SHPENZIMET E MËDHA FINANCIARE TË DREJTUESVE TË BOSNJES DËMTOJNË BUXHETIN

Njoftimet tregojnë se presidenca dhe zyrtarë të tjerë kanë shpenzuar shuma të mëdha gjatë kohës që kanë shërbyer në poste zyrtare.

SHPENZIMET E MËDHA FINANCIARE TË DREJTUESVE TË BOSNJES DËMTOJNË BUXHETIN

Njoftimet tregojnë se presidenca dhe zyrtarë të tjerë kanë shpenzuar shuma të mëdha gjatë kohës që kanë shërbyer në poste zyrtare.

Monday, 21 February, 2005

Kontrollorët e pavarur financiarë në Bosnje Herzegovinën e varfër kanë akuzuar zyrtarët më të lartë, duke filluar nga presidenca e vendit, se kanë shpenzuar shuma të mëdha të fondeve publike për luksin e tyre personal.


Makina zyrtare të modeleve të fundit, kostume, dhurata të shtrenjta për zyrtarët e huaj dhe dreka e darka pa fund, ndër të tjera, mund të shpjegojnë se përse presidenca tre palëshe i ka kushtuar taksapaguesve një shumë prej tre milion euro gjatë vitit 2003.


Këto shpenzime të shumta përfshijnë edhe blerjen nga anëtari i presidencës Sulejman Tihiq i dhuratave me vlerë pothuajse 7,000 euro përpara një turneu në vendet islamike dhe blerja nga kolegu i tij, Dragan Coviq, i një makine me një kosto prej 50,000 euro.


Pavarësisht seriozitetit të rezultateve, askush nuk mendohet se mund të shkojë në gjyq, për të mos folur pastaj për ndonjë dënim me burgim, sepse Bosnja nuk ka ligje të cilat të rregullojnë këto shpenzime.


Në mungesën e legjislacionit, zyrtarët i kanë paraqitur këto shuma si “shpenzime operative”, kanë thënë kontrollorët. Disa zyrtarë kanë justifikuar shpenzimet e tyre duke thënë se nuk është shkruajtur askund se një kostum nuk mund të konsiderohet si “shpenzim operativ”.


Këto rezultate janë paraqitur pas një sërë kontrollesh të veçanta të kryera nga Zyra për Kontrollin e Veprimeve Financiare e Institucioneve të Bosnje Herzegovinës në llogaritë dhe shpenzimet gjatë vitit 2003 në 33 institucione shtetërore.


Përveç hetimit të kostos së lartë të presidencës, kjo zyrë ka zbuluar se të paktën 250,000 euro janë humbur nga ministritë e tjera për shkak të mungesës së efikasitetit dhe kontrollit financiar – një shumë kjo e barabartë me rreth 25,000 pensione mujore.


Kontrollorët do të paraqesin raportin e tyre përfundimtar në tetor.


Zyrtarët i kanë kundërshtuar tanimë këto akuza, duke fajësuar për këtë gjendje mungesën e ligjeve për prokurimet publike dhe rregullat e qarta për shpenzimet e brendëshme.


Anëtarët e publikut të cilët kanë lexuar raportin paraprak të kontrollorëve kanë thënë se ata janë të tronditur nga shkalla e abuzimeve.


“Ata duhet të dërgohen të gjithë në Goli Otok [një burg i kohës së Titos në brigjet e detit Adriatik]”, ka thënë Ismet Kucukoviq, një pensionist, për IWPR.


“Nuk ka para për pensionet, por ka për kostume e kravata. Ata duhet të kenë turp nga vetja”.


“Ata nuk shqetësohen për faktin se njerëzit nuk kanë për të ngrënë,” komenton Zoran Kristiq, një teknik.


Zemërimi publik ndaj papërgjegjshmërisë të zyrtarëve vështirë se do të sjellë ndonjë ndryshim të personelit, apo ndonjë dorëheqje.


Raportet negative të kontrollorëve nuk kanë asnjë fuqi ligjore. Institucionet në fjalë nuk përballen me ndonjë ndëshkim, dhe as individët nuk do të detyrohen të japin dorëheqjen, diçka e zakonëshme në shtete të tjera të Evropës.


Donald Hays, Zëvendës i parë i Përfaqësuesit të Lartë, Paddy Ashdoën, thotë se dorëheqjet individuale nuk do të ndryshonin shumë, sepse ky është më tepër një problem strukturor.


“Nuk ka kontroll mbi presidencën. Më parë, në presidencë ishte vetëm një person dhe ai kontrollonte vetveten,” ka thënë Hays. “Presidenca e re sillet në një mënyrë të pakontrolluar dhe institucioni keqadministrohet”.


Prokurimet publike janë burimi kryesor i korrupsionit këtu, ashtu si edhe në shumë vende të tjera të botës. Banka Botërore llogarit se autoritetet në Bosnje shpenzojnë rreth 490 milion dollarë amerikan në vit në prokurime publike.


Nje hetim i kryer kohët e fundit nga disa stacione lokale televizive dhe radio ka treguar se rreth 30 përqind e blerjeve bëhen pa tendera të hapura (megjithëse kjo shifër nuk është konfirmuar nga ndonjë burim tjetër).


Pavarësisht nëse kjo shifër është e saktë apo jo, ligjet e tanishme për prokurimin janë padyshim të paplota dhe lehtësisht të shmangëshme.


Për shembull, vetëm kontratat të cilat kanë një vlerë mbi 25,000 euro duhet të zbatohen me tender të hapur. Një mënyrë e thjeshtë për të shmangur këtë procedurë është ndarja e shumave më të mëdha në disa shuma më të vogla.


Në këtë mënyrë, kompanitë e favorizuara mund të vazhdojnë të gëzojnë një monopol mbi mbi kontratat shtetërore. çfarëdo malli që institucionet shtetërore dëshirojnë të blenë vazhdon të blihet nga disa kompani të cilat kanë marrëdhënie të mira me zyrtarët, apo me të cilat zyrtarët mund të ndajnë fitimet.


Për më tepër, tenderat shpallen me afate shumë të shkurtra, duke larguar në këtë mënyrë kompani të tjera të cilat mund të konkurojnë të cilat nuk kanë kohën e mjaftueshme të përgatisin dokumentat e duhura.


Për momentin, prokurimet publike në Bosnje përfshihen në katër ligje, apo dekrete. Të gjitha këto kanë disa të meta të përbashkëta; procedura e tenderave nuk përcaktohet qartë; pjesëmarrësit e mundëshëm në tendera nuk kanë informacionin e nevojshëm; dhe kanë fuqi vetëm në njërin prej entiteteve të Bosnjes, apo në territorin e Brckos.


Në vitin 2002, Komisioni Evropian, KE, ka kërkuar një ligj të ri për prokurimet publike në Bosnje në nivel shtetëror. Por ligji nuk është miratuar ende, sepse fillimisht, Republika Srpska, RS, e ka kundërshtuar atë.


Pasi KE kërcënoi të bllokonte ndihmën financiare prej 1.5 milion euro për RS, ajo është tërhequr.


Dy organizma të reja, Agjensia e Prokurimeve Publike dhe Organizmi i Rishikimit të Prokurimeve, janë krijuar në vitin 2002 në kuadër të miratimit të ligjit.


Emina Kadriq, drejtuese projekti me KE në Bosnje, ka thënë për IWPR se disa rregullore dhe ligje duhet të miratohen, dhe për këtë qëllim do të jepen dy milion euro financime për shpejtimin e procesit. “Kjo është ndihmë teknike për zbatimin e legjislacionit,” ka thënë Kadriq.


Ligji i ri – nëse dhe kur të miratohet – do të japë të gjitha kompanive pjesëmarrëse në tendera të drejta të njëjta.


Nga ana tjetër, ky ligj vështirë se mund të shmangë të gjitha parregullsitë, korrupsionin apo tejkalimin e shpenzimeve në prokurimet publike, sepse vendimet e rëndësishme do të vazhdojnë të merren nga të njëjtit njerëz si më parë.


Samir Musoviq, zëvendës kontrollor i përgjithëshëm i Zyrës për Kontrollin Financiar të Institucioneve të Bosnje Herzegovinës, ka thënë se i takon parlamentit shtetëror të përcaktojë kontroll më të fortë të brendëshëm për shpenzimet dhe të ndryshojë rregullat e tanishme për ti bërë ato në përputhje me nevojat e vërteta të zyrtarëve.


“Megjithëse ne nuk jemi policia financiare, ne kemi të drejtën të tërheqim vëmendjen e parlamentit për gjërat të cilat ne mendojmë se nuk janë si duhet,” thotë Musoviq.


Ai ka thënë se zyra e prokurorit të shtetit do të hetojë çdo përfundim të kontrollorëve.


Kontrollorët kanë konfirmuar se zyra e prokurorit kishte shprehur interes për raportet e kontrollorëve për financat e shtetit dhe po kërkonte hollësi të mëtejshme.


Nëse dikush provohet se ka keqpërdorur fondet e shtetit dhe ka abuzuar me pozicionin e tij, prokuroria në teori mund të nisë procedurat ligjore.


Por asnjë procedurë ligjorë nuk ka nisur pas raporteve të vitit të kaluar, të cilat kanë qenë po kaq të rënda.


Kontrollorët gjithashtu thonë se ndërsa kanë kontrolluar presidencën, ata kanë marrë edhe kërcënime anonime. Disa gazeta kanë njoftuar muajin e kaluar se disa kontrollorëve u është thënë se “Pas përfundimit të këtij kontrolli ata do ta kishin të vështirë të gjenin punë tjetër”.


Për momentin, kontrollorët duket se e kanë të sigurtë punën. Ligji thotë se presidenca mund të shkarkojë vetëm kontrollorin e përgjithëshëm dhe zëvendësin e tij me aprovimin e të dyja dhomave të parlamentit, nëse ata janë dënuar për ndonjë krim, apo nëse cilësia e kontrolleve të tyre nuk përmbush standarded e përcaktuara nga ligji.


Përpara paraqitjes së raportit të tyre përfundimtar për të gjitha institucionet në tetor, kontrollorët do të publikojnë rezultatet për dy departamente të tjera shtetërore, si Gazeta Zyrtare, dhe Agjensia e Punësimit.


Askush nuk prêt që rezultatet të jenë të mira në këto institucione. Pas shpalljes së rezultatit të kontrolleve në presidencën shtetërore dhe institucionet e tjera, vështirë që kontrollorët të shohin se këto institucione kanë kontrolluar shpenzimet e fondeve në mënyrë më efikase.


Support our journalists