Shkupi Përgatitet për Luftë

Mijëra Maqedonas dhe Shqiptarë po largohen nga Shkupi ndërsa konflikti i afrohet gjithnjë e më tepër kryeqytetit.

Shkupi Përgatitet për Luftë

Mijëra Maqedonas dhe Shqiptarë po largohen nga Shkupi ndërsa konflikti i afrohet gjithnjë e më tepër kryeqytetit.

"Shko dhe mos u shqetëso, do të kujdesem unë për shtëpinë tënde," i thotë një plak Shqiptar fqinjit të tij të vjetër Maqedonas. "Të gjitha do të jenë në vendin e vet kur të kthehesh në shtëpi".


Të dyja familjet kanë jetuar pranë e pranë në lagjen e Centos në Shkup prej vitesh. Ata kanë ndarë së bashku çdo gjë. Fëmijët e tyre janë rritur së bashku. Kanë kërcyer së bashku në martesat e fëmijëve të tyre. Tani plaku po i përcjell ata të cilët nuk dihet se ku po shkojnë.


Disa mijëra njerëz, Maqedonas dhe Shqiptarë, po largohen nga Shkupi, pas mbërritjes së luftëtarëve të Ushtrisë Clirimtare Kombëtare, në fshatrat pranë qytetit.


Të Martën, rebelët kanë marrë nën kontroll fshatin Saraj në perëndim të kryeqytetit, duke zhvleftësuar sigurimet e dhëna nga kryetari i bashkisë vetëm një ditë më parë, se gjendja ishte e sigurtë dhe nuk kishte shenja të aktivitetit të UCK-së në rajon.


Në Araçinovo, një rrethinë tjetër e marrë nën kontroll nga luftëtarët, komandanti i UCK-së ka kërcënuar se do të bombardojë disa objektiva në kryeqytet nëse vazhdojnë sulmet e forcave Maqedonase. Megjithëse një gjë e tillë nuk konsiderohet si rrezik serioz, kjo ka qenë shtysa e fundit për shumë njerëz.


Disa familje Maqedonase kanë shkuar për të qëndruar me familjarët e tyre, por shumë janë lënë në mëshirë të fatit, pa marrë asnjë ndihmë nga qeveria apo organizatat ndërkombëtare.


"Kemi tre ditë që jemi në rrugë, pa strehë, pa mbulesa," thotë një grua Maqedonase nga Araçinovo. "Unë kam tre fëmij të vegjël. E çfarë duhet të bëj?"


Njerëz nga Araçinovo, Vrnjarce, Stajkovci - të gjitha fshatra shumë pranë kryeqytetit - si edhe banorë nga Cento dhe lagje të tjera të Shkupit si Ekonomija po largohen nga frika e kërcënimeve të UCK-së.


Zyrtarët e agjensisë së OKB-së për Refugjatët, UNHCR, në pikën kufitare të Bllacës ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, thonë se rreth 12,000 Shqiptarë - kryesisht gra dhe fëmijë - kanë hyrë në Kosovoë që prej datës 8 Qershor.


Shumica e atyre të intervistuarve kanë thënë se ata janë nga zona e Araçinovos. Shumë kanë shkuar në Araçinovo nga Kumanova vetëm dy javë më parë, pas shpërthimit të luftimeve ndërmjet luftëtarëve të UCK-së dhe forcave qeveritare.


"Sapo Ushtria Clirimtare Kombëtare erdhi në fshatin tonë, shumica e njerëzve u larguan," thotë Hakiu, një i moshuar Shqiptar. "Ushtria dhe policia Maqedonase rrethuan fshatin.


"Ne kishim frikë se do ta pësonim njësoj si njerëzit në fshatrat e Kumanovës të cilët mbetën të bllokuar në bodrumet e tyre ppër javë të tëra ndërsa zhvilloheshin luftime".


Hanifeja, një Shqiptare tjetër nga fshati Sllupcane pranë Kumanovës, ka mbërritur në kufirin me Kosovën së bashku me vjehrrën e saj dhe tre fëmijë të vegjël. "Nuk mund të duroj më luftimet ndërmjet UCK-së dhe forcave Maqedonase,"thotë ajo. "Kisha frikë për fëmijët e mi. Të paktën në Kosovë, mund të flemë të qetë".


Ndërsa shumë refugjatë Shqiptarë janë drejtuar në Kosovë, ku kujdesen për ta të afërmit dhe organizatat ndërkombëtare, fati i Maqedonasve është më i paqartë.


Ata të cilët kanë mundësi, shkojnë të qëndrojnë me miq dhe familjarët e tyre, por të tjerët, si njerëz të zhvendosur, nuk janë në mandatin e organizatave ndërkombëtare humanitare dhe përgjithësisht janë lënë në mëshirën e fatit. Deri më tani 1,000 deri 2,000 familje Maqedonase janë larguar nga shtëpitë e tyre në rrethinat e Shkupit.


Për momentin, ekziston një situatë e rëndë në Araçinovo, e cila kontrollohet nga luftëtarët Shqiptarë. Policia është vendosur jashtë fshatit. Sipas njoftimeve të mediave dhe forcave të sigurimit, rreth 1,000 Shqiptarë dhe rreth 30 pengje Maqedonase kanë qëndruar aty. Luftëtarët duke përdorur makinat kanë ngritur barrikada në të gjitha rrugët që hyjnë në fshat. Të dyja palët po qëndrojnë në pritje.


"Gjithandej ka ushtarë," psherëtin një fshatar Maqedonas, i cili është përpjekur pa sukses të kthehej në fshat për të ushqyer dhitë e tij, të cilat janë i vetmi burim jetese për familjen.


Ndërkohë, shefi i UCK-së në fshat, Komandant Hoxha, ka paralajmëruar se njerëzit e tij do të bombardojnë "pika strategjike" në Shkup "nëse forcat Maqedonase vazhdojnë të qëllojnë ndaj pozicioneve të UCK-së". Sipas Hoxhës, njësitë e tij janë të afta të qëllojnë aeroportin ndërkombëtar dhe një rafineri nafte, por zyrtarët thonë se që të dyja këto objektiva janë jashtë rrezes së veprimit të tyre.


Megjithatë, të Hënën, British Airëays dhe kompania ajrore Greke Olympic, kanë anulluar fluturimet e tyre për në Shkup, megjithëse asnjë prej tyre nuk ka konfirmuar se arësyeja për këtë veprim ka qenë kërcënimi i UCK-së. Kompania ajrore Zvicerane, Sëiss Air, e ka ndërruar destinacionin e fluturimit për në Ohër.


Të nesërmen, u duk se rreth Kumanovës ishte vendosur një armëpushim i qëndrueshëm, pavarësisht një prite ndaj një patrulle policie të bërë natën. UCK ka deklaruar se luftëtarët e saj kanë vepruar në vetë-mbrojtje. Pas vendosjes së këtij armëpushimi, është bërë e mundur që ndihmat e huaja të udhetojnë drejt fshatrave të cilat kanë qenë të izoluara që prej pesë javësh.


Pas mbërritjes së ndihmave, komandanti lokal i UCK-së ka thënë se ai do të lejojë hyrjen e inxhinierëve të huaj në drejtim të një rezervuari uji i cili ndodhet pas pozicioneve të UCK-së. Qyteti i Kumanovës ka qenë prej më tepër se një jave pa ujë.


Në Shkup, banorët po përgatiten për luftë. Shitjet e Miellit, sheqerit, vajit dhe ujit mineral janë tre fishuar gjatë ditëve të fundit. Bankat nuk shesin më monedhë të huaj. Rradha të gjata makinash presin për tu furnizuar përpara stacioneve të karburantit.


Qeveria është përpjekur të qetësojë frikën duke thënë se UCK-ja nuk është e aftë ushtarakisht të kryejë kërcënimet e saj ndaj kryeqytetit.


"Qytetarët nuk duhet të shqetësohen për sigurinë e qytetit të Shkupit dhe pikave të rëndësishme të tij sepse ato janë siguruar," ka thënë zëdhënësi i qeverisë, Antonio Milososki. Këshilltari i sigurimit kombëtar të presidentit Boris Trajkovski, Nikola Dimitrov ka thënë se autoritetet do të bëjnë që kërcënimet e Hoxhës të mos kenë rezultat.


Por në qytet mbizotëron një atmosferë lufte. Banorët e Shkupit ndjehen të rrethuar. Banorët e Kumanovës, të cilët prej ditësh nuk kanë furnizim me ujë në mesin e një vale të nxehti të verës, janë në një gjendje të rëndë. Banorët e Tetovës gjithashtu kanë probleme të mëdha me furnizimin me ujë, dhe çdo ditë dëgjojnë ushtimat e armëve në kodrat rreth qytetit.


Pak njerëz mendojnë se ky konflikt do të zgjidhet së shpejti. Për momentin, forcat qeveritare nuk po sulmojnë pozicionet e UCK-së në Araçinovo dhe po e respektojnë armëpushimin në zonën rreth Kumanovës.


Të Hënën, qeveria Maqedonase ka njoftuar plane për të krijuar një forcë speciale të përbashkët ndërmjet ushtrisë dhe policisë për të parandaluar zgjerimin e konfliktit, por njësia e re do të ketë probleme për të kontrolluar mospërhapjen e konfliktit dhe jo më për të zbrapsur UCK-në.


Drejtuesit politik të vendit, të cilët kanë qëndruar tepër të qetë këto ditët e fundit, duhet të kërkojnë një rrugëdalje. Dy partitë kryesore Maqedonase, VMRO-DPMNE dhe SDSM, nuk kanë thënë asgjë gjatë dy ditëve të fundit dhe nuk është e qartë nëse ata janë dakort për mënyrën më të mirë për ti dhënë fund kësaj gjendjeje.


Burime jo zyrtare thonë se drejtuesit e partive kryesore politike do të takohen në fund të javës për të tejkaluar impasin politik dhe për të shikuar planin e Trajkovskit sipas të cilit UCK-ja do të çarmatoset dhe pjesës më të madhe të anëtarëve të saj do t'u jepet amnisti.


Brenda pak javëve të ardhëshme do të vendoset nëse Maqedonia do të shmangë shpërthimin e një lufte. Ndërkohë, njerëzit vazhdojnë të largohen të frikësuar dhe përgatiten për më të keqen.


Gordana Stojanovska Icevska është zëvendës redaktorja e së përjavëshmes së Shkupit, Kapital.


Macedonia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists