Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Serbët Dergjen në Burgje në Kosovë

Aktivistët e të drejtave të njeriut akuzojnë KFOR-in se po bëhet një bashkëpunëtor i qetë në burgosjen e shumë civilëve serbë në Kosovë.
By IWPR

Shumë civilë serbë në Kosovë të rrëmbyer nga shqiptarët vendas po mbahen në disa burgje të vegjël në provincë, ka deklaruar një degë lokale e organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Komiteti i Helsinkit.


Burgjet, numri i saktë i të cilëve nuk dihet, sipas zyrtarëve të Komitetit, drejtohen nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Ata thonë se të burgosurit janë trajtuar keq - dhe disa dihet se kanë vdekur pasi janë torturuar.


Anëtarë të një dege të Komitetit të Helsinkit në rajonin e Sanxhakut, të banuar kryesisht nga muslimanë, që shtrihet në kufirin ndërmjet Malit të Zi dhe Serbisë, kanë vizituar kohët e fundit pesë nga këto burgje - në Dobra Vodë, Pejë, Gjakovë, Studenicë dhe Drenovc - ku mbaheshin të burgosur rreth 142 serbë.


"Në fillim trajtimi i të burgosurve ka qenë i tmerrshëm - tani kushtet janë shumë më të mira, sepse të burgosurit po përgatiten për t'u shkëmbyer me shqiptarët që mbahen në burgjet serbe," thotë Presidenti i Komitetit të Helsinkit për Sanxhakun, Sefko Alomeroviq.


Ka gjithashtu njoftime për serbë dhe shqiptarë që mbahen të burgosur në burgje në veri të Shqipërisë. "Ka dy kampe. Një në Kukës dhe një tjetër në Tropojë. Kur isha atje kam parë shumë njerëz të cilët nuk ishin shqiptarë. Ne nuk lejoheshim të kishim kontakte me ta, por ata duhet të kenë qenë serbë," i ka thënë një ish i burgosur shqiptar organizatës Amnisti Interneshënëll.


Komiteti i Helsinkit ia ka kaluar kërkimet KFOR-it, por mosnisja nga ana e tij e një hetimi të plotë ka bërë që Alomeroviq të akuzojë aleancën se është një bashkëpunëtore e heshtur e burgosjes së serbëve. Ai deklaron se menjëherë pasi KFOR-i u njoftua për vendndodhjen e kampeve të burgosurit janë lëvizur për në vende të tjera.


Zbulimi i Komitetit të Helsinkit pason shqetësimin në rritje për vendndodhjen e disa qindra serbëve lokalë të cilët janë rrëmbyer nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK.


Në janar një shoqatë me qendër në Beograd, e cila përfaqësonte familjet e të rrëmbyerve serbë, i dha Alameroviqit një dosje me një listë prej rreth 500 serbë të rrëmbyer dhe me detaje të imta rreth rrëmbimit të tyre. Shoqata thotë se ajo po punon edhe për rastet e rreth 700 serbëve të tjerë të zhdukur.


Rrëmbimi i serbëve të Kosovës ka filluar pothuajse dy vjet më parë, pikërisht në kohën e shtimit të aktivitetit guerrilas të UÇK-së në provincë. Sipas grupit të pavarur të të drejtave të njeriut, me qendër në Beograd, Qendra Ligjore Humanitare, luftëtarët e UÇK-së kanë ngritur pika kontrolli në zonat që ata kontrollonin, duke ndaluar autobusët dhe duke kërkuar për zyrtarë të sigurimit serb - rreth 100 njerëz janë ndaluar në këtë mënyrë. Por pjesa më e madhe e tyre kanë qenë civilë.


Militantët shqiptarë e kanë përdorur rrëmbimin edhe si një instrument terrori, duke rrëmbyer fshatarë serbë dhe duke kërcënuar fqinjët e tyre me një fat të ngjashëm nëse nuk vendosnnin të largoheshin nga shtëpitë e tyre.


Qendra Ligjore Humanitare thotë se shumë nga viktimat e rrëmbyera janë mbajtur në burgje të drejtuara nga UÇK-ja dhe intervistat me ish të burgosur kanë treguar se ata rriheshin rregullisht.


Pas mbërritjes së NATO-s rrëmbimi ka vazhhduar të përdoret për të terrorizuar serbët dhe për t'i detyruar ata të largohen nga shtëpitë e tyre, por gjjithnjë e më shumë rrëmbimet janë bërë edhe me qëllim për t'i shkëmbyer ata me shqiptarët të cilët mbahen të burgosur në Serbi. Shifrat e shqiptarëve të Kosovës të mbajtur në burgjet serbe shkojnë nga 2,000 deri në 3,000 njerëz. Ata janë ish luftëtarë por edhe shumë civilë, përfshirë disa që thuhet të jenë rrëmbyer ndërsa forcat serbe janë larguar nga provinca një vit më parë.


Shumë nga të burgosurit keqtrajtohen, nuk dinë se me çfarë akuze mbahen në burg dhe nuk u jepet mundësia për të pasur avokat mbrojtës.


Sipas kushteve të Konventës së Gjenevës, të gjithë të burgosurit e luftës duhet të ishin liruar menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë. Autoritetet jugosllave kanë argumentuar se traktati nuk ka veprim në këtë rast, sepse konflikti ka qenë i brendëshëm dhe jo ndërkombëtar. Perëndimi e kundërshton këtë, por megjithatë kur NATO-ja nënshkroi marrëveshjen e Kumanovës me Ushtrinë Jugosllave përpara largimit të saj nga Kosova ata e lanë çështjen e të burgosurve të luftës jashtë këtij dokumenti.


Si rezultat agjensitë ndërkombëtare po veprojnë në një zonë të errët. ICRC-ja, për shembull, argumenton se megjithëse ajo i ka vizituar shqiptarët e mbajtur në burgjet serbe, ajo nuk mund të kërkojë lirimin e tyre, sepse Kosova është akoma teknikisht pjesë e Jugosllavisë dhe jo një shtet i pavarur.


Ka pasur disa shkëmbime të burgosurish që prej përfundimit të konfliktit, por pjesa më e madhe e të burgosurve duket se nuk kanë shumë shpresa për t'u liruar së shpejti.


Si rezultat disa familje të të burgosurve serbë dhe shqiptarë janë përpjekur të rregullojnë shkëmbimin e tyre privatisht nëpërmjet miqve të tyre me lidhje të forta apo duke paguar para nën dorë zyrtarëve. Disa kanë punësuar edhe një agjensi detektive serbe. (Shih BCR Nr.118 - Detektivi u Jep Shpresë të Burgosurve të Luftës në Kosovë)


Akoma edhe më shqetësuese janë rastet kur avokatë serbë kërkojnë para nga familjet e klientëve të tyre në Kosovë. Dhe në Podujevë, pranë kufirit të provincës me Serbinë, thuhet se vepron një "treg të burgosurish" jo zyrtar.


Miroslav Filipoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së në Kraljevo.