Shqiptarët Përçahen për Ligjin e Arsimit

Partitë politike shqiptare në Maqedoni janë gjithnjë e më të përçara për politikën e qeverisë për arsimin e lartë.

Shqiptarët Përçahen për Ligjin e Arsimit

Partitë politike shqiptare në Maqedoni janë gjithnjë e më të përçara për politikën e qeverisë për arsimin e lartë.

Tuesday, 6 September, 2005

Një ligj i ri për arsimin në Maqedoni ka thelluar ndarjen ndërmjet dy partive politike më të mëdha shqiptare në vend.


Në qendër të mosmarrëveshjeve për ligjin për arsimin është çështja e pazgjidhur e Universitetit të Tetovës. Që prej krijimit të tij pesë vjetë më parë institucioni jozyrtar i gjuhës shqipe, ku thuhet se ndjekin studimet 10,000 studentë dhe japin leksione 400 profesorë, ka përbërë një burim tensionesh politike.


Autoritetet në mënyrë të vazhdueshme janë përpjekur ta mbyllin institucionin - i krijuar nga intelektualë shqiptarë etnikë nga universiteti i Prishtinës - por përpjekjet e tyre kanë dështuar. Gjatë këtyre viteve disa njerëz janë vrarë dhe disa dhjetra janë plagosur në përleshjet ndërmjet policisë nga njëra anë dhe studentëve e stafit akademik nga ana tjetër.


Për komunitetin shqiptar institucioni është një simbol i rëndësishëm i kërkesës së tyre për barazi kulturore dhe gjuhësore - ata kërkojnë një status të njëjtë me universitetet maqedonase të cilat financohen nga shteti.


Megjithatë shumë maqedonas e konsiderojnë institucionin në gjuhën shqipe si hapin e parë drejt shkëputjes së rajonit me popullsi dërrmuese shqiptare të Maqedonisë perëndimore.


Ligji, i cili u miratua më 25 korrik, përfshinte edhe një propozim nga Komisioneri i Lartë i OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Maks Van Der Shtul, për një institucion të arsimit të lartë shumëgjuhësh, të financuar nga komuniteti ndërkombëtar, me drejtim kryesisht në trajnimin e mësuesve, menaxhim biznesi dhe të administratës publike.


Universiteti i ri do të kërkojë fonde prej rreth 50 milion marka gjermane për katër vjetët e ardhshëm. Bashkimi Europian dhe SHBA do te jenë dy nga financuesit kryesorë të këtij projekti.


Universiteti i Tetovës praktikisht do të anashkalohet nga një institucion i tillë, i cili do të tejkalojë edhe çështjen nëse institucionet e arsimit të lartë të cilët japin mësim në gjuhë të tjera përveç maqedonishtes duhet të marrin financime nga shteti.


Sipas ligjit të ri, shqiptarët do të jenë në gjendje të studiojnë në gjuhën e tyre në universitetin e ri të financuar privatisht, por diplomat e tyre nuk do të njihen derisa ata të japin edhe një provim shtesë në maqedonisht.


"Ligji është një pjesë e rëndësishme e strategjisë që synon të reformojë sistemin arsimor," ka thënë ministri i arsimit Gale Galev. "Ka ardhur kohë që politizimi i arsimimit të minoriteteve të marrë fund."


Ligji është miratuar edhe me përkrahjen e partisë shqiptare PDSH, partnere në koalicionin qeveritar. Ky hap përfaqëson një ndryshim të madh për partinë, e cila në kohën kur ka qenë në opozitë ka kërkuar gjithnjë një universitet në gjuhën shqipe të financuar nga shteti.


Pjesa më e madhe e deputetëve të partisë shqiptare PPD të opozitës u largua nga seanca përpara votimit. Ata kanë thënë se shqiptarët kishin të drejtë për të patur një institucion të arsimit të lartë të tyre të financuar nga shteti meqënëse ata paguajnë taksat. Deputeti i PPD-së Sefedin Haruni tha se ligji i ri i miratuar i trajton shqiptarët si "imigrantë" dhe ka paralajmëruar se ata shumë shpejt do të fillojnë të largohen nga vendi.


Ndërsa është përballur me një kundërshtim nga popullsia shqiptare, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë kundër ligjit të arsimit, drejtuesi i PDSH-së Arbër Xhaferri po përpiqet të zbusë edhe marrëdhëniet me aleancën qeveritare. Ai ka frikë se partnerët maqedonas të koalicionit, VMRO-DPMNE, mund të ashpërsojnë politikën e tyre mbi çështjet etnike në mënyrë që të shtojnë shanset e tyre për fitore në zgjedhjet e ardhshme lokale.


VMRO-DPMNE ka pësuar një rënie në nivelin e popullaritetit të saj, pjesërisht për shkak të asaj që maqedonasit etnikë e konsiderojnë si lëshime të mëdha bërë komuniteteve të minoritetit.


Përpara votimit partia e Xhaferrit ka bojkotuar protestat në qendrat kryesore shqiptare, ku kërkohej njohja e plotë e Universitetit të Tetovës. Këto mitingje proteste kanë shënuar edhe rikthimin në politikën aktive të një ish-aktivisti të PDSH-së, Rufi Osmani.


Osmani u dënua me shtatë vjetë burgim në verën e 1997, sepse ka ngritur një flamur shqiptar në ndërtesën e bashkisë së Gostivarit. Ai u largua nga PDSH për shkak të kësaj çështjeje dhe u lirua nga burgu me një amnisti të përgjithshme të shpallur nga qeveria e re në vitin 1999.


Osmani është tani profesor në Universitetin e Tetovës dhe gëzon një popullaritet të madh në popullsinë shqiptare për shkak të qëndrimeve të tij radikale. Kjo çështje e rëndësishme e universitetit mund t'i lejojë atij të ndërtojë bazën e tij të përkrahësve përtej dy partive kryesore shqiptare dhe të përbëjë kështu një sfidë serioze ndaj ish kolegëve të tij të DPA-së.


Veton Latifi është gazetar shqiptar nga Maqedonia.


Macedonia
Frontline Updates
Support local journalists