Shtimi i Dhunës Kërcënon Zgjedhjet

Një valë e re vrasjesh, me motive politike ose jo, po kërcënon seriozisht mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë të planifikuara për në tetor.

Shtimi i Dhunës Kërcënon Zgjedhjet

Një valë e re vrasjesh, me motive politike ose jo, po kërcënon seriozisht mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë të planifikuara për në tetor.

Zbulimi më 6 gusht i trupit të dekompozuar të avokatit të njohur Shaban Manaj në malet pranë një fshati të boshatisur ka ushqyer zërat e dala nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) se anëtarët e saj janë vënë nën kërcënimin dhe sulmet e kundërshtarëve politikë.


Manaj, i cili ka qenë një aktivist i njohur i LDK-së në qytetin e tij të lindjes, Istog, në Kosovën perëndimore, dhe anëtar i këshillit të përgjithshëm të partisë, ishte zhdukur dy javë më parë. Provat tregojnë se trupi i tij është hedhur në një kanal dhe pastaj është djegur. Vdekja e tij e dhunëhme, së bashku me disa sulme të tjera ndaj aktivistëve të LDK-së, ka shënuar një rritje të dhunës dhe mund të rrezikojë edhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, të planifikuara për 28 tetor.


Burime zyrtare dhe policia ndërkombëtare nuk kanë përmendur arsye politike për vrasjen e Manajt. Por LDK-ja, partia e Ibrahim Rugovës, e cila zakonisht nuk është shprehur haptazi kundër autoriteteve ndërkombëtare për këto çështje, e ka drejtuar në mënyrë indirekte gishtin ndaj rivalëve të saj politikë.


Tamushja, e veja e Manaj, ka thënë në intervista të ndryshme me shtypin se ajo mendonte se dy djem të rinj me një BMW të kuqe kishin rrëmbyer burrin e saj më 23 korrik. Ajo thotë se burri i saj ishte larguar nga shtëpia në shoqërinë e këtyre dy djemve, të cilët ajo nuk i kishte parë kurrë më parë, me dëshirën e tij, mesa duket me shpjegimin për të bërë një bisedë të shkurtër në fshatin aty pranë të Klinas. Manaj kishte planifikuar atë ditë të merrte pjesë në ceremoninë për inaugurimin e një ure në fshatin Gjurakovc. Fshati i boshatisur Ozdrim ku u gjet kufoma e tij nuk është shumë larg vendit ku të rinjtë thuhet se e kanë marrë atë.


Megjithatë hetimet e policisë kanë hedhur poshtë teoritë për rrëmbimin e tij.


Deri më tani nuk ka asnjë provë që pas vrasjes së Manajt të qëndrojë ndonjë grup politik dhe administrata e Kombeve të Bashkuara ka theksuar se çdo thënie në këtë drejtim ka mbetur e paprovuar. Megjithëse janë njoftuar sulme ndaj aktivistëve politikë të partive të tjera, OKB-ja pranon se pjesa më e madhe e sulmeve është kryer kundër partisë së Rugovës.


Në fakt një sërë sulmesh të kohëve të fundit ndaj aktivistëve të shquar të LDK-së nga njerëz të panjohur e mbështesin këtë teori. Të paktën pesë drejtues lokalë të LDK-së janë sulmuar ditët e fundit, përfshirë këtu edhe gruan e një zyrtari të partisë vrarë në shtëpinë e saj në Dragash, në Kosovën jugore, si pasojë e një shpërthimi.


Menjëherë pas luftës ka patur zëra të shumta se LDK e Rugovës do të zhdukej menjëherë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) gëzonte një përkrahje të madhe emocionale, sepse kishte luftuar ndaj forcave serbe, ndërsa Rugova ishte diskredituar gjerësisht pas takimit të tij me Sllobodan Millosheviqin gjatë luftës.


Por partia vazhdon të mbetet një forcë e fuqishme politike në nivel lokal, veçanërisht në sajë të rrjetit të saj të gjerë të aktivistëve lokalë. Disa vëzhgues thonë se qëndresa e LDK-së ka bërë që ish-komandantë guerrilas të nisin një fushatë me synim kërcënimin dhe shkatërrimin e kësaj partie.


Pjesa më e madhe e sulmeve kanë përfunduar me dëmtime të lehta. Disa vëzhgues thonë se kjo është një provë që LDK po i organizon vetë këto sulme për të rritur publicitetin dhe për të fituar më shumë përkrahje nga ana e votuesve përpara zgjedhjeve të tetorit.


Një teori tjetër është ajo e përfshirjes së disa anëtarëve të LDK-së në aktivitete të ashtuquajtura biznesi "të errët'.


Manaj kishte punuar për disa raste të shqiptarëve të arrestuar përpara luftës dhe mendohet se ai ka përfaqësuar edhe të burgosur shqiptarë të cilët akoma mbahen në Serbi. Thuhet se ditën që Manaj është zhdukur ai po punonte për rastin e një shqiptari të akuzuar për krime të vogla në Pejë.


Problemi i të burgosurve shqiptarë në burgjet serbe përbën një çështje të rëndësishme të politikës së shqiptarëve të Kosovës që prej përfundimit të luftës. Po ashtu janë shtuar zërat sipas të cilave avokatët që punojnë për këto raste po fitojnë shuma të mëdha të hollash. Disa njoftime kanë bërë të ditur se familjet e të burgosurve kanë dhënë shuma të mëdha parash avokatëve dhe personave të tjerë me shpresë se ata do të sigurojnë lirimin e familjarëve të tyre - megjithëse asnjëherë nuk është përmendur ndonjë gjë e tillë për Manajn.


Anketimet e opinionit publik tregojnë se PDK, Partia Demokratike e Kosovës, e ish-komandantit të UÇK-së Hashim Thaçi dhe Aleanca për të Ardhmen e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj janë partitë më kryesore ndërmjet votuesve shqiptarë të Kosovës.


Vetë Haradinaj është plagosur në një sulm të ndodhur më 7 korrik në rrethana të paqarta, ku duket se ka qenë i përfshirë edhe një përkrahës i Rugovës. Pavarësisht nga mungesa e provave, disa analistë thonë se partia e Thaçit në fakt mund të humbasë përkrahje nëse popullsia e lodhur nga lufta dhe trazirat arrin në përfundimin se pas kësaj dhune qëndrojnë ish-anëtarë të UÇK-së.


Pavarësisht se kush duhet fajësuar, ndërsa po zë vend mendimi se pas kësaj dhune qëndron politika, çdo sulm i ri rrit tensionet ndërmjet partive dhe shton dyshimet mbi kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në tetor.


Naser Miftari është gazetar i së përditshmes Koha Ditore në Prishtinë.


Serbia, Kosovo
Support our journalists