Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

SERBËT E KOSOVËS PRESIN RINDËRTIMIN E SHTËPIVE

Disa muaj pasi ekstremistë shqiptarë kanë djegur shtëpitë e tyre, shumë serb të zhvendosur ende nuk kanë parë asnjë shenjë të rindërtimit të premtuar.
By Tanja Vujisic

Stana Nikoliq, 73 vjec, kërkon në oborrin e shtëpisë së saj të djegur për ndonjë orendi të shtëpisënë të cilën ka jetuar deri më 17 mars të këtij viti.


Atë ditë, ekstremistë shqiptar u kanë vënë zjarrin shtëpive serbe në fshatin e Svinjare, katër kilometra në jug të qytetit të ndarë të Mitrovicës në Kosovë.


Shtëpia e Nikoliq nuk është rindërtuar ende dhe ajo nuk e di se kur mund ti vijë rradha. Nga 134 shtëpitë e djegura në fshat, vetëm 30 prej tyre po rindërtohen – dhe shtëpia e saj nuk është një prej tyre.


Ato pak shtëpi janë përzgjedhur nga Komiteti i Rindërtimit, i krijuar nga qeveria e Kosovës dhe i drejtuar nga ministri i kulturës dhe sporteve Bexhet Brajshori. Plani i punës i përgatitur nga komisioni përfshin riparimin fillimisht të shtëpive më pak të dëmtuara duke lënë për në fund ato të cilat janë shkatërruar krejtësisht.


Po bëhet gjithnjë e më e dukëshme që plani i qeverisë për të rindërtuar shtëpitë e djegura nuk do të përfundojë brenda afatit të përcaktuar për në shtator, kryesisht për shkak të përllogaritjes së gabuar të fondeve të nevojëshme.


Vonesat në programin e rindërtimit në Svinjare do të rëndojnë edhe më tepër problemet e rikthimit të serbëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre në të gjithë Kosovën.


Pjesa më e madhe e serbëve të zhvendosur nuk dëshirojnë të kthehen individualisht në vendet prej nga të cilat janë larguar në mars, duke thënë se ata do të kthehen vetëm në grup, kur të jenë rindërtuar të gjitha shtëpitë.


Vala më e fundit e dhunës në Kosovë, sipas të dhënave nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, ka shkaktuar shkatërrimin e plotë apo të pjesëshëm të rreth 843 shtëpive dhe 30 kishave, duke lënë të pastrehë rreth 4,000 serbë, rom dhe pjestarë të pakicave të tjera jo shqiptare.


Qeveria e Kosovës ka caktuar një fond prej pesë milion euro për rindërtimin e shtëpive në muajin prill por më pas ky fond është shtuar në pothuajse 12 milion euro.


Tani ekziston shqetësimi se edhe kjo shumë më e madhe nuk do të mjaftojë, dhe qeveria e bashkitë e vecanta po përpiqen të sigurojnë fonde shtesë për procesin e rindërtimit.


Mimoza Kusari, zëdhënëse e qeverisë së Kosovës, ka thënë për IWPR se qeveria po mendon të organizojë një konferencë donatorësh për shkak të shumës së madhe të fondeve që nevojiten. Ajo ka thënë se disa bashki kanë filluar tanimë të mbledhin fonde të tjera shtesë, duke vendosur taksa më të mëdha për regjistrimin e makinave.


Gjatë një vizite në Kosovë më 7 qershor, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikën e jashtëme, Javier Solana, ka thënë se BE mund të ndëshkojë qeverinë nëse rindërtimi nuk përfundon brenda shtatorit.


“Procesi i rindërtimit nuk po ecën me ritmet e duhura,” ka thënë ai në Prishtinë. “Dimri po afrohet, dhe nëse shtëpitë nuk rindërtohen deri atëherë, ato do të mbeten në këtë gjendje – dhe kjo është dicka e papranueshme për ne”.


Por më 22 qershor, kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka përcaktuar një datë më të vonë, duke thënë për Radion Evropa e Lirë se ai mendonte se punimet do të përfundonin brenda fundit të tetorit ose fillimit të nëntorit.


Peggy Hicks, drejtore e departamentit të kthimit në UNMIK, ka thënë se ajo dyshonte që puna do të mbaronte brenda afatit të vendosur nga BE: “Nuk mendoj se do të përfundojë brenda 1 shtatorit, por njerëzit mund të jetojnë në oborret e shtëpive të tyre, në shtëpi të lëvizëshme dhe tenda, deri sa të përfundojnë punimet”.


Ajo ka shtuar se “Është shumë e rëndësishme që të bëhet sa më tepër të jetë e mundur deri në atë kohë në mënyrë që të fitohet besimi i njerëzve shtëpitë e të cilëve po riparohen”.


Serbët në Obiliq, një qytet i vogël nga i cili janë dëbuar në mars, kanë marrë disa shtëpi të lëvizëshme si dhuratë nga kontingjenti norvegjez i KFOR. Në Obiliq, 108 nga 415 serbët të cilët jetonin atje deri në mars janë rikthyer për të jetuar në shtëpitë e lëvizëshme.


Shtëpi të tilla janë dërguar edhe në Svinjare si dhuratë nga Rusia, megjithëse disa prej tyre janë vjedhur menjëherë. Pesë janë zhdukur dy javë më parë pasi janë sjellë, dhe megjithëse KFOR dhe policia e UNMIK kanë thënë se kishin vënë re vjedhjen, kanë thënë për IWPR se nuk është përgjegjësi e tyre ti ruanin ato.


Në ndryshim nga shtëpitë e djegura, për sa i përket kishave dhe manastireve të shkatërruara apo dëmtuara gjatë dhunës së muajit mars, nuk është kryer ende asnjë vlerësim i dëmeve të shkaktuara. Një komision i UNESCO ka vizituar Kosovën në prill, por ende nuk ka kryer asnjë vlerësim të dëmit.


Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Solana ka thënë se rindërtimi i monumenteve fetare është një tjetër detyrim i qeverisë së Kosovës.


E vetmja gjë që i intereson Stana Nikoliq është se kur do të përfundojë riparimi i shtëpisë së saj – dhe jo kush do ta bëjë atë.


Ajo dëshiron të kthehet në Svinjare sepse që nga muaji mars ajo jeton në bodrumin e një shkolle të mesme në Mitrovicë së bashku me 59 serbë të tjerë, kryesisht nga Obiliq, të cilët presin që shtëpitë e tyre të rindërtohen në mënyrë që të mund të rikthehen atje sa më parë.


Tanja Vujisiq është një korrespondente e Shërbimit Serb të BBC në Kosovë, e cila po ndjek Kursin Fillestar të Gazetarisë të organizuar nga IWPR.