paqes”.


Megjithatë, mbetet për tu parë nëse përfundimet e konferencës së Gjenevës do të priten mirë apo jo nga Paddy Ashdown, Përfaqësuesi i Lartë që prej pranverës së vitit 2002.


Ai ka kundërshtuar thirrjet për një seri të re bisedimesh ndërkombëtare për diskutimin e së ardhmes së institucioneve në Bosnje, si edhe për zyrën e drejtuar nga ai. “Nuk bëhet fjalë për një Dejton të dytë,” ka thënë ai gjatë një interviste me IWPR pak kohë më parë.


Ish kryetari i Partisë Liberal Demokrate të Britanisë, është dakord me një strategji të përgjithëshme për ti dhënë më tepër pushtet institucioneve lokale, duke përmendur “nevojën për të nisur ndërprerjen graduale të rolit tonë këtu, dhe kalimin e më tepër përgjegjësive pushtetit lokal”.


Ai ka thënë për IWPR se “Do të shikoni se do të ngushtohet fusha e veprimit të Përfaqësuesit të Lartë. Nuk ka kuptim tu themi boshnjakevë se ‘Ju duhet të ndryshoni, ndërsa ne jo,’ kështu që edhe ne duhet të ndryshojmë”.


Ashdown e merr autoritetin nga Këshilli i Zbatimit të Paqes, KZP, i cili përbëhet nga 50 vende të cilat mbikqyrin zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Vendimet e Përfaqësuesit të Lartë, në këtë mënyrë, teorikisht, janë nën mbikqyrjen e Gjykatës së Lartë të Bosnjes dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.


Por praktikisht, KZP nuk kontrollon vendimet e tij, dhe as nuk ka përcaktuar ndonjë rregull për të kontrolluar ushtrimin e pushtetit dhe përgjegjësive të ashtuquajtura të Bonit. Këto përgjegjësi dhe pushtet i janë dhënë Përfaqësuesit të Lartë në një konferencë të KZP në Bon, në dhjetor 1997, pas dy vjet mungesë progresi politik në Bosnje.


Në fakt, fuqitë e Bonit i lejojnë Ashdown të shkarkojë presidentët, kryeministrat, gjykatësit dhe kryetarët e bashkive pa pasur nevojë të marrë lejen e ndokujt. Në qershor, për shembull, Ashdown ka shkarkuar 59 zyrtarë lokal në entitetin serb të Bosnjes, Republika Srpska, RS, pasi nuk kishin vepruar në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit.


Përvec kësaj, zyra e tij mund të vendosë veton ndaj kandidaturave për poste ministrore pa pasur nevojë të paraqesë publikisht ndonjë provë. Zyra e tij gjithashtu mund të vendosë për miratimin e ligjeve të reja dhe krijimin e institucioneve të reja pa pasur nevojë të vlerësojë koston për taksapaguesit boshnjak.


Ëolfgang Petritsch, Përfaqësuesi i Lartë ndërmjet viteve 1999 dhe 2002, thotë se pushtetet e dhëna në Bon zyrës së Përfaqësuesit të Lartë duhet të pakësohen, për shkak të mungesës së një sistemi për dhënien llogari dhe atij të kontrollit dhe balancës.


“Synimi kryesor në vitin 1997 ka qenë mbrojtja e shtetit të dobët të Bosnjes Herzegovinës në atë kohë nga gangsterët dhe elementët e tjerë destabilizues,” ka thënë ai për IWPR. “Por që prej asaj kohe ka pasur përmirësime të ndjeshme politike, dhe për rrjedhim ne duhet të pakësojmë këto pushtete, dhe, mbi të gjitha, të krijojmë mekanizma kontrolli, të cilat të mos jenë më në duart e Përfaqësuesit të Lartë”.


Doris Pack, kryetare e delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, është në një mendje me të. “Përfaqësuesi i Lartë duhet të qëndrojë në Bosnje dhe për pak kohë, por nuk duhet të përdorë të gjithë autoritetin që i kemi dhënë,” ka thënë ajo për IWPR.


Diplomatët në Sarajevë thonë se ky model – një farë zbutje e pushteteve të dhëna në Bon – mund të jetë hapi i ardhëshëm për transformimin e rolit të Përfaqësuesit të Lartë, i cili që prej vitit 2002 është gjithashtu edhe Përfaqësuesi Special i BE-së për Bosnje Herzegovinën.


Vitin e kaluar, organizata me qendër në Berlin, Inisiativa Evropiane për Stabilitet, IES, ka ngritur pikpyetje mbi legjitimitetin demokratik të OHR.


Në një raport të titulluar “Vepra e Mbretërisë Evropiane”, autorët kanë thënë se Ashdown në mënyrë të përsëritur përdor mënyra të ngjashme me ato të sunduesve britanik në Indi gjatë shekullit të 19.


Julian Braithëaite, kryetar i zyrës së komunikimit të Ashdown në atë kohë, e ka hedhur poshtë këtë raport si “një mënyrë të papërgjegjëshme për të tërhequr vëmendje”. Ai është ankuar se raporti nuk “jep asnjë kontribut për procesin e ndihmesës së Bosnjes në rrugën e saj drejt demokracisë evropiane”.


Por në intervistën e tij me IWPR, Ashdown ka pranuar se ndërsa Bosnja afrohet pranë nënshkrimit të një Marrëveshjeje për Stabilizim dhe Asocim me Bashkimin Evropian, ai apo pasuesi i tij do të përdorë gjithnjë e më pak pushtetin që gëzon.


“Do të shihni që komuniteti ndërkombëtar do të ndryshojë nga pozicioni i shoferit në atë të partnerit në këtë process,” ka thënë ai.


Duke ngulur këmbë se gjatë muajve të fundit ai nuk ka përdorur të gjithë pushtetin e tij, ai ka shtuar se “unë kam ndër mend ti përdor gjithnjë e më pak ato pushtete, dhe kjo mund të shikohet edhe nga urdhërat që kam dhënë gjatë viteve në këtë post – 69 në vitin e parë, 36 në të dytin, dhe vetëm tre në vitin e fundit”.


“Unë nuk e fsheh faktin që ndoshta më tepër se disa të tjerë, unë mendoj se ka nevojë për të ndryshuar diçka,” ka thënë Ashdown.


Ndërsa ka mosmarrëveshje mbi kuadrin kohor të pakësimit të pushtetit të OHR, një numër në rritje diplomatësh në Sarajevë janë shprehur në favor të dorëzimit të më tepër përgjegjësive institucioneve lokale.


Në prag të takimit të bordit të KZP, të përcaktuar për në fillim të dhjetorit, një abasador perëndimor në Sarajevë e ka përmbledhur diskutimin si një përplasje ndërmjet atyre të cilët kërkojnë një progres më të shpejtë dhe të tjerëve të cilët janë të kënaqur me gjendjen e tanishme.


“Ka njerëz të cilët dëshirojnë të trazojnë ujërat, ndërsa të tjerë të cilëve u pëlqen kjo gjendje,” ka thënë ky burim diplomatic.


Bisedimet për drejtimin e ardhëshëm të OHR gjatë vitit të ardhëshm pritet të kryhen në këtë takim.


Po të marrim si të qenë që Bosnja, siç parashikohet, do të përmbushë dy nga synimet e saj dhe të komunitetit ndërkombëtar – atë të nisjes së bisedimeve për marrëveshjen e asocimit dhe stabilizimit dhe anëtarësimin në programin Partneritet për Paqe të NATO-s – atëherë duket se ujërat e trazuar do të trondisin thellë edhe barkën e OHR-së.


Markus Bickel është korrespondent i Agjensisë së Lajmeve Austria dhe gazetës Der Tagesspiegel për Ballkanin me qendër në Sarajevë.


Frontline Updates
Support local journalists