Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Shfaqet Dialogu Bosh

Konflikti në Maqedoni tregon dështimin e mitit të dialogut të frytshëm ndër-etnik gjatë dhjetë vjetëve të fundit.
By Kim Mehmeti

Vetëm amatorët e politikës mund të mbështesin pikpamjen se përleshjet e armatosura në kodrat rreth Tetovës janë vepër e "veteranëve" të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës të cilët kërkojnë të heqin mërzinë duke krijuar një luftë të vogël në Maqedoni.


Një interpretim i tillë nuk merr parasysh një çështje kryesore - nëse këto grupe përbëhen nga disa qindra "Rambo", si ka mundësi që ata e kanë tronditur këtë republikë të re nga themelet?


Edhe nëse teza e "Rambove" është e vërtetë, mbetet fakti që militantët kanë ekspozuar dobësinë e konceptit të demokracisë shumë-etnike të Maqedonisë - një koncept i ndërtuar prej të paktën një dekade mbi bazën e parimit të dominimit të një komuniteti, shumicës Maqedonase, ndaj një tjetri, Shqiptarëve.


Më në fund është shfaqur haptazi kotësia e dialogut ndërmjet Maqedonasve dhe Shqiptarëve. Të rinjtë të cilët kanë marrë armët në Malin Sar po e detyrojnë vendin të shihet në pasqyrë dhe të kuptojë se bisedimet ndër-etnike gjatë dhjetë vjetëve të fundit janë kryer në një kuadër të represionit policor ndaj komunitetit Shqiptar.


Kjo është arësyeja që grupet e armatosura duhet të besohen kur thonë se synimi i tyre nuk është shpërbërja e Maqedonisë, por një dëshirë që të gjithë në Maqedoni të kuptojnë se kur "dialogu demokratik" zhvillohet nëpërmjet gjuhës së shkopinjve të gomës, marrëveshjet kërkohen të arrihen me plumba.


Maqedonia ka shpallur pavarësinë në vitin 1991 pavarësisht abstenimit të Shqiptarëve nga referendumi. Shqiptarët kundërshtuan vendosjen e pyetjes në referendumin për pavarësinë e cila linte një hapësirë që Maqedonia të hynte "në një aleancë të shteteve të pavarura të Jugosllavisë" në një të ardhme.


Maqedonia më pas miratoi kushtetutën e re, përsëri pa përfshirjen e së vetmes parti që përfaqësonte në atë kohë Shqiptarët, Partia për Prosperitet Demokratik. Shqiptarët kundërshtuan përcaktimin e Maqedonisë si një shtet vetëm të kombit Maqedonas. Ata gjithashtu kundërshtuan njohjen e Maqedonishtes si të vetmen gjuhë zyrtare dhe vendosjen e alfabetit Cirilik.


Që prej vitit 1991, Shqiptarët e kanë konsideruar kushtetutën si gjenerator të krizës në vend. Dokumenti është një hibrid i uditshëm, i cili kombinon ambicjet civile me një karakter mono-etnik. Hyrja e dokumentit e përshkruan Maqedoninë si një shtet të Maqedonasve etnikë dhe "qytetarëve të tjerë".


Në vitet pas pavarësisë, Maqedonia nisi një luftë të ashpër ndaj kontrabandës së cigareve. Policia ka sulmuar laqen Bit-Pazar në Shkup. Në një incident, katër njerëz të pafajshëm - Shqiptarë - u vranë. Vrasjet e tyre ende nuk janë hetuar si duhet.


Lufta ndaj kontrabandës synonte shitësit e rrugës në vend të pikave doganore ky hynin në mënyrë të paligjëshme kamionët me cigare. Qëllimi ishte që të goditeshin kryesisht shitësit e vegjël të cilët ishin Shqiptarë, dhe të fajësoheshin vetëm ata për veprimtari kriminale dhe kontrabandë.


Jo se Shqiptarët janë më të ndershëm se popujt e tjerë apo se nuk dëshirojnë të bëjnë pjesë në aktivitete të tilla. Por të veosh ata si burim i këtij aktiviteti kriminal kur praktikisht të gjitha organizmat e shtetit kontrollohen nga një komunitet tjetër etnik - Maqedonasit - ka qenë të paktën diçka e pazgjuar.


Në vitin 1992, një grup intelektualësh Shqiptarë kërkuan të rihapnin Kolegjin e Mësuesve Shqiptarë ku studentët do të mësonin në gjuhën Shqipe. Kolegji ishte mbyllur në vitin 1986 gjatë fushatës në ish Jugosllavi kundër "irredentizmit Shqiptar".


Pasi pritën një përgjigje për dy vjet, Arbër Xhaferri dhe Fadil Sulejmani vendosën që me kokën e tyre të krijonin në vitin 1994 Universitetin e Tetovës. Ndërsa "dialogu demokratik" vazhdonte mbi të ardhmen e institucionit, policia u dërgua për të mbyllur me forcë universitetin.


Ky dialog përfundoi me vdekjen e një Shqiptari, arrestimin e disa nga organizatorëve të universitetit dhe komente arrogante nga ish ministri i atëhershëm i brendëshëm Ljubomir Frçkovski, i cili e cilësoi këtë projekt si një "mbrëmje private". Shteti Maqedonas ende nuk e ka njohur këtë institucion.


Në vitin 1996, dialogu vazhdoi, këtë herë rreth përdorimit të simboleve Shqiptare. Përsëri, bisedimet u shoqëruan me shkopinj gome dhe plumba. Policia ndërhyri në Gostivar për të hequr një flamur Shqiptar nga një ndërtesë e bashkisë. Katër Shqiptarë u vranë, dhe disa qindra të tjerë u rrahën. Kryetari i bashkisë së Gostivarit, Rufi Osmani u arrestua.


Dialogu rreth përdorimit të gjuhës Shqipe dhe përfaqësimit të duhur të Shqiptarëve në institucionet shtetërore është kryer në mënyrë të ngjashme.


Frçkovski mendohet të ketë vendosur qëndrimin e qeverisë ndaj ështjes Shqiptare - fillimisht godit dhe pastaj ndoshta mund të ofrosh ndonjë lëshim, por jo sot nëse mund ta shtysh deri nesër.


Kjo strategji krijoi mendimin në rradhët e komunitetit Maqedonas se ata kanë bërë gjithnjë lëshime. Në anën tjetër, komuniteti Shqiptar krijoi bindjen se do gjë arrihet me forcë. Kjo logjikë ka çuar në shpërthimin e luftimeve në Tanushë dhe Tetovë.


Natyrisht, si të gjithë popujt, edhe Shqiptarët kanë elementë destruktiv në rradhët e tyre. Partitë politike Shqiptare, si ato në koalicionin qeveritar si ato në opozitë, duhen fajësuar për gjëndjen e tanishme.


Disa drejtues Shqiptarë e kanë gënjyer popullin e tyre, duke i premtuar se do ti siguronin të drejtat e tyre sapo të vinin në pushtet. Ata kanë inkurajuar popullin të ëndërrojnë për Iliridën, një entitet autonom i propozuar në kuadër të Maqedonisë - një propozim i votuar nga shumica e Shqiptarëve në një referendum të organizuar prej tyre në vitin 1992. Këta politikanë kanë folur për masa "radikale" nëse ata nuk kanë sukses me anë të "mjeteve paqësore".


Megjithatë, sapo kanë ardhur në pushtet, po këta politikanë kanë ndryshuar ndjeshëm qëndrimet dhe kërkesat e tyre në shkëmbim të një pjese të tortës ekonomike nga Maqedonasit. Ata janë mbiquajtur "Zotërinjtë 10 përqind" - përqindja që thuhet se kanë fituar nga shitja e kompanive shtetërore.


Ndërkohë, votuesit, nuk ka harruar premtimet e bëra, dhe as nuk kanë ndryshuar ambiciet e tyre.


Partia Demokratike e Shqiptarëve e Arbër Xhaferrit, një anëtare e koalicionit qeveritar, kërkon me të drejtë dialogun dhe kundërshton dhunën.


Por PDSH është akuzuar se ka fallsifikuar votat gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 1999, duke lehtësuar rrugën e Trajkovskit për në postin e presidentit. Disa thonë se PDSH-ja ka qenë organizatore e incidenteve me armë gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2000 - ku një Shqiptar u vra në fshatin Kondovo pranë Shkupit. Votuesit kanë bojkotuar raundin e dytë të votimeve në shenjë proteste.


Prej vitesh unë kam argumentuar se demokracia në Maqedoni është realizuar duke përdorur formulat e trashëguara nga ish Jugosllavia. Elita politike po ndërton "bashkim vëllazërimin", duke shtuar fitimet e saj me anë të bizneseve dhe marrëveshjeve të fshehta, ndërsa dy komunitetet më të mëdha në vend po largohen gjithnjë e më tepër. Maqedonasit dhe Shqiptarët kanë të njëjtën republikë por jetojnë në dy botë paralele.


Përleshjet e armatosura përreth Tetovës janë produkti i "dialogut" të dekadës së fundit.


Maqedonia tani ka dy rrugë - të arrijë një marrëveshje të qëndrueshme ose të shpërbëhet. Vendi ka një shans të dalë më i fortë nga kriza por vetëm nëse qytetarët e tij kuptojnë sesa e rrezikëshme do të ishte një lojë e zgjatur me ndjenjat e tyre etnike.


Është e rëndësishme të kuptohet se luftimet në Malin Sar mund të jenë tërheqëse për shumë të rinj Shqiptarë të cilët kanë duruar dhjetë vjet përulje dhe trajtim të egër nga qeveria e tyre, janë mashtruar nga drejtuesit e tyre politik dhe u është premtuar një parajsë nga politikanët të cilët interesohen vetëm për përfitimet e tyre materiale.


Por këto probleme nuk mund të zgjidhen me armë. Militarizimi në Maqedoni mund të ndezë zjarrin në të gjithë Ballkanin. Dhe Shqiptarët do të digjeshin në këtë zjarr së bashku me të tjerët.


Ky mesazh duhet t'u jepet luftëtarëve në Malin Sar. Kryeministri Ljubcko Georgievski apo Xhaferri duhet të hypin në atë kodër dhe të premtojnë para të rinjve atje se Shqiptarët nuk do të dallohen më si burimi i të gjitha të këqijave të vendit; se dialogu në të ardhmen do të jetë i ndershëm dhe nuk do të mbytet nga shkopat e gomës së policisë.


Kim Mehmeti është drejtor i Qendrës për Mirëkuptim Multi-Kulturor dhe Bashkëpunim në Shkup. Ai është gjithashtu krye-redaktor i AIM-së në Maqedoni dhe një nga botuesit e së përjavëshmes në gjuhën Shqipe, Lobi.