Serbët të Pakënaqur nga Përpjekjet e Malazezëve për Pavarësi

Serbët duket se e kanë të vështirë të pranojnë shkëputjen e paevitueshme të Malit të Zi nga federata Jugosllave

Serbët të Pakënaqur nga Përpjekjet e Malazezëve për Pavarësi

Serbët duket se e kanë të vështirë të pranojnë shkëputjen e paevitueshme të Malit të Zi nga federata Jugosllave

Mali i Zi duket se është shumë pranë pavarësisë - dhe Serbët janë të pakënaqur nga kjo.


Për herë të parë në këtë dhjetëvjeçar, Beogradi nuk do të përdorë forcën për të parandaluar largimin e republikës nga Jugosllavia, por megjithatë është rritur ndjenja e zemërimit ndaj Malazezëve.


Pas zgjedhjes së tij më 25 Janar, Kryeministri Zoran Xhinxhiç ka thënë se Serbia do të kërkojë që të dy entitetet të ndahen nëse nuk arrihet një marrëveshje për të sheshuar diferencat që ekzistojnë mes tyre.


Vojisllav Koshtunica duket se e pranon shkëputjen si një gjë të paevitueshme. "Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve do të bazohen në respektimin e vullnetit të popullit," ka thënë presidenti Jugosllav.


"Nëse Malazezët nuk dëshirojnë të jenë pjesë e federatës, vullneti i tyre do të respektohet."


Deklaratat e udhëheqësve të rinj janë bërë menjëherë pas bllokimit të bisedimeve me Presidentin Malazez Millo Gjukanoviç më 17 Janar.


Serbët nuk kanë kërcënuar por zhgënjimi i tyre është i dukshëm, sepse ata kanë një histori, kulturë dhe gjuhë të përbashkët me Malazezët.


Përveç lidhjeve emocionale të cilat mbajnë të lidhura dy shtetet, ata që përkrahin bashkimin thonë se ndarja do të krijojë edhe shumë probleme praktike.


Shpërbërja e federatës në fakt do të thoshte zhdukje e Jugosllavisë si një entitet. Kjo ndarje, për pasojë mund të shkaktonte edhe shkëputjen e Kosovës.


Ndarja do të ketë gjithashtu pasoja të rënda financiare. Serbia do të duhet të riparaqesë kërkesën për njohje ndërkombëtare, gjë e cila ndoshta do të kërkojë një farë kohe dhe do të vonojë ndihmën e huaj financiare tepër urgjente.


Në fakt, pozicioni i vetë Koshtunicës mund të vihet në pikpyetje, sepse, ai do të mbetej president i një vendi që praktikisht ka pushuar së ekzistuari. Disa analistë në Beograd thonë se kjo është arësyeja që kryetari I shtetit Jugosllav nuk është përpjekur ende të largojë nga posti presidentin Serb dhe të akuzuarin për krime lufte nga gjykata e Hagës, Milan Milutinoviç. Nëse Mali i Zi shkëputet, mundet që Koshtunica të zërë vendin e Milutinoviçit.


Drejtuesit e rinj në Serbi duket se nuk kanë shumë mundësi për të zgjidhur marrëdhëniet e acaruara me Malin e Zi.


Disa Serbë kanë besuar me naivitet se problemet do të mbaronin me largimin e Sllobodan Millosheviçit - një pikpamje e cila ka nënvleftësuar dëshirën e Malit të Zi për t'u shkëputur nga politika e ndjekur nga Serbia gjatë dhjetë vjetëve të fundit.


Kur u kuptua se Koshtunica nuk ishte aspak një person i pëlqyeshëm në Podgoricë, Serbët kanë reaguar me zemërim.


Një nga titujt më të keqdashës në shtypin e Beogradit ka qenë: "Vetëm Gjukanoviç dhe Thaçi (ish komandanti i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës) nuk e njohin Koshtunicën si president të RFJ-së".


Zemërimi ndaj 600,000 Malazezëve të cilët jetojnë në Serbi (i njëjti numër me popullsinë në vetë Malin e Zi) po rritet.


Serbët po i pyesin Malazezët se çfarë kërkojnë në të vërtetë. Shumë Malazez kanë poste drejtuese në Serbi dhe vetë Serbët nuk arrijnë të kuptojnë se përse ata dëshirojnë të shkeputen kur republika e tyre është kaq e vogël.


"Tani ka ndryshuar çdo gjë," thotë pensionistja Milka Cukiç, një Malazeze që jeton në Beograd. "Serbia nuk ka më fuqi për një luftë tjetër, dhe ky është shpëtimi ynë. Ne do të mbijetojmë pavarësisht se vazhdimisht na ngacmojnë dhe na shohin me poshtërim."


Një presion të madh po e ndjejnë edhe një numër i madh studentësh Malazezë të cilët prej kohësh kanë studjuar në Universitetin e Beogradit. Shumë Serbë privatisht thonë se nëse Malazezët dëshirojnë të largohen, ata duhet të paguajnë si të gjithë studentët e tjerë të huaj.


Drejtuesi i Lëvizjes për Ripërtëritje Serbe Vuk Drashkoviç e ka përshkruar armiqësinë ndaj Malazezëve si "histeria anti Malazeze" dhe "Nazizëm Serb" që po vihet re në rrugët e Beogradit gjatë javëve të fundit.


Si pasojë, gjithnjë e më tepër Malazez në Serbi po ndjehen të detyruar nga fqinjët e tyre Serbë të përkrahin linjën e Serbëve. Shumë njerëzve kjo gjë i kujton periudhën kur Koracia dhe Bosnja u shkëputën nga Jugosllavia.


Në disa raste, zemërimi ia ka lënë vendin dorëzimit. "Le të shkëputet Mali i Zi," ka thënë ambasadorja Jugosllave e sapoemëruar në Meksikë, Vesna Peshiç, në fund të Janarit.


Por edhe këto ditë, disa Serbë shpresojnë se vëllezërit e tyre Malazez do të ndryshojnë mendim.


Kjo gjë është nxitur më shumë nga një deklaratë e kohëve të fundit e BE-së e cila kundërshtonte krijimin e një shteti të ri në Ballkan dhe një shpresë se ata që përkrahin bashkimin do të fitojnë zgjedhjet e ardhëshme në Podgorica, duke bërë kështu që çështja e pavarësisë të shtyhet.


"Unë shpresoj," thotë historiani Serb Dushan Batakoviç, se "Malazezët do të kuptojnë se interesi i vërtetë i Malit të Zi është që të mbetet në kuadrin e një bashkimi me Serbinë, sepse Mali i Zi ka më tepër nevojë për Serbinë sesa anasjelltas."


Batakoviç thotë se Podgorica duhet të jetë mirënjohëse për faktin se ajo ka si partnere shtetin më të madh në rajon. Shpresat e Malazezëve që republika e tyre të bëhet një farë Monte Karlo e ardhëshme, nuk janë realiste, thotë ai.


Gjatë takimit të tyre më 17 Janar, Gjukanoviç dhe Koshtunica kanë mundur të flasin vetëm për "mospajtimet e tyre të thella për sa i përket së ardhmes".


Të dy udhëheqësit kanë pasur vizione të ndryshme për sa i përket një federate të ardhëshme dhe të dy kanë refuzuar një kompromis.


Në fund të Dhjetorit të vitit të kaluar, Mali i Zi kishte propozuar një bashkim të dy shteteve të pavarura dhe të njohura ndërkombëtarisht, në kuadrin e një federate të lirë.


Kjo nuk është pritur mirë nga udhëheqja Serbe, e cila mendon se kjo do të çonte në humbjen kontrollit mbi forcën policore federale dhe të presidencës shtetërore, duke bërë Jugosllavinë një shtet me një qeveri qendrore më të dobët edhe se Bosnje-Herzegovina.


Po ashtu, propozimet e Koshtunicës nuk janë pritur mirë në Malin e Zi dy javë më pas. Presidenti Jugosllav ka paraqitur një propozim i cili parashikonte që Serbia dhe Mali i Zi të kishin një politikë të jashtëme dhe të mbrojtjes, monedhë, marrëveshje doganore dhe një sistem transporti të përbashkët.


Me mundësinë e një ndarjeje, çfarë e pret Serbinë në të ardhmen? I gjithë spektri politik Serb, i frikësuar nga një izolim i ri i mundëshëm ka filluar të nxjerrë në dritë sugjerime tepër të çuditëshme.


Zoran Angjelkoviç, sekretar i përgjithëshëm i partisë SPS të Millosheviçit, ka propozuar se në rast të shkëputjes së Malit të Zi, Serbia duhet të kërkojë të bashkohet me Maqedoninë.


Zëvendës presidenti i qeverisë Serbe, Nebojsha Coviç ka sugjeruar një bashkim me Bullgarinë , Rumaninë dhe Greqinë.


Pas këtyre skenareve irracionale qëndron një frikë se Serbia mund të mbetet vetëm për të përballuar problemet pothuajse të pakalueshme. Vendi duhet të përballet jo vetëm me një korrupsion tepër të zhvilluar dhe një ekonomi në gjendje të mjeruar, por edhe me çështjen tepër delikate të përgjegjësisë për krimet e luftës.


Milanka Saponja-Haxhiç është një gazetare dhe aktiviste e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.


Support our journalists