SERBET LARGOHEN NGA SHTEPITE
Përforcimet e trupave paqeruajtëse duket se kanë ardhur tepër vonë për të shpëtuar enklavat serbe.
SERBET LARGOHEN NGA SHTEPITE
Përforcimet e trupave paqeruajtëse duket se kanë ardhur tepër vonë për të shpëtuar enklavat serbe.
Nikoliq Solomon në Beograd (BCR No 487, 19-Mar-04)
Tre ditë pas shpërthimit më të ashpër të dhunës në Kosovë që prej marrjes nën kontroll nga OKB në vitin 1999, po shtohet frika se pjesa më e madhe e enklavave të mbetura serbe në fakt është shkatërruar, pasi disa dhjetra shtëpi dhe mbi 20 kisha janë djegur.
Komuniteti ndërkombëtar ka filluar të dislokojë mbi 1,000 trupa të freskëta në mbështetje të 17,500 trupave që janë prezente, të cilat nuk kanë arritur të parandalojnë atë që mesa duket kanë qenë grupe të organizuara mirë shqiptarësh të cilët kanë sulmuar pothuajse cdo vend ku serbët jetojnë ende në Kosovë.
Numri i të vrarëve sipas UNMIK është 31, ndërsa mbi 600 të tjerë janë plagosur. Ndër ta ka edhe serbë dhe shqiptarë.
Protestuesit kanë sulmuar gjithashtu edhe forcat ndërkombëtare në kryeqytet. Michael McClellan, i zyrës amerikane në Prishtinë, ka thënë se “Sot, trupat amerikane janë sulmuar nga protestues – kjo nuk është dëgjuar asnjëherë më parë”.
Ndërsa drejtues të ndryshëm nga e gjithë bota kanë shprehur tronditje dhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka dënuar dhunën si të “papranueshme”, Serbia ka protestuar me forcë ndaj pamundësisë së komunitetit ndërkombëtar për të mbrojtur rreth 100,000 serbët që jetojnë ende në Kosovë dhe ka bërë thirrje për protesta të mëdha paqësore.
Në Kosovë, e vetmja kishë serbe në Prishtinë është plackitur dhe dëmtuar nga zjarri dhe rreth 200 banorët e fundit serbë të mbetur në qytet, pjesa më e madhe e të cilëve jetonin në një bllok apartamentesh pranë kishës, janë evakuar nga qyteti.
Protestuesit në rrugët e Prishtinës, disa prej të cilëve kishin edhe maska kundra gazit, janë dukur më të organizuar se sa KFOR apo policia, në disa raste duke ndaluar edhe makinat e zjarrfikësve për tu mos u afruar në objektet që po digjeshin.
Në një incident në Obiliq, pranë Prishtinës, protestuesit kanë ndaluar një mjet të zjarrfikësve, kanë hapur derën dhe kanë kërcënuar shoferin duke i thënë “Pse po shkon atje? Nuk po digjet shtëpia jote!”
Disa fshatra serbe janë braktisur krejtësisht nga banorët serbë, përfshirë Obiliq, Gradishtë e Vjetër dhe Svinjare. Motrat në një manastir të izoluar në Devic, në Kosovën veriore, janë evakuar me helicopter ndërsa ndërtesa ishte në flakë.
Në Lipjan, në Kosovën qendrore, zyrtarë local serbë kanë kërkuar mbrojtjen e paqeruajtësve dhe evakuimin e rreth 200 fëmijëve dhe pleqve nga qyteti i ndarë.
I gjithë komuniteti serb në Lipjan ka kaluar natën në një bazë ushtarake të ushtarëve finlandezë të KFOR, pasi kanë pasur frikë, ndërsa ushtarët finlandezë janë përleshur me të rinj shqiptarë të cilët kanë sulmuar kishën ortodokse.
Serbët lokal kanë thënë se atyre u janë dhënë siguri se në qytetin e tyre do të shkojnë trupa të tjera ndërkomëbtare.
Në Cagllavicë, një fshat i vogël pranë Prishtinës i cili është sulmuar nga shqiptarët më 17 mars, dhe janë djegur disa shtëpi, një numër i vogël serbësh qëndrojnë të mbyllur në shtëpi të mbrojtur nga marinsat amerikanë.
Në Gjilan, është vendosur ndalim qarkullimi dhe policia lokale e Kosovës po ruan kishën nga ndonjë sulm.
Gjendja në Mitrovicë vazhdon të jetë e tensionuar pasi disa shpërthime kanë tronditur një prej zonave të fundit në pjesën serbe ku jetojnë shqiptarë dhe boshnjakë.
Nuk ka ende njoftime mbi ndonjë viktimë apo se kush ka qenë përgjegjës.
Më parë, Oliver Ivanoviq, një drejtues i serbëve lokal, kishte paralajmëruar probleme nga tre blloqe apartamentesh banorët shqiptarë të të cilave, sipas tij, ishin të armatosur dhe po qëllojnë nga ballkonet.
Ai ka thënë se serbët vendas i kishin kërkuar KFOR të largonte shqiptarët nga ndërtesat. “Shpresoj që KFOR do ti lëvizë prej andej sot. Përndryshe kam frikë se pastaj do ta bëjnë serbët,” ka thënë ai.
Mitrovica ka qenë piknisja e përleshjeve më të fundit këtë javë, pas mbytjes së pashpjegueshme të dy fëmijëve shqiptarë të cilët thuhet se janë ndjekur në lumë nga disa serbë.
Një kollonë prej 15 mjetesh të blindurara italiane dhe franceze është parë të lëvizë nga Prishtina në drejtim të Mitrovicës për të përforcuar forcat franceze të cilat ruajnë urën që ndan pjesët serbe dhe shqiptare të qytetit.
Mjetet e blinduara kanë bllokuar urën mbi lumin Ibër ndërsa trupat kanë vendosur tela me gjemba për të mos lejuar shqiptarët të shkojnë në drejtim të pjesës serbe. Eshtë njoftuar se OKB ka tërhequr punonjësit e saj nga pjesa jugore e qytetit.
Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka vizituar pjesën jugore dhe u ka kërkuar shqiptarëve atje të tregojnë më tepër besim tek aftësitë e KFOR.
Në orët e para të mëngjesit të 19 mars, disa autobusë të ngarkuar me fëmijë, gra dhe burra, janë larguar nga pjesa veriore e kontrolluar nga serbët për në pjesën jugore shqiptare, të frikësuar se mund të ketë akte të reja dhune.
Që prej marrjes nën kontroll nga OKB dhe NATO në vitin 1999, Mitrovica ka qenë pika qendrore e dhunës etnike në rajon.
Ivanoviq ka thënë për IWPR se “Ngjarjet më të fundit tregojnë se projekti i një Kosovë shumë etnike ka dështuar krejtësisht”. Ai ka shtuar se me tepër faj për këtë kishte komuniteti ndërkombëtar sesa drejtuesit lokal shqiptarë, megjithëse ai shpresonte që përforcimet e KFOR do të qetësojnë situatën.
Në Beograd, serbë të zemëruar kanë ndjekur me vëmendje lajmet në television dhe radio, të cilat kanë transmetuar lajme të shumta mbi gjendjen në Kosovë.
Shumë prej tyre kanë kritikuar komunitetin ndërkombëtar për paaftësinë e treguar për të mbrojtur serbët e Kosovës. “Si është e mundur që disa mijëra ushtarë të KFOR të mos mbrojnë dot pakicën serbe? Serbët janë carmatosur nga KFOR dhe tani nuk mund të mbrojnë veten,” ka thënë një burrë.
Këmbanat e kishave kanë rënë në të gjithë Serbinë ndërsa rreth 10,000 vetë kanë marshuar drejt kishës kryesore të qytetit të Shën Savës, me në krye kryeministrin Vojisllav Koshtunica.
‘Komuniteti ndërkombëtar po dënon dhunën por nuk po bën asnjë përpjekje,” ka thënë një prej demonstruesve.
Disa analistë kanë thënë se qeveria po përpiqej të vendoste nën kontroll demonstrimet popullore me qëllim që të drejtojë pakënaqësinë e njerëzve në drejtim pozitiv pas trazirave që kanë ndodhur në qytet dhe djegies së xhamisë më të madhe natën e 17 marsit.
Në një tjetër zhvillim shqetësues që tregon se huliganë po bëhen pjesë e protestave, disa persona të dhunshëm në Novi Sad kanë sulmuar ndërtesën e teatrit hungarez dhe një zonë të banuar kryesisht nga romë. Në Beograd, është sulmuar edhe ambasada kroate.
Ekranet e televizioneve janë nxirë kur ato kanë ndërprerë transmetimet në përgjigje të një thirrjeje të qeverisë për tre minuta heshtje në shenjë solidariteti me serbët e Kosovës.
Ndërsa gazetat serioze kanë mbuluar zhvillimet në mënyrë të përgjegjëshme, disa nga mediat e tjera kanë nxitur pasionet. Një e përditëshme, Kurir, është botuar me titullin e madh “Masakër ndaj Serbëve në Kosovë dhe Metohi – SERBI NGRIHU!”
Tanja Matiq dhe Jeta Xharra janë respektivisht koordinatore dhe drejtuese e projektit të IWPR në Prishtinë. Dragana Nikoliq Solomon është drejtore e IWPR për Serbinë në Beograd.