Shqiptarët në Mal të Zi Mbështesin Pavarësinë

Shqiptarët në Mal të Zi injorojnë partitë e tyre etnike në favor të presidentit pro pavarësisë së republikës

Shqiptarët në Mal të Zi Mbështesin Pavarësinë

Shqiptarët në Mal të Zi injorojnë partitë e tyre etnike në favor të presidentit pro pavarësisë së republikës

I ulur në një karrike të vjetër, 74 vjeçari Gjergj, një Shqiptar etnik nga Tuzi, dëgjon me vëmendje dhe aprovim një fjalim të Presidentit Malazez Milo Gjukanoviq në kuadër të fushatës elektorale.


"Unë do të votoj për këtë njeri," thotë Gjergji. "Ai më shpëtoi djemtë nga lufta".


Gjergji i referohet vendimit të Malit të Zi në vitin 1995 për të përjashtuar nga shërbimi i detyruar ushtarak në kuadrin e ushtrisë Jugosllave, duke shpëtuar shumë Shqiptarë etnik nga mundësia që mund të luftonin ndaj vëllerzërve të tyre në Kosovë.


Gjukanoviq gjithashtu ka fituar simpatinë e grupeve të pakicave etnike duke kundërshtuar Millosheviqin dhe duke ofruar strehim për mijëra refugjatë nga Bosnja dhe së fundi nga Kosova.


"Njerëzit kanë frikë," thotë Rexhepi, një 42 vjeçar Shqiptar etnik nga Tuzi. "Ata ndjehen më të sigurtë me Gjukanoviqin". Pas dhjetë vjetësh konflikt në rajon, Shqiptarët në Mal të Zi, të cilët përbëjnë 7 përqind të popullsisë, kërkojnë paqe dhe stabilitet, të cilat ata mendojnë se mund të sigurohen pas pavarësisë së Malit të Zi.


Koalicioni pro Jugosllav, i drejtuar nga aleati i vjetër i Millosheviqit Momir Bullatoviq, nuk ka arritur të bëjë për vete Shqiptarët pasi ka bërë një sërë komente anti Shqiptare.


I ulur në një kafene në qendër të Tuzit, Marku, një Shqiptar 40 vjeçar, thotë: "Ne jemi të gatshëm të sakrifikojmë të drejtat tona për një Mal të Zi të pavarur". Shokët e tij lëvizin kokën në shenjë aprovimi.


Pakica Shqiptare në Mal të Zi është përqëndruar kryesisht përgjatë bregdetit. Ulqini ka 11,000 votues Shqiptarë, Tuzi 8,000 dhe rreth 1,000 të tjerë në zonat malore në veri.


Gjukanoviq po përpiqet të fitojë me çdo kusht përkrahjen e Shqiptarëve përpara zgjedhjeve të 22 Prillit.


"Zyrtarë të qeverisë po shpërndajnë furnizime me miell dhe ushqime në zonat të cilat mbështesin Gjukanoviqin," thotë Marku. "Në këto vende po ndërtohen edhe rrugë të reja".


Mbështetja për presidentin është aq e madhe në rradhët e komunitetit Shqiptar - saqë përfaqësuesit politik të Shqiptarëve kanë akuzuar qeverinë se po ble votat e Shqiptarëve.


Partitë politike Shqiptare - të cilat janë tre - janë natyrisht të shqetësuara se ato do të humbasin votat të cilat do ti shkojnë Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit.


Strategjia e tyre ka qenë të theksojnë se vetëm përfaqësuesit politikë Shqiptarë mund të mbrojnë interesat e komunitetit të tyre. "Shqiptarët duhet të kuptojnë që ata nuk mund të vendosin për çështjet e mëdha të Malit të Zi, kështu që bëjnë mirë të përqëndrohen në interesat e tyre," thotë Luca, një 53 vjeçar Shqiptar etnik.


Por disa analistë mendojnë se kjo politikë është e gabuar. "Ata duan që njerëzit të votojnë për ta vetëm sepse janë Shqiptarë," thotë Dino Ramoviq, kryeredaktori i radios në gjuhën Shqipe në Tuz. "Ky është gabimi i parë, i dyti është dështimi i tyre për tu bashkuar në një farë koalicioni Shqiptar, gjë e cila do tu jepte më shumë mundësi për të arritur rezultat të mirë në zgjedhje".


Për më tepër, ndërsa shumë Shqiptarë do të votojnë për Gjukanoviqin, pakicat e tjera të Malit të Zi, kryesisht Muslimanët të cilët përbëjnë rreth 16 përqind të popullsisë, pritet të votojnë për partitë që kërkojnë ruajtjen e Jugosllavisë. Ata kanë frikë se pavarësia do të çonte në ndarjen e rajonit të Sanxhakut, i cili shtrihet ndërmjet Malit të Zi dhe Serbisë, ku jetojnë pjesa më e madhe e tyre.


Disa analistë mendojnë se pakicat do të luajnë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve të kësaj fundjave. Rezultati përfundimtar pritet të jetë shumë i ngushtë dhe votat e tyre priten të vendosin balancën ndërmjet partive pro pavarësisë dhe atyre federaliste.


Lindita Camajj është gazetarja e Koha Ditore e cila mbulon zgjedhjet në Mal të Zi.


Frontline Updates
Support local journalists