Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

SHKOLLA E PËRZIER SHKAKTON DISKUTIME

Duket si një ide shumë e bukur, por vizioni i fëmijëve shqiptarë dhe serbë të cilët mësojnë nën një çati ka zemëruar shumë njerëz.
By Nikola Lazic

Për një dekadë të tërë, gjatë viteve nëntëdhjetë, oborri i shkollës tetëvjeçare në Bujanovc ka ushtuar nga çizmet e ushtarëve dhe jo nga zërat e gëzuar të nxënësve.


Pas vendosjes së një garnizoni ushtarak në vitin 1992 në qytet, i cili u vendos në objektet e shkollës së mesme shqiptare, nxënësit dhe mësuesit janë detyruar të lëviznin prej andej.


Ata janë transferuar disa qindra metra më tej në klasat e shkollës fillore Naim Frashëri, ku kanë qendruar deri në vitin 2002.


Vetëm pas zgjedhjeve lokale të korrikut të vitit 2002, të cilat janë fituar nga partitë shqiptare në Bujanovc për herë të parë, kanë filluar të ndryshojnë gjërat edhe më ndihmën e Qendrës së qeverisë për Koordinimin e Serbisë së jugut dhe qeverive federale e republikane.


Garnizoni ushtarak është transferuar në ambjentet e rrënuara të uzinës së prodhimit të makinave Zastava me qendër në Kragujevac, ndërsa fëmijët shqiptarë janë lejuar të rikthehen në klasat e tyre të vjetra.


“Kur jemi kthyer në ambjentet e shkollës kemi gjetur një rrëmujë të madhe,” ka thënë një prej mësuesve për IWPR. “Infrastruktura ishte dëmtuar, inventari i shkollës ishte shkatërruar, ndërsa barërat e këqinj kishin mbushur oborrin. Na u desh shumë punë për ti rregulluar gjërat”.


Shkollat, ashtu si shumë aspekte të tjera të jetës së përditëshme në Serbinë e jugut, nuk kanë mundur ti shmangen pasojave të polarizimit etnik në rajon ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.


Ky antagonizëm ka arritur pikën më të lartë më 21 nëntor të vitit 2000, kur shqiptarë të armatosur kanë marrë nën kontroll një pjesë të zonës ndarëse në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në bashkitë e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës.


Konflikti ndërmjet shqiptarëve të armatosur dhe forcave të sigurisë ka zgjatur deri më 20 maj 2001, kur është nënshkruar Deklarata e Demilitarizimit në fshatin Konculj të Bujanovcit nga përfaqësues të NATO-s dhe drejtuesit e luftëtarëve shqiptarë.


Shqiptarët më pas kanë shkrirë forcën e tyre të armatosur dhe procesi i demokratizimit çoi në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në të cilat partitë shqiptare kanë fituar dhe kanë krijuar qeverisjen lokale në Bujanovc.


Në verën e vitit 2003, pasi ka gjykuar se marrëdhëniet ndër etnike në Bujanovc ishin përmirësuar disi, një organizatë amerikane, Komuniteti, Ambjenti dhe Financat, CHF, kanë arritur një marrëveshje me ministrinë e arsimit dhe sporteve të Serbisë për të ndërtuar shkollën e parë shumë etnike në qytet.


Vendi i zgjedhur për ndërtimin e kësaj shkolle ka qenë shkolla Mihajlo Pupin.


Por shumë shpejt u bë e qartë se ideja nuk do të pritej aq mirë, pjesërisht falë ngjarjeve të cilat kanë ndodhur kur garnizoni ka ardhur për herë të parë në Bujanovc.


Meqënëse ndërtesa dhe oborri i shkollës nuk kanë qenë shumë të mëdhenj për nevojat e ushtrisë, autoritetet e atëhershme lokale kanë blerë disa pjesë toke aty pranë nga pronarët privatë.


Por kjo pjesë toke nuk është regjistruar asnjëherë zyrtarisht në zyrën e kadastrës, dhe 24 nga ish pronarët e tokës tani kanë kontaktuar një anëtar të këshillit administrative të qytetit, Trajko Trajkoviq, duke u ankuar për keqpërdorimin e tokës së tyre.


Ata “nuk duan që toka e tyre të përdoret për qëllime të ndryshme,” sipas Trajkoviq, i cili thotë se ata i kanë shitur tokat vetëm për të ndihmuar ushtrinë.


“Arsyeja që ata kanë shitur tokat ka qenë krejtësisht patriotike dhe ato toka i janë dhënë ushtrisë si një faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon,” ka shpjeguar ai.


Ish pronarët e tokës kanë kundërshtuar të drejtën e këshillit të tanishëm të qytetit për të përdorur tokën për shkollën shumë etnike, megjithëse kjo tokë është paguar një herë nga shteti.


Sipas Nebojsha Stamenoviq, kryetar i zyrës së kadastrës së Bujanovcit, bashkia, si blerës, zyrtarisht ka paguar të gjithë shitësit, dhe kjo mund të verifikohet lehtësisht nga dokumentat zyrtare.


“Ky rast i ka kaluar tani për shqyrtim zyrës së gjeodezisë së Serbisë, ku ish pronarët kanë paraqitur ankesat e tyre si institucioni përgjegjës për këtë çështje,” ka thënë Stamenoviq.


“Por çdo gjë është krejtësisht e qartë në këtë rast sepse ata nuk i kanë falur tokat, por i kanë shitur ato, dhe e përsëris, se për këtë ekzistojnë dokumenta”.


Një prej kundërshtimeve të Trajkoviq për ndërtimin e një shkolle shumë etnike është se ai nuk mendon se nxënësit shqiptarë dhe ata serbë mund të mësojnë nën një çati.


Qeverisja lokale e drejtuar nga shqiptarët po “ushtron presion mbi serbët për tu larguar nga Bujanovci,” shton ai, dhe shkolla shumë etnike është pjesë e këtij plani.


“Ndërtimi i shkollës do tu shërbejë vetëm fëmijëve shqiptarë të cilët do të vijnë në qytet, në një shkollë të ndërtuar në toka serbe,” ka thënë ai. “Eksperimente të tilla janë bërë gjithnjë në kurriz të interesave serbe”.


Trajkoviq i ka paraqitur ankesat e tij në një letër drejtuar disa institucioneve dhe individëve në Serbi këtë verë, duke deklaruar se “objektivi politik i ekstremistëve shqiptarë është të rimarrin nën kontroll këtë zonë”.


Ilija Juriq, shef i seksionit të financës në ministrinë e arsimit të Serbisë, ka thënë se kërkesat e Trajkoviq vështirë se mund të arrijnë ndonjë rezultat.


Ndërkohë, ka shtuar ai, kundërshtimet nuk do të ngadalësojnë realizimin e projektit.


“Tanimë ka përfunduar tenderi publik për projektimin e shkollës shumë etnike në Bujanovc,” ka thënë ai. “Shoqata e Arkitektëve të Serbisë ka përzgjedhur dy propozime, një prej tyre do të përzgjidhet së shpejti”.


Juriq ka theksuar se Drejtoria e Tokave të republikës, pronari zyrtar i ndërtesës së shkollës Mihajlo Pupin, e ka transferuar të drejtën e përdorimit të pronës nga ushtria ministrisë së arsimit.


“Shkolla është tani nën juridiksionin e ministrisë sonë, e cila e mbështet idenë e shkollës shumë etnike,” ka përfunduar Juriq.


Në CHF, e cila është një ndër nismëtarët e projektit, së bashku me Agjensinë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, USAID, zyrtarët thonë se synimi i tyre i vetëm është përmbushja e nevojave të qeverisë lokale dhe qytetarëve.


Zarko Sunderiq, zëdhënës i CHF-së në Serbi, thotë se ata mendojnë se shkolla e re do tu shërbeje të gjithë fëmijëve në Bujanovc.


“Shkolla e ardhëshme do të ofrojë një program me cilësi të mirë për serbët dhe shqiptarët,” ka thënë ai.


Sunderiq ka thënë për IWPR se ndërtesa e re do të strehojë rreth 1,000 nxënës në një ndërtesë me sipërfaqe 2,500 deri 3,000 metra katror. Ekziston një plan që nxënësve tu ofrohet edhe strehim, me qëllim që të tërhiqet në Bujanovc të rinj nga i gjithë rajoni.


Për momentin rreth 1,300 nxënës ndjekin mësimet në dy shkollat tetëvjeçare të Bujanovcit, ndërsa sipas mendimit të Aliut, nevojat janë të paktën 50 përqind më të larta se sa kapaciteti i tanishëm.


Çmimi i përafërt i projektit, ka thënë Sunderiq, është rreth 2 milion euro. “Ende nuk janë siguruar të gjitha fondet e nevojëshme, por ne shpresojmë që të sigurojmë ndihmë nga shumë organizata të huaja joqeveritare, qeveria serbe dhe qeveria lokale,” ka thënë ai, duke shtuar se përfundimi i projektit fillestar për ndërtimin e shkollës së re është financuar nga CHF.


Nehat Aliu, kryetar i departamentit të aktiviteteve sociale në këshillin lokal të Bujanovcit, thotë se mosmarrëveshja në lidhje me pronësinë mbi tokën është vetëm një pretekst në përpjekjet “për të siguruar pikë politike”.


Ish pronarët e tokave, thotë ai, kanë ngritur pretendime krejtësisht të pabazuara. “Shteti ka përmbushur të gjitha detyrimet financiare ndaj ish pronarëve. Mesa di unë, jo shumë njerëz kanë të njëjtin mendim me Trajkoviq,” thotë ai.


Aliu thotë se Bujanovci ka shumë nevojë për shkollën e re. “Synimi ynë është të përmirësojmë bashkëjetesën këtu,” thotë ai. “Përveç kësaj, ne do të dëshironim që të sillnim këtu nxënës nga e gjithë Serbia dhe Kosova. Fëmijët do të zgjedhin se në çfarë gjuhe dëshirojnë të mësojnë dhe ne nuk do të vendosim asgjë me forcë,” thotë ai.


Ndërkohë, politikanët serb dhe shqiptarë janë të ndarë për këtë çështje, ku më tepër se gjysma e shqiptarëve e mbështesin projektin ndërsa shumica e serbëve kanë rezerva.


Fatmir Hasani, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik në Bujanovc, e cila tani kontrollon pjesën më të madhe të vendeve në asamblenë lokale, ka thënë për IWPR se inisiativa do të mund të forcojë “stabilitetin në rajon dhe afrimin ndërmjet dy popujve”.


Tre partitë e tjera politike shqiptare në jug të Serbisë, Partia për Progres Demokratik, PPD, Partia Demokratike Shqiptare, PDSH, dhe Bashkimi Demokratik për Luginës, BDL, duket se mendojnë pak a shumë në mënyrë të jëjtë.


Sevdail Hiseni, kryetar i bashkisë së Bujanovcit dhe një zyrtar i lartë i PDSH ka thënë se ai “e mbështet me entusiazëm” projektin. “Të rinjtë janë ata të cilët do të fillojnë vendosjen e marrëdhënieve të reja ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve,” ka thënë Hiseni.


Politikanët serb janë më pak entusiast. Novica Manojloviq, zëvendës kryetar i bashkisë së Bujanovcit dhe anëtar i Partisë Demokratike, DS, thotë se projekti ishte “një ide e mirë” – në teori – por “e parealizueshme brenda njëzet vjetëve të ardhëshëm”.


Ndërsa përfaqësuesit lokal të partive nacionaliste serbe, Partia Radikale Serbe, SRS, dhe Lëvizjes për Ripërtëritje Serbe, SPO, të cilët përbëjnë “Koalicionin Mbijetesa” në këshillin e Bujanovcit, ata janë edhe më pak entusiast.


Një zyrtar i koalicionit ka thënë për IWPR se Trajkoviq ka të drejtë kur ankohet për planin e shqiptarëve. “Objektivi përfundimtar i këtij propozimi është pushtimi shqiptar i Bujanovcit,” thotë ai.


Pikpamjet e politikanëve reflektohen edhe në rradhët e banorëve lokal. Shumë shqiptarë me të cilët IWPR ka folur mbështesin arsimin shumë etnik, ndërsa pjesa më e madhe e serbëve “nuk kanë qenë kundër tij” por do të dëshironin që fëmijët e tyre të mos ishin pjesë e brezit të parë në shkollën e re.


Natyrisht ka edhe përjashtime. Një prind serb ka thënë për IPËR se ai do të “ishte tepër i kënaqur” që fëmijët serbë dhe shqiptarë të shkonin në të njëjtën shkollë. “Është mënyra e vetme për të ngushtuar boshllëkun e paragjykimeve dhe mendimeve të këqia që kemi për njëri tjetrin,” ka thënë ai.


Po ashtu, jo të gjithë shqiptarët janë në favor të kësaj ideje. “Për momentin, çdo gjë duhet të mbetet kështu siç është,” ka thënë një prind shqiptar.


Fëmijët në Bujanovc, të cilët preken edhe më tepër nga kjo, tregojnë edhe një herë ndarjen që ekziston në rradhët e prindërve të tyre. Shumë prej atyre të pyetur, nga të dyja grupet etnike, kanë thënë se nuk mund të imagjinonin mundësinë e arsimit shumë etnik.


Një psikolog në një shkollë fillore në Bujanovc ka thënë se kjo sjellje është e kuptueshme, sepse pjesa më e madhe e fëmijëve janë rritur në “ambjente të vogla, të mbyllura, një etnike”, ku grupi tjetër etnik përgjithësisht përmendet vetëm për keq.


“Fëmijët e asaj moshe, përfshirë edhe ata më të rritur, nuk kanë udhëtuar as deri në Beograd, jo më pastaj të kenë dalë jashtë shtetit,” shpjegon ajo. “Ata nuk njohin asgjë tjetër përveç realitetit të ashpër të Bujanovcit dhe nuk kanë dëgjuar tjetër gjë përveç tregimeve stereotip rreth njëri tjetrit”.


Megjithatë, ajo ende ka shpresë. “Gjëja më e rëndësishme është se çfarë sjell fëmija nga shtëpia,” thotë ajo. “Unë mund të njoh fëmijët të cilët janë rritur mirë nga idetë e tyre për bashkëjetesën dhe tolerancën”.


Nikola Laziq është një gazetar me gazetën Novine Vranjske.


Ky artikull është pjesë e një numri special të përgatitur nga gazetarë nga Serbia e jugut të cilët kanë marrë pjesë në një seminar intensiv dy ditor në Nish, të organizuar nga IWPR në tetor 2004, me mbështetjen financiare të ambasadës së Britanisë së Madhe në Beograd.


Ky kurs trajnimi është pjesë e Projektit të Trajnimit të Mediave Ndëretnike në Serbi i cili synon afrimin e gazetarëve serbë dhe shqiptarë.


Ky grup artikujsh synon të hedhë dritë mbi problemet e veçanta të cilat shqetësojnë këtë rajon të lënë pas dore.