Shqiptarët Hedhin Poshtë KFOR-in

Marrëdhëniet ndërmjet KFOR dhe Shqiptarëve në Kosovë duket se po keqësohen me shpejtësi.

Shqiptarët Hedhin Poshtë KFOR-in

Marrëdhëniet ndërmjet KFOR dhe Shqiptarëve në Kosovë duket se po keqësohen me shpejtësi.

Kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë një vit më parë ata janë pritur nga turmat e njerëzve në festë, të cilët i përshëndesnin si çlirimtarë.


Një vit më pas marrëdhëniet janë keqësuar në atë shkallë saqë në një raport të kohëve të fundit të përgatitur nga Bashkëpunimi Civil Ushtarak i KFOR, CIMIC, thuhej se aleanca ishte e shqetësuar se forcat e saj "kishin humbur shumë besueshmërinë" në sytë e komuniteteve ndërkombëtare dhe atij lokal.


Zhgënjimi me përpjekjet e pranisë civile ndërkombëtare, veçanërisht misionin e OKB-së në Kosovë nën drejtimin e Dr. Bernar Kushner, ka disa muaj që është bërë tepër i dukshëm si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.


Dhe pavarësisht nga mirëpritja fillestare si heronj, trupat e KFOR-it nuk janë përshëndetur gjithnjë përzemërsisht në provincë. Shembulli më i dukshëm janë francezët dhe rusët, të cilët konsiderohen nga shqiptarët si pro-serb, ndonjëherë edhe më pasoja fatale.


Ngjarjet në muajin qershor shënojnë një pikë kthese në marrëdhëniet ndërmjet komunitetit ndërkombëtar dhe popullsisë së Kosovës.


Në fillim të muajit qendra e Prishtinës është mbyllur për shkak të një kërcënimi për shpërthimin e një bombe. Një kalimtar i rastit ka parë një pako të dyshimtë nën një makinë të parkuar në një nga rrugët kryesore të kryeqytetit të provincës.


Bomba e çaktivizuar nga trupat e KFOR-it kishte një rreze veprimi prej 10-15 metra. Ajo ishte vendosur përballë ndërtesave të stacionit kryesor të policisë, shtabit të batalionit të 2 dhe Qendrës për Paqe dhe Tolerancë (një OJQ serbe). Qendra e Komisariatit të Lartë për Refugjatët të OKB-së dhe Misioni i OKB në Kosovë ndodhen aty pranë.


Askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për vendosjen e bombës, e cila ishte vënë pikërisht në një vend ku mund të kishte dëmtuar shumë të huaj. Në dhjetë ditët që pasuan qendra është mbyllur edhe dy herë të tjera pas disa telefonatave të rreme.


Shumë njerëz kishin menduar se tashmë këto incidente i përkisnin të kaluarës. Rrethimi praktikisht i gjysmës së Prishtinës ka treguar se për disa njerëz lufta nuk ka mbaruar akoma - dhe stafi ndërkombëtar është vënë në shënjestër.


Dhuna në Kosovë nuk është thjesht politike. Në fund të qershorit disa punonjës të zyrës së SHBA-së në Prishtinë kishin shkuar një mbrëmje në një lokal nate të quajtur Disko 2000 - dy prej tyre janë rrahur aty dhe kanë përfunduar në spital.


Incidenti ka ndodhur pak pasi një sasi e madhe armësh, e cila sipas të dhënave do të mjaftonte për të pajisur dy kompani këmbësorie, u zbulua nga trupat britanike të KFOR-it pranë fshatit të Kleçkës në rajonin e Drenicës - zemra e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


Fati i UÇK-së është ndoshta pika më e dobët e komunitetit ndërkombëtar. Lëvizja guerrilase ishte planifikuar të çarmatosej dhe demobilizohej. Në shkëmbim është krijuar Korpusi i Mbrojtjes së Kosovës - një organizëm civil i sigurimit, ku janë anëtarësuar pjesa më e madhe e anëtarëve të UÇK-së. Korpusi është krijuar kryesisht me synimin krijimit të vendeve të punës për ish-luftëtarët guerrilas.


Kjo duhet të jetë hera e parë në historinë ushtarake që çmobilizimi ka përfshirë edhe mbajtjen e ish-luftatarëve në njësi të tipit ushtarak duke u lejuar atyre të veshin uniforma (me pak ndryshim në dukje) dhe të mbajnë armë duke transferuar pjesën më të madhe të drejtuesve nga organizimi i vjetër në atë të riun.


Rezultati është një grup njerëzish të cilët e konsiderojnë veten si ushtria e ardhme e një Kosove të pavarur. Ata janë implikuar në aktivitete të jashtëligjshme të vendosjes së rendit dhe në mbështetjen e "Ushtrisë Çlirimtare" të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit në pjesën jugore të Serbisë.


Për më tepër, një raport i Intenational Crisis Group në mars theksonte se ekzistonte mundësia që disa njësi të UÇK-së të vepronin ende. Raporti gjithashtu hidhte dyshime edhe mbi shpërbërjen e rrjetit të spiunazhit të organizatës.


Me çfarëdo emri që të njihen, UÇK-ja ende ruan shumë influencë në rradhët e shqiptarëve, veçanërisht në zonat rurale.


Në fund të qershorit arrestimi i ish-anëtarit të UÇK-së Shabit Shala shkaktoi demonstrata pranë fshatit Gryka e Llapushnikut në rrugën ndërmjet Prishtinës dhe Pejës. Protestuesit kanë mbajtur në duar parrulla ku shkruhej "Rroftë UÇK" dhe "Armët Janë Tonat" - një referencë e qartë për sasinë e armëve të zbuluara.


Këto incidente përbëjnë një tendencë edhe më shqetësuese. Nga aleatë KFOR dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë kthyer në kundërshtarë.


Kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Xhorxh Robertson vizitoi së fundi provincën ai tha se komuniteti ndërkombëtar kishte filluar të humbiste durimin me dhunën. "Nuk do të jetë e largët dita," ka thënë ai, "kur Kosova do të fillojë të humbasë mbështetjen e njerëzve për të cilët ka më shumë nevojë."


Nuk është për t'u çuditur që Robertson i ka kuptuar gjërat krejtësisht gabim. Është prania ndërkombëtare civile dhe ushtarake që ka filluar të humbasë simpatinë dhe mbështetjen e popullit për të cilën ka aq shumë nevojë nëse dëshiron që misioni i saj të jetë i suksesshëm - popullit të Kosovës.


Petrit Krasniqi është pseudonimi i një gazetari kosovar.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists