Shqiptarët e Mitrovicës Përballen me një Krizë të Shërbimit Shëndetësor

Serbët në Mitrovicë po u mohojnë shqiptarëve trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Shqiptarët e Mitrovicës Përballen me një Krizë të Shërbimit Shëndetësor

Serbët në Mitrovicë po u mohojnë shqiptarëve trajtimin e nevojshëm mjekësor.

"E di se nuk do të më kurojnë këto injeksione një herë në javë, por çfarë mund të bëj?" thotë një mesoburrë, që nuk duket shumë mirë me shëndet, në korridorin e një shtëpie të vjetër në pjesën jugore të banuar nga shqiptarët në Mitrovicë. Përgjatë mureve të dëmtuara dhe të palyera të ndërtesës nuk ka asnjë vend ku mund të ulet, ndërsa pret për të takuar mjekun.


Kjo qendër shëndetësore e improvizuar dhe një spital fushor maroken aty pranë ofrojnë të vetmet mundësi kurimi për rreth çerek milion shqiptarë. I vetmi spital në këtë zonë është ai që ndodhet në pjesën veriore të banuar nga serbët ku shqiptarët nuk mund të shkojnë.


Qyteti është një ndër pjesët më të paqëndrueshme të provincës. Pas tërheqjes së forcave serbe të sigurimit nga Kosova, popullsia serbe nga pjesë të tjera të provincës ka ardhur në pjesën veriore të qytetit. Tani Mitrovica është e ndarë në dy pjesë, sipas një ndarjeje etnike.


Shtatorin e kaluar stafi dhe pacientët shqiptarë u evakuan nga spitali. "Ne kemi punuar atje për shumë vjetë," thotë ish-drejtori i spitalit, Sinan Prekazi. "Shumë prej nesh kanë lindur në pjesën veriore të qytetit dhe shumë nga prindërit tanë kanë jetuar atje. Tani 250,000 shqiptarë të cilët jetojnë këtu nuk kanë spital dhe asnjë qendër të mirëfilltë shëndetësore ku mund të shkojnë. "Ne na sulmonin çdo ditë ndërsa shkonim në punë. Shumë prej nesh janë plagosur. Por pastaj serbët dolën në rrugë dhe protestuan se nuk ndjeheshin të sigurtë për fajin tonë!


"Më 25 shtator ne pamë dhunën e parë serioze - jo nga njerëz të panjohur në rrugë, por nga kolegët tanë serbë, pikërisht nga ata njerëz me të cilët kishim punuar për vite me rradhë. Ata na sulmuan me shkopinj dhe gurë. Shumë njerëz u plagosën."


Që prej atij momenti trupat franceze të KFOR-it i kanë ndaluar shqiptarët të shkojnë në spital duke thënë se ata nuk mund të garantojnë më sigurinë tonë. Në dhjetor administratorët e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, u dhanë serbëve një ultimatum - pranoni shqiptarët, ose nuk do të kenë asnjë ndihmë nga OKB-ja. Ky paralajmërim ra në vesh të shurdhët dhe ndihma u ndërpre përveç furnizimit me ilaçe dhe karburant për gjeneratorët.


Megjithatë Beogradi vazhdon të furnizojë dhe pajisë spitalin. Sipas stafit lokal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Beogradi paguan paga më të larta se sa UNMIK dhe më të larta se sa për shërbimin shëndetësor në vetë Serbi.


Në spitalin fushor - në një gjendje shumë më të mirë se qendra e improvizuar - një rradhë e gjatë dhe e zhurmshme njerëzish presin për t'u vizituar e mjekuar nën vëzhgimin e ushtarëve marokenë.


"Ky nuk është spital, por është më mirë se asgjë," thotë një i ri i ulur në korridorin e katit të dytë. Nëse ushtarët nuk do të vishnin bluzat e bardha mbi uniformat e tyre ushtarake, do të ishte e vështirë të besoje se lufta ka mbaruar.


Ushtarët nuk flasin shqip. Pacientët nuk kuptojnë arabisht. Doktorët marokenë kanë mësuar pak shqip. Njerëzit komunikojnë edhe me shenja. "Edhe përkthyesit kanë problem me gjuhën tonë," thotë me shaka një shqiptar.


Këto probleme komunikimi detyruan shqiptarët të ngrejnë një qendër mjekësore të tyren. Ndërtesa ka katër ndarje: gjinekologji, pediatri, kirurgji e një laborator dhe asnjëri prej këtyre departamenteve nuk është i pajisur mirë. Akoma nuk ka krevate spitalore për pacientët që vuajnë nga tuberkulozi apo sëmundje të tjera. Mesatarisht spitali trajton rreth 50,000 njerëz në muaj. "Kjo mjafton për të krijuar një ide për kaosin që ekziston këtu," thotë Prekazi.


"Është kaq ngushtë saqë ka pasur raste që disa gra kanë lindur në rrugë. Të tjerë kanë vdekur, sepse nuk kemi mundur t'i çojmë në spital në Prishtinë."


Qeveria franceze dhe Medicine Sans Frontiers kanë ofruar një ndihmë, por askush akoma nuk ka gjetur një zgjidhje përfundimtare. "Kanë ardhur shumë OJQ," thotë Prekazi. "Ata na parashtrojnë projektet dhe zhduken përsëri."


Albert Ademi është gazetar i gazetës Epoka e Re në Prishtinë.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists