Shqiptarët Përpiqen të Qetësojnë Perëndimin

Udhëheqësit shqiptarë në Ballkan po përpiqen të sigurojnë perëndimin se ata nuk kanë dëshirë të krijojnë një "Shqipëri të Madhe".

Shqiptarët Përpiqen të Qetësojnë Perëndimin

Udhëheqësit shqiptarë në Ballkan po përpiqen të sigurojnë perëndimin se ata nuk kanë dëshirë të krijojnë një "Shqipëri të Madhe".

Një vit pas nënshkrimit të Paktit të Stabilitetit, politikanët në Ballkan - dhe përtej tij - vazhdojnë të shprehin shqetësim për kërkesat për një Kosovë të pavarur. Ata frikësohen se shkëputja e provincës nga Jugosllavia mund të çojë në krijimin e një "Shqipërie të Madhe" dhe të rrezikojë stabilitetin në rajon.


Përndryshe liderët shqiptarë janë përpjekur të sigurojnë kolegët e tyre të huaj se ata nuk kanë në plan të krijojnë një shtet shqiptar të madh, ku të përfshihet Shqipëria, Kosova dhe ndoshta pjesë të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe bile edhe Greqisë.


Presidenti Rexhep Meidani së fundi ka deklaruar se synimi i Tiranës nuk është "ndërtimi i një Shqipërie të Madhe, por kontributi për ndërtimin e një Europe të Madhe."


Por vendosja e lidhjeve më të forta dhe më të ngushta me Bashkimin Europian dhe NATO-n do të kërkojë një bashkëpunim më të zgjeruar ndërmjet vendeve ballkanike.


Gjashtë milion shqiptarët etnikë të shpërndarë në të gjithë rajonin përbëjnë një bazë të natyrshme për një bashkëpunim të tillë. Ata kanë një gjuhë të përbashkët, shpesh kanë lidhje të ngushta familjare dhe mënyrë të ngjashme për të bërë biznes.


Me rënien e "Perdes së Hekurt" që ndante Shqipërinë me Kosovën - dy qendrat më të mëdha dhe më të rëndësishme shqiptare - ka dalë në dritë një axhendë pan-shqiptare.


Kjo gjë është mundësuar nga lidhje më të ngushta ndërkufitare ndërmjet komuniteteve shqiptare dhe përmirësimit të ndjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Shkupi, Tirana dhe Podgorica kanë treguar një dëshirë të mirë për përmirësimin e marrëdhënieve për një sërë arsyesh, që shkojnë nga një dëshirë për të pakësuar tensionet ndëretnike në vendet e tyre deri në përfitimin e një pjese sa më të madhe të ndihmës në kuadër të Paktit të Stabilitetit.


Një nga hapat e parë drejt një axhende pan-shqiptare është hedhur pak javë pas përfundimit të konfliktit në Kosovë kur kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë, Pandeli Majko, bëri thirrje për një strategji të përbashkët të arsimit të gjithë shqiptarëve në Ballkan.


Që prej asaj kohe projekti pan-shqiptar ka marrë një drejtim më të gjerë politik dhe ekonomik. Në mars të këtij viti kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë në pushtet, PSSH, Fatos Nano, ka bërë thirrje për krijimin e forumit politik pan-shqiptar për të promovuar stabilitetin rajonal dhe integrimin europian.


Forumi do të ndihmonte në koordinimin e interesave të të gjithë shqiptarëve në Ballkan dhe mbante mirë parasysh faktin që kuadri për bashkëpunim do të mbetej brenda limiteve të pranueshme të Paktit të Stabilitetit.


Propozimi i Nanos u pasua nga një takim në muajin maj ndërmjet kryeministrit Ilir Meta, Hashim Thaçit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës - pasuesja politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK - dhe Arbër Xhaferrit, president i Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni.


Ideja pan-shqiptare ka tre qëllime: të sigurojë fqinjët se projekti i "Shqipërisë së Madhe" nuk është në plan; të lehtësojë lidhjet ndër-kufitare ndërmjet shqiptarëve; dhe të nxjerrë jashtë loje kundërshtarët politikë vendas, të cilët mund të jenë të përgatitur për një ide më radikale të nacionalizmit shqiptar.


Për sa i përket axhendës së projektit pan-shqiptar, rezultatet e para janë të ndryshme. Në fushën e bashkëpunimit ndërkufitar ka patur një zhvillim të tregtisë dhe lidhjeve të tjera, veçanërisht ndërmjet Shqipërisë e Kosovës dhe ndërmjet Kosovës e Maqedonisë. Por pjesa më e madhe e këtij zhvillimi është falë ndërmarrjeve private - dhe ndonjëherë merr edhe formën e kontrabandës dhe krimit të organizuar. Deri më tani veprimet e qeverive kanë pasur pak rezultat dhe aq më pak ndihmat ndërkombëtare në kuadër të Paktit të Stabilitetit.


Pavarësisht nga marrëdhëniet e mira me fqinjët, dyshimet rreth synimeve të kësaj nisme mbeten. Ndërmjet atyre të cilët nuk janë shumë të lumtur nga ideja e nacionalizmit shqiptar dhe që ndihen edhe të kërcënuar nga kjo, ideja e pan-shqiptarizmit shihet si një version më i moderuar dhe i ri i projektit të "Shqipërisë së Madhe".


Në frontin e brendshëm të qeverisë shqiptare, ideja pan-shqiptare është përdorur për të nxjerrë zbuluar kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili vetëm tre muaj pas përfundimit të konfliktit në Kosovë paralajmëroi se nëse vendet fqinje nuk i jepnin fund trajtimit të banorëve shqiptarë etnikë në vendet e tyre si qytetarë të dorës së dytë, shqiptarët që jetojnë në të gjithë Ballkanin do të bashkohen në një federatë. Toni militant i Berishës - i përsëritur në disa raste - kontribuoi edhe në vendimin e paprecedent të Kombeve të Bashkuara për të mos lejuar hyrjen e tij në Kosovë gjatë qershorit të këtij viti.


Duke përdorur gjuhën e pan-shqiptarizmit, qeveria e drejtuar nga socialistët po përpiqet të izolojë Berishën në prag të zgjedhjeve lokale të planifikuara për këtë vjeshtë. PSSH-ja ka përdorur edhe ndihmën e Thaçit dhe Xhaferrit në këtë drejtim - e cila është e rëndësishme, sepse ata drejtojnë partitë më të rëndësishme në rradhët e shqiptarëve etnikë në Kosovë dhe Maqedoni. Edhe ata po përballen me një sfidë nga partitë e tjera shqiptare dhe dëshirojnë të paraqesin veten si të vendosur për axhendën kombëtare dhe sa më tepër imagjinativ në zbatimin e saj.


Lidhjet e vjetra, veçanërisht ndërmjet PSSH-së dhe UÇK-së, kanë ndihmuar në afrimin e këtyre dy partive. Përveç kësaj të tre partitë janë lojtarë kryesorë në administratat respektive të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Pozicioni i tyre drejtues i lë ato zbuluar ndaj kritikave nga partitë e tjera rivale shqiptare. Angazhimi për çështjen kombëtare shqiptare - dhe zbatimi nëpërmjet axhendës pan-shqiptare - janë një mënyrë me të cilën ata mund të luftojnë kritikat ndaj tyre.


Gabriel Partosh është analist i BBC-së për Europën Juglindore në Shërbimin Botëror.


Support our journalists