SHQIPERI: INVESTITORET TE SHQETESUAR NGA PROTESTAT

Alarmi i shkaktuar nga protestat politike fsheh edhe pikpyetjet në lidhje me trajtimin e investitorëve të huaj në vend.

SHQIPERI: INVESTITORET TE SHQETESUAR NGA PROTESTAT

Alarmi i shkaktuar nga protestat politike fsheh edhe pikpyetjet në lidhje me trajtimin e investitorëve të huaj në vend.

Monday, 21 February, 2005

Një javë pasi protestat në Tiranë më 7 shkurt u shndërruan në përplasje të dhunëshme, këngëtari më i njohur në Shqipëri lutej që orkestra e tij italiane të mos anullonte ardhjen dhe të jepte koncertin e tij të planifikuar.


Ardit Gjebrea është përpjekur shumë të bindë grupin e tij që vala e protestave të organizuara nga partitë e djathta të opozitës nuk e kanë bërë Shqipërinë një vend të pasigurtë.


Marshimi i parë i protestës ka përfunduar në përplasje të dhunëshme kur policia është përpjekur të ndalojë disa mijëra demonstrues të cilët janë drejtuar ndërtesës së qeverisë dhe kanë bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Fatos Nano. Një tjetër manifestim më 20 shkurt - me pjesëmarrjen e rreth 20,000 vetëve - ka kaluar paqësisht.


Ndërsa stabiliteti politik mbetet ende në pikpyetje, muzikantët italianë nuk janë të vetmit të huaj të cilët po kërcënojnë se do të qëndrojnë larg vendit.


Investitorët të cilët planifikojnë të investojnë në vendin më të varfër të ballkanit po paralajmërojnë gjithashtu se durimit të tyre po i vjen fundi.


Luan Bregasi, kryetari i dhomë së tregtisë së Shqipërisë, thotë se bizneset e huaja ndihen të kërcënuara nga një "përsëritje e mundëshme e veprimeve të dhunëshme të 7 shkurtit".


Bregasi ka folur më 17 shkurt, tre ditë përpara protestës së dytë më të madhe e cila ka kaluar paqësisht. Por për sa kohë që gjendja të mbetet e tensionuar - drejtuesi i opozitës Sali Berisha ka premtuar një protestë të re më 20 mars - bizneset e huaja nuk mund të jenë të qeta.


Ekonomia e Shqipërisë e ka rimarrë gradualisht veten pas anarkisë së fundit të viteve nëntëdhjetë. Shqipëria është rradhitur më lart në vitin 2003 në raportet e investitorëve të huaj se sa në vitin 2002. Për shembull, banka amerikane Exim Bank, e ka ulur nivelin e rrezikshmërisë së vendit me një pikë në vlerësimin e saj të përvitshëm.


Sasia më e madhe e fondve në ekonominë e vendit vazhdon të vijë në formën e donacioneve të huaja dhe të huave dhe jo të investimeve tregtare. Banka Botërore, Bashkimi Europian, Italia dhe Gjermania javë donatorët më të mëdhenj, duke synuar kryesisht infrastrukurën e shkatërruar të vendit.


Pjesa më e madhe e fondeve të huaja shkon në telekomunikacion, sistemin bankar dhe prodhim - megjithëse mungesa e energjisë elektrike dhe ujit largon shumë investitorë të huaj në këto fusha.


Shqipëria ka filluar kohët e fundit të terheqë më tepër interes nga vendet e europës perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fund të vitit 2003, banka austriake Raiffeisen Zentralbank Osterreich ka blerë bankën më të madhe shqiptare, Bankën e Kursimeve, për 126 milion dollarë amerikan në një prej marrëveshjeve më të mëdha të këtij lloji.


Vitin e kaluar, dy korporata të mëdha amerikane, General Electric dhe Lockheed Martin, kanë arritur marrëveshje për të punuar në sektorin e energjisë dhe portet e Shqipërisë. Ndërkohë, qeveria ka dhënë koncesion për një konsorcium gjermano-amerikan, Airport Partners, për të investuar 80 milion dollarë dhe ndërtuar një terminal të ri ndërkombëtar në aeroportin e Tiranës brenda tre vjetësh.


Por trazirat e fundit politike dhe shtimi i ndjenjës së mungesës së stabilitetit ka bërë që shumë investitorë të jenë të shqetësuar.


Zenel Hoxha, kryetar i Dhomës së Tregtisë së Britanisë në Shqipëri, thotë se investitorët britanik ndjehen "të mbytur" nga bllokimi i tanishëm politik, dhe nëse ata përballen me pengesa të tjera, ekziston rreziku që ata të largohen.


Floreta Faber, drejtore e Dhomës Amerikane të Tregtisë, ka thënë për IWPR se të paktën një investitor i madh nga Shtetet e Bashkuara ka bllokuar një vendim për një investim të madh, duke mos pranuar të përmendë emrin e kompanisë për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit.


"Protestat krijojnë mungesë stabiliteti, dhe kjo nuk është gjë e mirë," thotë Faber.


Por nuk është e qartë nëse vetëm protestat e opozitës janë për tu fajësuar për mungesën e besimit të investitorëve. Të gjitha shenjat tregojnë se problemet në mënyrën e trajtimit të investitorëve të huaj nga qeveria përbëjnë një faktor të rëndësishëm.


Artan Hoxha, një ekonomist i pavarur dhe zëvendës president i Institutit për Studime Bashkëkohore, ICS, thotë se qeveria po i përdor protestat si një pretekst për të mbuluar dështimin e saj.


"Në cdo vend bëhen protesta, por investimet vazhdojnë edhe kur ndërrojnë qeveritë," thotë ai.


Sipas Hoxhës, problemi i vërtetë është mbi centralizimi i qeverisë, i cili krijon një kulturë në të cilën asnjë vendim nuk mund të merret pa u dërguar deri në nivelin e ministrit.


"Administrata nuk mund të veprojë apo vendosë për asgjë pa aprovimin e një ministry," thotë ai.


Një raport i vitit 2003 i përgatitur nga ministria e jashtëme e Gjermanisë duket se mbështet atë që thotë Hoxha, duke thënë se investitorët "kanë vështirësi të gjejnë njeriun përgjegjës në administratë" për tu dhënë atyre licensat për të cilat kanë nevojë për të punuar.


Edhe pas nënshkrimit të kontratave, marrëveshjet e biznesit janë shumë të varura nga ministri përgjegjës saqë investitorët e huaj kanë frikë se ata mund të rrezikojnë nëse ndërrohet administrata. "Ata shqetësohen se mund të duhet të përsërisin të gjitha procedurat nëse ndërron qeveria apo ministri," thotë Hoxha.


Sic shpjegon edhe Faber, "Kur një ministër apo qeveri ndryshon, cdo drejtor dhe cdo shef në të gjitha zyrat e një ministrie zëvendësohen, i cili kërkon të nisë cdo gjë nga fillimi".


Dalina Buzi është gazetare e stacionit TV privat Top Channel në Shqipëri.


Frontline Updates
Support local journalists