SERBIA ANALIZON VENDIMIN E HARADINAJ

Vendimi i kryeministrit të Kosovës për të shkuar në Hagë nuk i lë Beogradit arsyetim të mjaftueshëm për të mos i dorëzuar të akuzuarit e vetë.

SERBIA ANALIZON VENDIMIN E HARADINAJ

Vendimi i kryeministrit të Kosovës për të shkuar në Hagë nuk i lë Beogradit arsyetim të mjaftueshëm për të mos i dorëzuar të akuzuarit e vetë.

Tuesday, 2 August, 2005

Aktakuza ndaj kryeministrit të Kosovës mund ta përshpejtojë hapin e bashkëpunimit të Serbisë me tribunalin e Hagës, gjersa Beogradi përpiqet ti shmanget presionit të shtuar nga ana e komunitetit ndërkombëtar.


Në të njëjtën kohë, familjet e serbëve të Kosovës të cilët janë zhdukur gjatë konfliktit thonë se nuk janë të impresionuar me dorëzimin e Ramush Haradinaj, ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili ishte aktiv në Kosovën perëndimore, ku shumë serbë janë zhdukur dhe supozohet të jenë vrarë.


Haradinaj iu dorëzua tribunalit të Hagës në më pak se 24 orë pasiqë e morri aktakuzën.


Rasim Ljajic, drejtues i Këshillit Kombëtar Serb për bashkëpunim me Hagë i tha IWPR se kjo aktakuzë “padyshim se do të shtojë presionin nga ana e komunitetit ndërkombëtar dhe tribunalit të Hagës ndaj Serbisë për bashkëpunim me gjykatën”.


Ai shtoi, “Ne nuk do të presim që të na bëhet presion, por do të inicojmë dorëzimin në bazë vullnetare në Serbi”.


Ljajic tha se ai pret “më shumë[persona], përfshirë këtu edhe gjeneralin Sreten Lukic, ti dorëzohen Hagës para fundit të marsit”.


Zyrtarët ndërkombëtarë e mirëpritën vendimin e Haradinaj për të bashkëpunuar me gjykatën dhe ftuan ish shtetet tjera jugosllave që strehojnë të dyshimtë për krime luftë të ndjekin këtë shembull.


Javier Solana, përfaqësues i lartë i Unionit Evropian për politikë të jashtme, ishte njëri ndër të tjerët që e mirëpriti veprimin e Haradinaj, duke thënë, “Bashkëpunimi i plotë me tribunalin është tejet i rëndësishëm për të gjithë”.


Ministri britanik për Evropë Denis MacShane tha se ai beson se vendimi i Haradinaj do tu ”dërgojë mesazh të tjerëve që janë në ikje dhe duke u fshehur”.


Mungesa e bashkëpunimit me Hagën është njëra ndër pengesat kryesore qe e bllokon progresin e Serbisë drejt Unionit Evropian dhe anëtarësimit në NATO.


Qysh kur aktakuzat e para u bënë publike dhjetë vite më parë, Serbia nuk ka marrë asnjëherë vlerësim pozitiv për bashkëpunimin e saj me tribunalin.


Personat më prominentë ende jo të pranishëm ne Hagë janë dy figurat më të kërkuara nga lufta në Bosnjë në vitet 1992-1995 Ratko Mladic dhe Radovan Karadzic, të dytë të akuzuar për gjenocid.


Si shenjë që dicka po lëviz në drejtim të duhur, Vladimir Lazarevic, një ndër katër gjeneralët serbë të kërkuar, iu dorëzua Hagës muajin e shkuar së bashku me tre të akuzuar tjerë.


Por për dallim nga dorëheqja e menjëhershme dhe dorëzimi i Haradinaj, disa nga këta persona kanë qenë në listën e të kërkuarve për më shumë se një vit.


Politikanët serbë kanë bërë presion për ngritjen e aktakuzës kundër Haradinaj që disa vite, duke thënë se kjo do të ishte shenjë se tribunali nuk është politikisht i njëanshëm.


Analisti politik Slobodan Antonic tha se aktakuza duhet të ketë efekt pozitiv, “duke koinciduar me përshpejtimin e bashkëpunimit të Serbisë”.


Ai tha se tanimë nuk ka kthim prapa për qeverinë serbe në këtë çështje. “Kritikët e Hagës e shfrytëzonin mungesën e një aktakuze ndaj Haradinaj si një ndër arsyetimet kryesore për mungesën e bashkëpunimit nga ana e tyre,” I tha ai IWPR.


James Lyon, drejtor për Beograd i organizatës Crisis Group me seli në Bruksel, I tha IWPR se Haradinaj ka “vendosur një standard të sjelljes së drejtë ndaj Hagës”, gjë që e kthen Serbinë prapa.


“Nëse një kryeministër në funksion mund ti bëjë të gjitha për një ditë, Serbia nuk do të ketë më arsyetim për mos-arrestimin e Karadzicit, Mladicit dhe gjeneralëve të tjerë-posaqërisht për faktin se ata janë të akuzuar për krime më të mëdha se Haradinaj,” tha ai.


Zoran Stojiljkovic, profesor i shkencave politike në Univerzitetin e Beogradit, tha se dorëzimi I Haradinaj do ti inkurajojë forcat pro-Hagë në Serbi.


“Nëse kjo do të përfundojë në një gjykim të vërtetë, dhe jo vetëm në një veprim të menjëhershëm ad-hoc që do të çojë në kthimin e shpejtë të Haradinaj nga Haga, kjo do të shërbente si argument në favor të bashkëpunimit nga elementet pro-perëndimorë në skenën politike serbe,” tha ai.


Kjo do të dëshmonte se gjykata e Hagës ka “një qëndrim të balansuar ndaj të gjithë Ballkanit”, shtoi ai.


Prapëseprapë, siç paralajmëroi edhe Lyon, si pasojë e menjëhershme e aktakuzës së Haradinaj mund të jetë rritja e presionit ndaj Serbisë në dorëzimin e të akuzuarve të saj famëkeq.


“Komuniteti ndërkombëtar do të presë një sjellje të ngjashme nga vendet tjera dhe do të ushtrojë rritje të presionit ndaj Serbise ti ekstradojë të ikurit”, tha ai.


Një zhvillim tjetër pozitiv ishte se Serbia e morri lajmin e dorëzimit të kryeministrit të Kosovës qetësisht, pa shprehur në mënyrë provokative dhe joproduktive shenja euforie dhe trumfi.


“Së paku askush në udhëheqësi nuk u pa duke festuar akuzimin dhe zyrtarët serbë e kufizuan veten me komente të moderuara,” tha Stojiljkovic.


Publiku në Kosovë gjithashtu e priti lajmin e aktakuzës në mënyrë të qetë, duke e shtyrë Sekretarin Gjeneral të Kombeve të Bashkuara Z. Kofi Annan të përgëzojë “ sjelljen e qetë dhe paqësore” me të cilën populli i Kosovës reagoi.


Por përderisa Ljajic tha se aktakuza e re mund të “zbusë qëndrimet negative të publikut serb ndaj gjykatës për krime të luftës që konsiderohet të jetë anti-serbe”, publiku serb nuk dukej të ketë përjetuar ndonjë ndryshim thelbësor.


Anëtarët e shoqatës së familjeve me persona të zhdukur në Kosovë thanë se ekstradimi i Haradinaj do të bënte pak për të zbutur dhimbjen e tyre.


Një nënë djali i së cilës është i zhdukur në Kosovë I tha IWPR, “Nuk më intereson se ku është Haradinaj. Unë vetëm jam e interesuar ta gjej djalin tim”.


Një grua tjetër tha se të gjithë “jemi duke i humbur shpresat se të dashurit tonë janë gjallë. Nëse ata do të ishin gjallë-nuk do të kishte nevojë [që Haradinaj] të shkonte në Hagë.”


Familjet që janë duke pritur që gjashtë ose shtatë vite për të dëgjuar lajme për familjarët e tyre nuk do të ndjehen më ndryshe për shkak të lajmit për aktakuzën, shtoi ajo.


Këto opinione reflektohen tek njerëzit në rrugë, ku në intervistë për IWPR pak nga këta njerëz dukeshin të impresionuar me zhvillimet e fundit.


Vetëm 10 për qind e popullatës në Serbi e favorizon plotësisht bashkëpunimin me Hagën, gjersa 41 për qind është absolutisht kundër, në bazë të një ankete të vjeshtës së shkuar.


“Me një lule nuk vjen pranvera,” tha 23 vjeçari Veljko, duke e përfaqësuar qëndrimin anti-Hagë, që përkrahet nga shume serbë.


“Ne e kemi një qeveri të tërë dhe një qendër ushtarake në Hagë. Një kryeministër nga Kosova nuk do të bëjë një ndryshim të madh.”


Tanja Matic është bashkëpunëtore për IWPR në Beograd.


Frontline Updates
Support local journalists