SHQIPËRI: NDOTJA LARGON TURISTËT

Një aksident detar pranë brigjeve të Shqipërisë ka dëmtuar edhe më tepër industrinë e turizmit në vend.

SHQIPËRI: NDOTJA LARGON TURISTËT

Një aksident detar pranë brigjeve të Shqipërisë ka dëmtuar edhe më tepër industrinë e turizmit në vend.

Monday, 21 February, 2005

Ndotja e shkaktuar nga një aksident detar në Detin Jon në kulmin e sezonit turistik të këtij viti ka shkaktuar probleme të tjera për industrinë e turizmit të Shqipërisë, e cila ka probleme të shumta.


Me klimë mesdhetare, plazhe të vogla, male të pyllëzuara dhe rrënoja romake, Shqipëria mund ti ofrojë shumë vizitorëve të huaj, turistëve vendas dhe shqiptarëve të cilët jetojnë tani jashtë vendit.


Por vëzhguesit thonë se mbytja e një anije greke më 21 gusht e kombinuar me problemet e vjetra të shkaktuara nga gjendja e rëndë e infrastrukturës, mungesa e reklamës, publiciteti negativ jashtë vendit dhe ndërtimet e paligjëshme kanë bërë që sezoni i sivjetshëm turistik të jetë një dështim.


Aksidenti pranë portit jugor të Sarandës ka shkaktuar derdhjen e një sasie të madhe karburanti në ujërat përreth. Arben Luzati, nga Instituti i Higjienës, ka thënë për IWPR se ndotja është shtuar dhjetë herë mbi nivelin e pranueshëm.


Organizatat rinore kanë protestuar përballë ambasadës greke në Tiranë ndaj asaj që ata e shohin si derdhje të qëllimshme të karburanteve në Detin Jon nga anijet greke.


Por ministri grek i ambjentit, Vasso Papandreou i ka hedhur poshtë këto akuza, duke thënë se industria e transportit detar në Greqi vepron sipas rregullave strikte evropiane dhe ndërkombëtare.


Megjithë nisjen e një hetimi mbi këtë incident, deri më tani askush nuk është gjetur fajtor.


Pronarë hotelesh, shoferë taksish dhe zyrtarë të turizmit fajësojnë pjesërisht aksidentin për një rënie të ndjeshme në sezonin turistik të këtij viti. Ministri i turizmit Bashkim Fino ka thënë për gazetarët në një konferencë për shtyp në përfundim të sezonit turistik se rënia ka qenë aq e theksuar saqë muaji gusht i cili zakonisht është muaji më i suksesëshëm ka qenë nën nivelin e muajve të tjerë.


Por të gjithë pranojnë se aksidenti i fundit është vetëm një prej faktorëve të cilët kanë dëmtuar industrinë e turizmit në Shqipëri, përfshirë edhe shqetësimet e mëparëshme për ndotjen e ambjentit.


Xhemal Mato, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Ambjentit, ka thënë për IPËR se mungesa e masave për pastrimin e plazheve dhe ujërave pranë brigjeve është një shqetësim i madh.


“Ndotja nga shkarkimet e ujërave të zeza të cilat derdhen në det nga shtëpitë dhe hotelet pranë bregut është diçka alarmante për të ardhmen e turizmit në vend,” ka thënë ai.


Gjatë muajit gusht, mbi 50 raste të infeksioneve të lëkurës janë njoftuar brenda pak ditësh në plazhet e Golemit dhe Shkëmbit të Kavajës në Durrës, e cila është edhe zona më e preferuar e banorëve të Tiranës të cilët nuk mund të përballojnë pushimet jashtë vendit.


Infrastruktura e dobët shkakton gjithashtu probleme të mëdha për turizmin.


“Kur një turist i huaj nuk ka energji elektrike apo ujë… natyrisht që nuk mund të vijë për të vizituar plazhet enigmatike dhe të pazbuluara të Shqipërisë,” thotë për IWPR eksperti i turizmit Gjergj Buxhuku.


Transporti është gjithashtu një problem. Ka shumë pak lidhje me autobusë ndërmjet Tiranës dhe jugut të vendit dhe gjendja e keqe e rrugëve bën që udhëtimi prej vetëm 80 kilometra përgjatë bregut ndërmjet Sarandës dhe qytetit tjetër turistik të Himarës të zgjasë pothuajse tre orë.


Vasil Bollano, kryetar i bashkisë së Himarës, ka thënë për IWPR se mungesa e fondeve nuk lejon rregullimin e rrugëve. “Qeveria qendrore nuk punon për të zhvilluar një strategji për turizmin në këtë zonë,” thotë ai.


Banorët e Himarës dhe destinacioneve të tjera turistike si Dhërmiu dhe Borshi janë gjithashtu të zemëruar nga indiferenca e qeverisë shqiptare për promovimin e industrisë turistike të vendit.


“Stacionet televizive greke reklamojnë plazhet e tyre, ndërsa në Shqipëri nëse ndez televizorin sheh vetëm se sa të mrekullueshme janë plazhet në Turqi apo Tunizi,” thotë Rexho Luka, i cili jeton në Himarë.


Reklamat për destinacionet e huaja në televizionet shqiptare duket se kanë pasur rezultat – ministria e turizmit thotë se rreth 30,000 shqiptarë kanë udhëtuar për në Turqi këtë verë.


Shqiptarët thonë se vendi i tyre paraqitet keq edhe nga shtypi i huaj.


Dino Noksani, një shofer taksie në Sarandë, thotë se agjensitë turistike greke në Korfuz të cilat organizojnë udhëtime të shkurtëra për në Shqipërinë fqinje u japin turistëve një pamje të keqe për vendin.


“Kur turistët vijnë këtu nga Greqia atyre u thonë të marrin me vete edhe bukë nga Korfuzi sepse në Shqipëri nuk ka asgjë për të ngrënë,” thotë ai për IWPR.


Në vendet fqinje është vështirë të gjesh informacion të pasur dhe të saktë për Shqipërinë.


Keida Lulo, një arkitekte e njohur në Tiranë, thotë se zhvillimi i paplanifikuar i turizmit do të shkaktojë një problem edhe më të madh për industrinë e turizmit në të ardhmen.


Praktika e ndërtimit të hoteleve të reja me tullë në vend të gurit tradicional nuk do të tërheqë turistët të cilët janë të interesuar për kulturën dhe të kaluarën historike të Shqipërisë, thotë ajo.


Ajo gjithashtu thotë se duhet më tepër kujdes nga ana e shtetit për të mirëmbajtur ndërtimet e vjetra karakteristike.


“Për të tërhequr turistë, Shqipëria duhet të rindërtojë shtëpitë e mrekullueshme prej guri në fshatrat e Rivierës, të cilat po rrënohen nga mungesa e kujdesit,” thotë ajo për IWPR.


Një shembull i rëndësishëm për potencialin e Shqipërisë si destinacion turistik është Tirana, e cila ka filluar të ndryshojë falë një fushate të kujdesëshme planifikimi urban, pas një dekade ndërtimesh të paligjëshme. Me ndërtesat e lyera me ngjyra të ndryshme dhe restorantet tradicionale, dhe lumin e pastruar kohët e fundit, disa vëzhgues parashikojnë se Tirana shumë shpejt mund të shndërrohet në Pragën e evropës jug lindore.


Shumë janë të shqetësuar se zyrtarët e qeverisë do të humbasin shumë kohë dhe do të jetë tepër vonë për të bërë të njëjtën gjë në zonën bregdetare në jug të vendit.


Suela Musta është gazetare për radion TOP Albania Radio në Tiranë. Jeta Xharra është drejtuese e projektit të IWPR në Kosovë.


Frontline Updates
Support local journalists