Serbët Çmenden Pas Kinemasë

Serbët dynden në kinema për t'ju larguar realitetit të ashpër të regjimit të Millosheviqit.

Serbët Çmenden Pas Kinemasë

Serbët dynden në kinema për t'ju larguar realitetit të ashpër të regjimit të Millosheviqit.

"Unë shoh shumë prodhime të Hollivudit, por nuk humbas as edhe një film të prodhimit jugosllav," thotë Milica, një e apasionuar e kinematografisë nga Beogradi, një nga 300,000 spektatorët që kanë ndjekur Thesari i Familjes, sensacioni më i madh i këtij sezoni në Serbi.


Edhe përpara shkatërrimit të Jugosllavisë, kur një popullsi prej rreth 24 milion njerëzish jetonin në kushte ekonomike relativisht të mira, një film i ndjekur nga 300,000 njerëz do të quhej sukses i madh. Tani me një popullsi nën 10 milion dhe prodhimin e përgjithshëm bruto më të vogël në Europë, një numër i tillë shikuesish është një mrekulli.


Jugosllavia bën pjesë në atë numër gjithnjë e më të vogël vendesh, përfshirë Iranin, Indinë dhe Kinën, ku termi "industria kombëtare e filmit" akoma ka një farë kuptimi. Kudo tjetër nga Kejp Taun në Rejkjavik janë po ata dhjetë filma që janë më të ndjekurit si në të gjithë botën. Në vitin 1998 në dhjetë filmat më të parë në Serbi përfshiheshin pesë prodhime vendase, një shifër kjo që nuk mund të gjendet as edhe në vende me traditë të pasur kinematografike si Franca apo Italia.


Disa njerëz mund të habiten se si një vend kaq i varfëruar, akoma nën shtrëngimin e sanksioneve ekonomike dhe i ngërthyer nga shumë probleme, të mund të prodhojë deri dhjetë filma në vit. Edhe me cilësi të mirë. Mbijetesa e kinematografisë jugosllave është një histori e triumfit ndaj armiqësisë dhe vështirësive.


Jugosllavia nuk gëzon asnjë proteksionizëm i cili ekziston në vende të tjera me industri kinematografike të suksesshme. India dhe Kina nuk lejojnë që filmat e prodhuara nga Hollivudi të konkurojnë në kushte të barabarta me prodhimet vendase. Franca merr një pagesë të madhe nga marrëveshja e GATT-it për të mbrojtur filmat e prodhuara në vend ndaj gjigandëve të Hollivudit. Në Jugosllavi filmat amerikanë blihen dhe shfaqen pa asnjë shtrëngim apo kuotë - megjithatë pjesa më e madhe e njerëzve shohin filma vendas.


Kinematografia jugosllave vlerësohet si jashtë ashtu edhe brenda vendit. Regjisorët jugosllavë marrin pjesë nëpër festivale duke fituar shumë çmime. Vendi i mbyllur i Europës akoma mund të krenohet në komunitetin ndërkombëtar me triumfet e tij kinematografike. Filmat e suksesshëm mund të konsiderohen si një provë e suksesit të çdo regjimi, edhe nëse nuk janë vërtetë të mirë. Por kjo nuk vlen për Jugosllavinë - të paktën jo më.


Deri pak vite më parë industria e kinematografisë merrte një ndihmë nga shteti. Në një praktikë të ngjashme për të gjithë Europën, Radio Televizioni i Serbisë blinte të drejtat televizive për transmetimin e filmave që më parë duke vepruar si një bashkë-producent. Kohët e fundit edhe kjo praktikë duket sikur nuk ekziston më. Tashmë epoka e ministres jopopullore të kulturës Nada Popoviq-Perishiq dhe "vitit të kulturës" pompoz të saj duket si një epokë e artë.


Shumë filma jugosllavë janë tepër subversivë, gjë e cila shpjegon edhe suksesin e tyre jashtë vendit - dhe fundin e përkrahjes së shtetit. Filmi i Goran Paskaljeviq, Kabareja e Ballkanit, ka patur sukses të madh në Kroaci dhe SHBA. Bazuar në dramën e suksesshme të Dejan Dukovskit, të titulluar Fuçia e Barutit, filmi është një sërë episodesh të shkurtra ku paraqiten karaktere të veçanta të cilët shkatërrohen, në disa raste plotësisht, nën presionin e jetës së përditshme në Jugosllavi. Një i ri rrëmben një autobus me pasagjerë, disa shokë të ngushtë i tregojnë njëri tjetrit sekretet e tyre, një grua shkon në vetvrasje për shkak të kujtimeve të luftës. Filmi "Plagët" i Srxhan Dragojeviq është një tregim moraliteti modern i tre të rinjve të cilët rriten gjatë luftës dhe përfundojnë në kriminelë.


Kabareja e Ballkanit është sulmuar ashpër nga gazeta shtetërore Politika dhe "Plagët" është tërhequr nga televizioni shtetëror. Por ndërsa regjimi i Millosheviqit përdor metoda të "buta" kudo që të jetë e mundur, ai deri më tani nuk e ka përdorur grushtin e hekurt që ka përdorur ndaj medias së pavarur.


Sidoqoftë edhe filmat më radikalë janë vetëm pak politikë dhe shumë suksese të kinematografisë vendase janë të standarteve të përrallave të Hollivudit. Së bashku me Kabareja e Ballkanit dhe Plagët janë edhe komedi të tilla si Thesari i Familjes, Lehja Ndaj Yjeve dhe Tre Palma Për Dy Punk Dhe Një Fëmijë, suksesi i të cilëve është thjesht për shkak të vlerave humoristike.


Pra, për momentin politika ndaj kinemasë dhe teatrit vazhdon të jetë e lirë, pavarësisht nga pëlqimi i kësaj të fundit për satirën therrëse. Teatri Radio Index jep shpesh parodi shumë të ashpra me familjen Millosheviq. Ndalimet e shfaqjeve dhe arrestimi i artistëve është shmangur deri më tani, megjithëse së fundi ka pasur disa përpjekje për të marrë nën armë regjisorin e njohur të teatrit Dushan Kovaqeviq.


Për momentin filmat vazhdojnë të prodhohen dhe numri i spektatorëve dhe i çmimeve ndërkombëtare të fituara vazhdon të rritet. Megjithatë një regjim që shkatërron gjithçka që prek, që nga ekonomia deri tek opozita, policia, media dhe ushtria - ndoshta do të kthejë vëmendjen edhe nga kinematografia. Por deri atëherë, skena e artit është një nga fushat e pakta të jetës që akoma mbijeton në këtë vend të tmerrshëm.


Goran Goçiq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists