Serbia Hap Varret Masive

Udhëheqja e ushtrisë Jugosllave është vënë nën presion pas zbulimit të shumë varreve masive.

Serbia Hap Varret Masive

Udhëheqja e ushtrisë Jugosllave është vënë nën presion pas zbulimit të shumë varreve masive.

Zbulimi i një tjetër varri masiv në Serbinë perëndimore javën e kaluar ka shtuar edhe më tepër peshë akuzave për krime lufte të ngritura ndaj Sllobodan Millosheviqit në Hagë. Por është e vështirë të kuptohet nëse qëllimi kryesor i këtyre zbulimeve të kryera nga policia Serbe është Millosheviqi, presidenti Jugosllav Vojisllav Koshtunica apo shefi i shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë Gjenerali Nebojsha Pavkoviq.


Presidenti Koshtunica është përfshirë në një luftë politike me kryeministrin Serb Zoran gjingjiq për strukturën e komandës së ushtrisë Jugosllave, VJ. Koshtunica nuk ka treguar se ka ndër mend të ndryshojë drejtuesit e VJ-së, pavarësisht provave të reja për përfshirjen e ushtarakëve në mbulimin e krimeve të kryera ndaj Shqiptarëve të Kosovës gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.


Të Shtunën më 14 Korrik, një zyrtar i ministrisë Serbe të policisë, Kapiteni Dragan Karleusa, u ka thënë gazetarëve se një kamion frigorifer, me 50 deri 60 kufoma, është hedhur në rezervuarin e kompleksit elektroenergjitik të Peruçacit në Serbinë perëndimore, në Prill të vitit 1999. Shtatë kufoma kanë dalë menjëherë në sipërfaqe dhe janë larguar prej andej. Dy ditë më pas edhe trupat e tjerë kanë dalë në sipërfaqe.


E përditëshmja e Beogradit, Danas, ka botuar më 16 Korrik tregimet e dëshmitarëve okularë të cilat janë dhënë gazetës nëpërmjet telefonit nga një rezervist anonim. "Ka qenë natë, dhe unë pashë kamionin frigorifer që po e shtynin në liqen," thotë ai. "Ata më aprë kishin ulur nivelin e ujit. Më pas lëshuan një raketë ndaj kamionit për ta fundosur. Por trupat filluan të dilnin në sipërfaqe nga vrima që kishte hapur rraketa. Ata i morrën kufomat dhe i varrosën në breg të lumit Derventa, pranë fshatit Rastiste".


Rezervisti thotë se trupat që kanë dalë në sipërfaqe të liqenit dy ditë më pas janë varrosur në një varr të veçantë, pranë të parit. Ai thotë se operacioni është quajtur si "sekret shtetëror".


Një oficer i lartë i policisë ka thënë për IWPR-në se dëshmitarët e këtij incidenti fillimisht janë kërcënuar dhe më pas u është paguar nga 20 marka Gjermane për të mbyllur gojën. "Kjo është e vërtetë," konfirmon një zyrtar i qeverisë i cili nuk dëshiron të japë emrin e tij. "Edhe dëshmitarët e tmerrit pranë Kladovës janë detyruar të heshtin në të njëjtën mënyrë".


Kladovo në Serbinë lindore është vendi ku është fshehur një kamion tjetër frigoriferik me trupa të Shqiptarëve të Kosovës (Shih BCR Nr. 256, 15-Qershor-01). Ai kamion, i gjetur më 7 Prill 1999 në shtratin e lumit Danub, përmbante mbi 50 kufoma burrash, grash dhe fëmijësh.


Këta civilë mund të jenë ndërmjet trupave të varrosur në varrin masiv të zbuluar pranë Petrovo Selo, 11 km në perëndim të Kladovos. Më 29 Qershor, prokurori i rrethit Miroslav Srzentiq ka thënë se 74 kufoma janë zbuluar, megjithëse ndërmjet tyre nuk ka pasur fëmijë.


Sipas burimeve të IWPR-së në qeverinë Serbe, një kamion i tretë frigoriferik i mbushur me kufoma të Shqiptarëve është hedhur në Danub në Prill të vitit 1999, jo larg nga diga e Djerpadit. "Ne kemi dëshmitarët," ka thënë ai, "dhe së shpejti do të fillojnë hetimet".


Vendet ku janë këto katër varre masive janë pranë autostradës N752 e cila lidh Kladovon, nëpërmjet Nishit me Prishtinën.


I njëjti burim ka thënë se anëtarë të VJ kanë ngarë kamionët frigoriferik. "A e dini se çfarë u kanë thënë oficerët? Mblidhni trupat në një stivë, i lagni me benzinë dhe i digjni. Kur kanë parë se nuk është djegur gjithëshka, ata djem të rinj janë detyruar të ngarkojnë mbeturinat e trupave në kamionë me lopata".


Tre ushtarë të VJ-së, të cilët kanë marrë pjesë në këtë detyrë të vështirë, janë momentalisht në Spitalin ushtarak të Beogradit. Në kartelat e tyre mjeksore - të cilat IWPR i ka lexuar - doktorët thonë se ata vuajnë nga çrregullime të theksuara psikologjike "të shkaktuara nga varrosja e kufomave".


Ndërkohë, sipas Gjorgje Alempijeviq nga Instituti i Mjeksisë Ligjore, zbulimi i një varri tjetër masiv ka vazhduar në fushën e stërvitjes së ministrisë së brendëshme në Batajnica, 18 km në veriperëndim të Beogradit. Alempijeviq ka kryer punën në varin e parë masiv në Batajnica në Qershor, kur u zhvarrosën 36 deri 38 kufoma.


"Ne ende po punojmë për të identifikuar varret dhe për të filluar gërmimet," thotë ai. "Kemi hequr pjesën e sipërme, dhe është e sigurtë se poshtë ndodhet diçka. Kemi gjetur disa kocka njerëzore. Por nuk mund të parashikoj se sa kufoma mund të jenë aty". Hetuesit e gjykatës së Hagës po marrin pjesë në procesin e zhvarrimit. Zëdhënsaj e prokurores së përgjithëshme Florenc Hartman ka thënë se ata do të qëndrojnë në Serbi derisa të gjitha trupat e sjella nga Kosova dhe të varrosura në Batajnica të jenë numëruar. "Synimi ynë është të zbulojmë të vërtetën e plotë," ka shtuar ajo.


Më shumë se dhjetë orë filmime janë xhiruar gjatë zhvarrimit të varrit të parë masiv në Batajnica në fillim të muajit Qershor. Një shirit e redaktuar i është kaluar prokurorëve në Hagë pak kohë përpara ekstradimit të Millosheviqit.


Dhe sekretet vazhdojnë të dalin në sipërfaqe. Më 17 Korrik, ministri Serb i policisë Dushan Mihajlloviq ka thënë në një konferencë për shtyp se tre vëllezër me mbiemrin Bytyqi, të gjithë qytetarë Amerikan me origjinë Shqiptare, janë ndër trupat e zhvarrosura në Petrovo Selo.


"Në një nga dy varret e inspektuara, tre kufoma meshkujsh janë gjetur me duar të lidhura dhe me sy të mbuluar," ka thënë Mihajloviq. "Këto trupa kanë qenë të ruajtura më mirë se të tjerët, dhe kanë pasur plagosje me armë zjarri në kokë". Vendimi i shkruajtur nga një gjyqtar në Kursumlija, i datës 27 Qershor 1999, është gjetur në një nga xhepat e xhaketës së njërës prej kufomave. Ky vendim e dënonte atë me 15 ditë burgim për shkelje të lejes së qëndrimit për shtetas të huaj.


Vrasja e vëllezërve Bytyqi dhe të tjerëve në këtë varr masiv ka ndodhur natyrisht pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes në Kumanovë, e cila i dha fund luftës në Kosovë.


Asnjë nga këto fakte nuk i shkon për shtat Sllobodan Millosehviqit, por as Gjenerali Pavkoviq apo presidenti Koshtunica nuk mund të ndjehen të qetë. Koshtunica vazhdimisht ka bllokuar ekstradimin e Millosheviqit dhe tani nuk pranon të zëvendësojë Pavkoviqin. Koshtunica gjithashtu duket se është i pavendosur edhe për çështjen e trupave që po zbulohen nëpër varre masive në të gjithë Jugosllavinë.


Kur policia Serbe ka deklaruar se këto janë kufoma të shqiptarëve të Kosovës, presidenti ka dënuar këtë deklaratë si "të parakohëshme dhe të papërgjegjëshme". Ai i ka bërë thirrje ministrit Serb të Drejtësisë të mos i dorëzojë trupat OKB-së në Kosovë "sepse ato mund të jenë viktima të kombësisë Serbe".


Ivan Nikoliq është një korrespondent i së përditëshmes Danas të Beogradit.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists