SHQIPËRI: LUFTA PËR PUSHTET DREJT FUNDIT

Kongresi i ardhëshëm mund të jetë shansi i fundit i kryeministrit Nano për të bërë të heshtin kritikët e tij reformatorë dhe për të shmangur zgjedhjet e parakohëshme.

SHQIPËRI: LUFTA PËR PUSHTET DREJT FUNDIT

Kongresi i ardhëshëm mund të jetë shansi i fundit i kryeministrit Nano për të bërë të heshtin kritikët e tij reformatorë dhe për të shmangur zgjedhjet e parakohëshme.

Tuesday, 6 September, 2005

Analistët mendojnë se rivaliteti në rritje ndërmjet dy drejtuesve të fuqishëm të Partisë Socialiste të Shqipërisë në pushtet, PSSH, po kërcënon të sjellë zgjedhje të parakohëshme të cilat partia ka shumë pak mundësi ti fitojë.


Sipas analistëve kongresi i partisë muajin e ardhëshëm - ku do të zgjidhet drejtuesi i ri i saj - ose mund të zgjidhë mosmarrëveshjet një herë e mirë ose të shkaktojë humbjen e kontrollit të PSSH në parlament, dhe zgjedhje të përgjithëshme të parakohëshme.


Një luftë e ashpër ndërmjet kryetarit të partisë në pushtet, kryeministrit Fatos Nano, dhe ish ministrit të jashtëm të qeverisë së tij, Ilir Meta ka penguar dhe vështirësuar veprimtarinë e qeverisë që prej disa muajsh.


Në garën e ardhëshme për postin e kryetarit të partisë, Nano, i cili ka drejtuar partinë gjatë 12 vjetëve të fundit, do të sfidohet nga ish presidenti i Shqipërisë dhe anëtar i PSSH, Rexhep Meidani, i cili ka njoftuar kandidaturën e tij për postin e kryetarit të partisë javën e kaluar. Kryetari karizmatik i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili është anëtarësuar pak ditë më parë në parti, gjithashtu përflitet si një kandidat i mundëshëm për postin e kryetarit të partisë. Deri më tani, reformatori Meta nuk ka shprehur ndonjë dëshirë për të kandiduar.


Pavarësisht se kush do të fitojë në kongres, prioriteti i tij do të jetë të ketë mbështetjen e të gjithë deputetëve të PS në parlament - sepse nëse kryetari i ri i partisë nuk arrin të sheshojë mosmarrëveshjet në gjirin e partisë, atëherë vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohëshme.


Nano, një politikan me eksperiencë që nga kohat e komunizmit, dhe Meta, i preferuari i komunitetit ndërkombëtar, i cili ka qenë përgjegjës për mbikqyrjen e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, kanë pasur mosmarrëveshje të thella që kur ky i fundit ka dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit të jashtëm në korrik të 2003.


I riu popullor Meta, ka nisur një seri sulmesh ndaj Nanos, duke e akuzuar atë për korrupsion dhe për krijimin e një administrate me njerëz të afërt të tij, por kryeministri ka kundërshtuar vazhdimisht të gjitha akuzat.


Meta është mbështetur nga një grup prej rreth 15 deputetësh të PS në parlament, të cilët kanë votuar dy herë kundër propozimeve të Nanos në parlament. Ata kanë bashkuar votat e tyre me Partinë Demokratike, PDSH, të opozitës, për të bllokuar veprimtarinë e qeverisë.


Meta dhe pasuesit e tij kanë bllokuar miratimin e kandidaturës së Marko Bellos për postin e ministrit të jashtëm pak kohë pas dorëheqjes së Metës - duke e lënë qeverinë pa ministër të jashtëm. Pasi kryeministri hodhi poshtë kërkesat e Metës për ndryshime të thella në qeveri, fraksioni i rebelëve është bashkuar përsëri me PDSH më 23 tetor duke votuar kundër kandidaturave të Namik Dokles dhe Fatmir Xhafës për postet e ministrit të brendëshëm dhe të jashtëm.


Pas këtij votimi, Nano ka thënë për mediat se ai "do të lante përfundimisht llogaritë" me Metën dhe mbështetësit e tij në kongresin e partisë në fillim të muajit dhjetor.


Disa analistë mendojnë se nëse Nano rizgjidhet në postin e kryetarit të partisë, ai mund të përpiqet të largojë nga rradhët e saj rivalët e tij - rregullorja e PSSH lejon përjashtimin e deputetëve të cilët votojnë kundër interesave të partisë në parlament.


Por të tjerë thonë se kryeministri mund të përpiqet të arrijë një marrëveshje me Metën në lidhje me thirrjet e tij për reforma dhe të kërkojë përfshirjen e tij në qeveri, sepse duke larguar atë dhe mbështetësit e tij nga partia, Nano do të humbiste shumicën që kontrollon partia në parlament. Një gjë e tillë do të conte pothuajse me siguri në zgjedhje të parakohëshme, të cilat PSSH pothuajse me siguri do të humbiste sepse votuesit janë të pakënaqur me mosmarrëveshjet në rradhët e partisë.


Një numër vëzhguesish thonë se nëse socialistët do të kishin arritur rezultat më të mirë në zgjedhjet lokale të muajit tetor, atëherë kryeministri mund të ishte më i prirur për të rrezikuar zgjedhjet e parakohëshme parlamentare. "Nëse ata [PSSH] do të kishin arritur një rezultat më të mirë, atëherë zgjedhjet e parakohëshme mund të ishin një mundësi për Nanon," thotë Enton Abilekaj, një analist politik në Tiranë.


Ndërsa rezultatet zyrtare të zgjedhjeve lokale nuk janë publikuar ende, mendohet se PSSH ka humbur shumë ndaj PDSH në disa nga ish qendrat e pushtetit të socialistëve. Shifrat jo zyrtare tregojnë se Socialistët kanë fituar ngushtësisht me rreth 33 përqind të votave - vetëm dy përqind më tepër se rivalët e tyre kryesorë.


Është ende e paqartë nëse Nano do të rrezikojë të shkojë në zgjedhje të parakohëshme, por, opozita nga ana e saj është shumë e interesuar, sepse ajo ka kërkuar vazhdimisht dorëheqjen e Nanos dhe krijimin e një qeverie të përkohëshme. Robert Ceku, një drejtues i partisë Republikane ka thënë se zgjedhjet e parakohëshme janë mënyra e vetme për të zgjidhur krizën që ka përfshirë tani vendin.


Sokol Shameti është një gazetar në Tiranë.


Albania
Support our journalists