SHQIPËRI: THELLOHET NDARJA VERI-JUG
Ndërsa investimet dhe turizmi drejtohen kryesisht në qytetet e jugut, pjesa rurale e veriut të vendit ndjehet e abandonuar.
SHQIPËRI: THELLOHET NDARJA VERI-JUG
Ndërsa investimet dhe turizmi drejtohen kryesisht në qytetet e jugut, pjesa rurale e veriut të vendit ndjehet e abandonuar.
Hile Gjon Peraj, 43 vjeç, rrit tetë fëmijët e saj në errësirë të plotë në Fierzë, sepse shtëpia e saj e vogël në rajonin e Tropojës nuk ka energji elektrike.
Burri i Hiles, Gjoni, është vrarë nga një i afërm i familjes disa vjet më parë për çështje pronësie.
Hilja i rrit fëmijët e saj – të moshës nga dy muaj deri 18 vjeç - me shumë mundime, me një ndihmë sociale nga shteti prej rreth 30 dollarë amerikan në muaj, pak kokë bagëti dhe ca fruta e perime të cilat i rrit në kopshtin e saj. As që nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë vend pune me rrogë. “Ferma shtetërore për të cilën kam punuar më parë nuk ekziston më,” thotë ajo.
Pak metra larg shtëpisë së saj, 78 vjeçari Mani jeton gjtihashtu në varfëri të plotë. Fëmijët e tij kanë emigruar prej kohësh në Itali dhe ai e gruaja e tij jetojnë me ndonjë para që u dërgojnë ata. Vetëm natyra ka qenë bujare me ta, thotë ai me nënqeshje ironike: “Ajo na jep diçka për të ngrënë në verë dhe drup për tu ngrohur në dimër”.
Në zonën veriore malore të Shqipërisë, shumë familje jetojnë pothuajse në një varfëri mesjetare, kushte të cilat janë pasojë e disa dekadave mungesë vëmendjeje, investimesh, dhe tani migracionit në shkallë të gjerë në drejtim të qyteteve.
“Rinia është larguar nga veriu,” thotë Halili, një ish mësues nga qyteti i vogël i Pukës. “Këtu nuk ka më asgjë për ta. Nuk ka as punë dhe as argëtim”.
Migracioni nga fshatrat në drejtim të qyteteve nuk është i kufizuar vetëm në veriun e Shqipërisë. Sipas Institutit të Statistikave në Tiranë, shpërndarja e popullsisë në Shqipëri ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore gjatë viteve të fundit, me lëvizje të mëdha të popullsisë nga fshatrat në drejtim të qyteteve, në kërkim të punës dhe mundësive për arsimim.
Pjesa më e madhe e atyre me arsim të lartë janë larguar. Sipas të dhënave të institutit të statistikave, mbi 70 përqind e atyre të cilët përfundojnë shkollat e mesme largohen për në Tiranë. Të tjerët largohen për të provuar fatin jashtë vendit.
Pjesa veriore e vendit ka vuajtur më tepër nga këto ndryshime, kryesisht për shkak të mungesës investimeve të reja publike apo private, në ato zona të cilat janë konsideruar gjithnjë të largëta.
Sipas ekspertit të ekonomisë Genc Ruli në Tiranë, investimet në bizneset e vogla janë rreth 30 përqind më të pakta se në pjesën qendrore dhe veriore të vendit.
Gjendja e infrastrukturës në veri është gjithashtu më e keqe. I vetmi investim i ri i rëndësishëm në këtë drejtim është autostrada e re e planifikuar e cila do të lidhë qytetin port të Durrësit me Prishtinën dhe do të kalojë nëpërmjet Milotit, Pukës dhe Kukësit.
Është e vështirë të sigurohen informacione të sakta për problemet sociale të veriut në një vend ku të dhënat zyrtare janë të pakta. Por një zyrtar i ministrisë së punës dhe mbështetjes sociale ka thënë për IWPR se ai mendonte se banorët e zonave rurale në veri shpenzojnë rreth 80 dollarë amerikan në muaj, krahasuar me 130 në pjesën qendrore dhe jugore të vendit, ku turizmi është më i zhvilluar, dhe shumë njerëz kanë më tepër të ardhura falë punës në Greqinë fqinje.
Sipas studimeve të kryera nga PNUD, vetëm 45 përqind e forcës aktive të aftë për punë, punon në qytetin më të madh të veriut, Shkodër. Atje, emigracioni është burimi më i madh i të ardhurave.
Edmond Dragoti, një psikolog nga Tirana, thotë se njerëzit largohen nga veriu jo vetëm për shkak të largësisë gjeografike por edhe sepse qeveritë nnë përgjithësi nuk kanë zbatuar asnjë politikë e cila të nxisë integrimin e tij në pjesën tjetër të vendit.
Gjakmarrja është gjithashtu një simbol dhe faktor i prapambetjes së vazhduar të veriut.
Shumë prej atyre familjeve të cilat janë të përfshira në gjakmarrje qëndrojnë të mbyllura në shtëpitë e tyre, ndërsa fëmijët janë të izoluar dhe nuk munden as të ndjekin shkollën. Sipas Lidhjes Kombëtare për Pajtimin, një OJQ e cila vepron në fushën e pajtimit të gjaqeve, mbi 500 familje në Shkodër janë të detyruara të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, nga frika e gjakmarrjes.
Forca e këtij fenomeni të prapambetur i atribuohet kryesisht sistemit të vjetër të dhënies së drejtësisë në mënyrë popullore, të njohur me emrin Kanuni i Lekë Dukagjinit.
Por funksionimi i keq i institucioneve dhe keqësimi i kushteve ekonomike janë arësye të forta për vazhdimin e kanunit të Lekë Dukagjinit. “Gjakmarrja po shtohet për shkak të varfërisë dhe papunësisë në rritje,” thotë për IPËR, Lulzim Nekcaj, një analist nga Shkodra.
Adem Shehu, një historian nga Tirana, thotë se veriu ka qenë historikisht një rajon me probleme. “Historikisht, ka pasur ndryshime të mëdha ndërmjet veriut dhe jugut të vendit,” thotë ai, duke shtuar se jugu ka qenë më i zhvilluar ekonomikisht dhe nga ana kulturore, sepse ka qenë edhe baza e familjeve të mëdha të bejlerëve, shumë prej të cilëve kanë vendosur marrëdhënie të forta ekonomike dhe sociale me perëndimin.
Kur në fillimet e shekullit të 20 shumë banorë të jugut kanë emigruar për në Francë apo SHBA, këto marrëdhënie janë forcuar edhe më tepër. Në veri, vetëm Shkodra ka zhvilluar marrëdhënie të tilla me perëndimin, thotë Shehu.
Fadil Kraja, një shkrimtar i cili jeton në Shkodër, thotë se veriu ka pasur gjithnjë një potencial tepër të madh natyror dhe njerëzor, por elita drejtuese nga jugu nuk ka bërë asnjëherë përpjekje për shfrytëzimin e tyre. Megjithëse pjesa më e madhe e mineraleve dhe burimeve të tjera natyrore gjenden në veri, ato nuk janë zhvilluar.
Megjithatë, veriu ka pasur momentet e tij pozitive në histori, veçanërisht në vitet 1920 dhe 1930, gjatë sundimit të Mbretit Zog, familja e të cilit ka qenë me origjinë nga Mati. Gjatë sundimit të tij, janë bërë përpjekje për përmirësimin e infrastrukturës në veri, duke ndërtuar disa ura dhe një aeroport rajonal. Veriorët kanë pasur më shumë poste drejtuese në qeveri, veçanërisht në ushtri.
Por revolucioni komunist pas Luftës së Dytë Botërore i ka ndërprerë këto përpjekje. Enver Hoxha, drejtuesi komunist i vendit, ka qenë me origjinë nga jugu dhe ka favorizuar jugorët duke u dhënë postet drejtuese në qeverisje.
Sipas Institutit për Integrimin e ish të Burgosurve Politik me qendër në Tiranë, pjesa më e madhe e atyre të cilët janë burgosur për arësye politike kanë qenë nga veriu, ku qëndresa anti komuniste, veçanërisht në zonat malore, ka qenë më e fuqishme.
Gjatë periudhës së komunizmit, në pjesën veriore të vendit janë ndërtuar disa hidrocentrale të mëdhenj ndërsa industri të tjera të mëdha kanë hapur vende të reja pune. Por pas rrëzimit të komunizmit, pjesa më e madhe e tyre janë mbyllur, duke lënë të papunë disa mijëra vetë.
Tranzicioni në ekonominë e tregut ka shpejtuar largimin e njerëzve nga veriu për në Tiranë dhe Shqipërinë e mesme.
Besnik Aliaj, drejtor i Zhvillimi dhe Habitat, një OJQ me qendër në Tiranë e cila punon në fushën e legalizimit të ndërtimeve të paligjëshme në Tiranë nga të ardhurit nga veriu, thotë se kjo lëvizje e madhe e njerëzve shumë shpesh nuk ka qenë diçka e mirë për të ardhurit pasi ata janë të detyruar të jetojnë në shtëpi të pasigurta dhe u mungojnë pothuajse të gjitha shërbimet e nevojëshme.
Azgan Haklaj, deputet në parlamentin shqiptar nga rrethi verior i Tropojës, thotë se migracioni është mënyra më e mirë që njerëzit të përmirësojnë jetën. “Ardhja në Tiranë është një zhvillim i rëndësishëm pozitiv për ta,” thotë Haklaj, duke përmendur si arësyen kryesore mundësinë për punësim.
Miri Hoti, rektori i universitetit të Shkodrës, megjithatë, paralajmëron për rrezikun e rrjedhjes së trurit nga veriu: “Këto lëvizje kaq të mëdha të popullsisë kanë anë të mira por edhe të këqia. Largimi i këtyre njerëzve është gjë e mirë sepse ka më pak njerëz që kërkojnë punë, por në të njëjtën kohë po largon edhe pjesën më të mirë të njerëzve nga qyteti.
“Qeveria dhe shoqëria civile duhet të mendojnë për lehtësira dhe mënyra për të nxitur intelektualët dhe profesionistët e mirë të qëndrojnë këtu”.
Disa organizma ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe agjensi të tjera perëndimore për zhvillimin, kanë filluar të përqëndrojnë vëmendjen e tyre në veri të vendit, për të zgjidhur disa nga problemet më emergjente të rajonit.
Diplomatë nga Britania, Norvegjia dhe disa vende të tjera perëndimore kanë vizituar kohët e fundit pjesën veriore të vendit. Një ndër projektet më të rëndësishme të zhvillimit në këtë zonë po financohet nga PNUD, dhe ka për qëllim çarmatimin e popullsisë lokale dhe çminimin e zonës kufitare me Kosovën. “Është një ndër projektet më të rëndësishme për ne,” thotë Prel Ndoca, kryetari i komunës së Hasit. “Ne po heqim nga duart e njerëzve armët dhe po marrim fonde për ndërtimin e shkollave dhe rrugëve për komunitetin”.
Por megjithë disa arritje në veri, pjesa më e madhe e vëzhguesve mendojnë se kjo pjesë e vendit do të ketë një mundësi për prosperitet dhe jetë më të mirë vetëm kur vendi të ketë vendosur lidhje më të fuqishme me Evropën, gjë të cilën e presin me padurim të gjithë shqiptarët.
Suela Musta është gazetare e Top Albania Radio.