Shqiptarët të Shqetësuar nga Arrestimet

Avokatë Shqiptarë thonë se anëtarë të pafajshëm të komunitetit të tyre po arrestohen si të dyshuar për terrorizëm

Shqiptarët të Shqetësuar nga Arrestimet

Avokatë Shqiptarë thonë se anëtarë të pafajshëm të komunitetit të tyre po arrestohen si të dyshuar për terrorizëm

Thursday, 5 April, 2001

Mësuesi Shqiptar Ismail Ibrahimi nuk e kishte menduar kurrë se një ftesë për në ministrinë e arsimit në Shkup do të çonte në arrestimin dhe burgimin e tij.


Familja e drejtorit të shkollës fillore të Tanushës është përpjekur të zbulojë vendndodhjen e tij pasi ai nuk është kthyer më nga kryeqyteti Maqedonas. Ata më në fund e kanë marrë vesh kur Stevo Pendarovski, zëdhënësi i Ministrisë së Brendëshme, ka konfirmuar arrestimin e tij në gazetën e përditëshme në gjuhën Shqipe Fakti.


Është mësuar se Ibrahimi është ndaluar nga policia e Shkupit me akuzën se në makinën e tij janë gjendur "sasi të mëdha eksplozivi dhe municioni". Sipas gjykatësit hetues, "ai po përgatiste një akt terrorist me synim rrezikimin e rendit kushtetues dhe sigurinë e Maqedonisë".


Ai përballet me akuzën për terrorizëm në bazë të Neneve 313 dhe 326 të Kodit Penal. Vëllai i tij thotë se ai është krejtësisht i pafajshëm.


Në një incident tjetër në fillim të muajit Mars, makina e Bejtulla Etemit është ndaluar nga policia në Rrugën Makedonska Brigada në Shkup. Ai është arrestuar në vend, por i ka thënë gruas së tij, Lumnijes, të kthehej në shtëpi duke i thënë që ishte i sigurtë se da ta lironin menjëherë sepse ishte thjesht një kontroll i zakonshëm.


Më vonë, një polic i veshur civil i ka thënë së shoqes se në makinën e burrit të saj është gjendur një granatë. Ajo është përpjekur të mësojë hollësi të tjera në rajonin e policisë por i kanë thënë që të shkojë në shtëpi dhe të presë një telefonatë sqaruese nga autoritetet policore.


Në fakt, më pas ka telefonuar vetë i shoqi duke i thënë asaj të gjente një avokat mbrojtës. Fillimisht ajo ishte habitur që i shoqi po i fliste në gjuhën Maqedonase, deri sa më në fund e kuptoi që atë e kishin urdhëruar të mos fliste në Shqip.


Gjyqi i tij ishte caktuar për në datën 27 Mars por është shtyrë për më vonë. Lumnija mendon se gjyqi është shtyrë sepse burri i saj është rrahur keq dhe policia nuk dëshiron ta nxjerrë në gjyq në atë gjendje.


"Avokati i tij na ka thënë se gjyqi do të zhvillohet në burgun e Shutkas," thotë ajo, "por unë nuk e kuptoj se si mund të gjykohet ndonjë njeri brenda në burg'.


Që pas shpërthimit të krizës, autoritetet Maqedonase kanë deklaruar se kryengritësit Shqiptarë nuk janë banorë të Maqedonisë por kanë ardhur nga Kosova. Kjo çështje asnjëherë nuk u është provuar apo sqaruar përfundimisht popullsisë në vend.


Është për tu habitur që ndërsa policia dhe ushtria Maqedonase deklarojnë fitore në ofensivën e tyre të fundit, kanë filluar të arrestojnë Shqiptarë nga Tetova dhe rrethinat e saj me akuza për "përfshirje në aktivitete terroriste".


Njoftimet e gazetave Maqedonase bëjnë fjalë për 22 Shqiptarë të arrestuar deri më tani. Sipas avokatëve Shqiptarë, kjo shifër është shumë më e lartë dhe thuhet se mbi njëqind njerëz janë arrestuar.


Mirjana Najçevska, presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Shkup, thotë se ajo ka informacione që policia nuk po u lejon të arrestuarve Shqiptarë të kontaktojnë me familje dhe avokatët e tyre.


"Ne u kemi bërë thirrje autoriteteve të ndjekin të gjitha procedurat dhe të mos shkelin të drejtat e njeriut", thotë ajo. "Ne kemi në plan të dërgojmë vëzhguesit tanë sapo të kemi informacion të plotë për vendndodhjen e të gjithë të arrestuarve".


Numan Limani, një avokat i cili përfaqëson disa nga këta të arrestuar, mendon se autoritetet po veprojnë në mënyrë të pakontrollueshme, duke i quajtur arrestimet e fundit si një "lojë e ndyrë".


Një klient, mësues në një shkollë fillore Beqir Sinani, është ndaluar më 20 Mars dhe akuzuar se ka pasur në zotërim një sasi të madhe eksplozivi. Por Limani është i bindur që ai ka qenë i pafajshëm sepse polici i cili gjoja ka gjetur eksplozivin as që nuk është paraqitur fare në gjyq.


Dyshimet e Limanit janë shtuar edhe më tepër kur atij i është ndaluar takimi me klientët e tij javën e kaluar. Ai thotë se arësyeja kryesore është se ata janë rrahur nga policia. Në një atmosferë të shtimit të mosbesimit ndërmjet Maqedonasve dhe Shqiptarëve etnik, lajmi i arrestimeve të shumta po shpërndahet si një zjarr i pakontrolluar në gjirin e komunitetit të Shqiptarëve. Fjalët dhe spekulimet rreth numrit të saktë të personave të ndaluar po shtojnë edhe më tepër frikën e popullsisë.


Emin Azemi është botues dhe pronar i "Fakti", një gazetë e përditëshme e pavarur në gjuhën Shqipe në Shkup.


Macedonia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists