Sheshelj Proteston Kundër Partnerëve të Koalicionit

Vojislav Sheshelj mund të jetë duke u përpjekur për të rifituar mbështetësit, të cilët i humbi kur partia e tij u përfshi në koalicionin qeveritar.

Sheshelj Proteston Kundër Partnerëve të Koalicionit

Vojislav Sheshelj mund të jetë duke u përpjekur për të rifituar mbështetësit, të cilët i humbi kur partia e tij u përfshi në koalicionin qeveritar.

Tuesday, 1 August, 2000
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

Kryetari i Partisë Radikale Serbe, SRS, Vojislav Sheshelj, ka sulmuar haptazi partnerët e tij në koalicionin qeveritar, Partinë Socialiste të Sllobodan Millosheviqit dhe të Majtën Jugosllave të drejtuar nga bashkëshortja e tij (Sllobodan) Mira Markoviq.


Deklarimet e tij tregojnë tensionet që ekzistojnë në gjirin e qeverisë dhe mund të shënojnë planet e tij për të hyrë i pavarur në fushatën paraelektorale.


Në një intervistë të kohëve të fundit me të përjavshmen e Beogradit Nedeljni Telegraf, Sheshelj ka dënuar dominimin e disa institucioneve nga njerëz të afërt me të Majtën Jugosllave, JUL. Ai gjithashtu sulmoi edhe ushtrinë jugosllave - një institucion i cili normalisht konsiderohet përtej çdo kritike - duke akuzuar drejtuesin e ushtrisë, gjeneral Nebojsha Pavkoviq, se ka krijuar kultin e tij të individit.


Sheshelj është ankuar se gjenerali po rriste rolin e tij duke botuar libra nëpërmjet ushtrisë jugosllave. "Nuk ka problem nëse gjeneral Pavkoviq shkruan dhe boton libra privatisht në kohën e tij të lirë, por nuk është e pranueshme që librat e tij të botohen nga ushtria jugosllave," ka thënë ai.


Shtëpia botuese e ushtrisë ka botuar së fundi "Në Frontin e Mediave", një përmbledhje të intervistave të Pavkoviq dhe deklaratave të tij për shtyp, si edhe një libër rreth drejtimit të ushtrisë jugosllave, i cili përmbante edhe një portret të zgjeruar të gjeneralit. Në libër ishin përfshirë edhe një numër i madh fotografish të tij në jetën ushtarake dhe atë civile.


Sheshelj e ka krahasuar librin me veprat e ish-udhëheqësit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, duke thënë se libri "nuk ka vlera akademike". Ai është ankuar gjithashtu se prononcimet e Pavkoviqit në publik janë "shpesh me ngjyrime ideologjike, gjë e cila nuk është e mirë".


Duke sulmuar Pavkoviqin, Sheshelj i ka dërguar një mesazh indirekt edhe çiftit udhëheqës. Gjenerali njihet si njeri i afërt me partinë e Mira Markoviq, JUL. Pavkoviq dhe zonja e tij janë para shpesh në publik me çiftin Millosheviq, të cilët e përdorin daljen e tyre në publik si një mënyrë të koduar për të treguar afërsinë e tyre me shokët e zgjedhur.


Sheshelj ka kritikuar influencën e SPS-së dhe JUL-it në Shërbimet e Sigurimit Serb, SDB. Ai ka thënë se anëtarë të JUL-it duhet të largohen nga drejtimi i kompanisë kombëtare të naftës, NIS, dhe kompania e mediave Politika.


Konflikti është shfaqur fillimisht ndërmjet SRS-së dhe JUL-it mbi një ligj të sponsorizuar nga JUL-i për anti-terrorizmin. Kundërshtimi i Shesheljit për ligjin bëri që ai të mos miratohet në parlament. Megjithëse Sheshelj ka thënë se partia e tij kundërshtoi ligjin për shkak të "mungesës së saktësisë dhe qartësisë", mendohet se arësyeja e vërtetë ka qenë një frikë se ky ligj mund të përdorej kundër tij dhe partisë së tij.


Vëzhgues politikë në Beograd thonë se duke kritikuar institucionet shtetërore, Sheshelj jo vetëm që ka nxjerrë në dritë konfliktet që ekzistojnë në gjirin e koalicionit qeveritar, por gjithashtu mund të jetë duke përgatitur terrenin për një fushatë para-elektorale të pavarur. Duke u larguar me zgjuarësi nga JUL-i, ai po krijon një platformë për veten e tij. Për më tepër, atij i duhet të gjejë një mënyrë për të rifituar përkrahjen e humbur të atyre që u larguan nga SRS-ja kur ajo hyri në koalicion me SPS-në dhe JUL-in. Ai ka shumë nevojë për votat e këtyre njerëzve nëse do të përmirësojë rezultatet e SRS-së.


Istvan Molnar është pseudonimi i një gazetari të pavarur në Beograd.


Frontline Updates
Support local journalists