RUMUNËT PARALAJMËROJNË KATASTROFË EKOLOGJIKE NË DELTËN E DANUBIT

Vendimi i Kievit për të ndërtuar një kanal lundrues përmes kënetës më të madhe të Evropës ka shqetësuar ekologjistët rumunë dhe ata ndërkombëtarë.

RUMUNËT PARALAJMËROJNË KATASTROFË EKOLOGJIKE NË DELTËN E DANUBIT

Vendimi i Kievit për të ndërtuar një kanal lundrues përmes kënetës më të madhe të Evropës ka shqetësuar ekologjistët rumunë dhe ata ndërkombëtarë.

Rumania po përpiqet të bëjë presion ndaj fqinjit të saj lindor, Ukrainës, mbi planet për të ndërtuar një kanal përmes Deltës së Danubit, i cili sipas Rumanisë përbën një kërcënim serioz për eko sistemin e këtij habitati natyror të veçantë.


Ukraina ka filluar punën në pjesën e parë të ndërtimit të kanalit të Bystroe më 26 gusht. Projekti përfshin pastrimin e një kanali ekzistues dhe shndërrimin e tij në një kanal të lundrueshëm prej 160 kilometra i cili do të lidhë Detin e Zi me lumin Danub.


Duke bërë këtë, Ukraina po shpërfill një korr shqetësimesh dhe kundërshtimesh nga organizmat ndërkombëtare, qeveri të huaja dhe vetë Rumania. Të gjithë janë të shqetësuar nga dëmi potencial i kanalit të ri të zgjeruar ndaj një ekosistemi ku rriten disa prej zogjve më të rrallë në kontinentin evropian.


Delta e Danubit është e njohur për pasurinë dhe varietetin e faunës së saj. Aty jetojnë mbi 300 lloje zogjsh, 160 lloje peshqish, përfshirë edhe llojin e famshëm të salmonit i cili prodhon haviarin e famshëm, dhe 800 lloje bimësh, shumë prej të cilave nuk rriten në asnjë pjesë tjetër të kontinentit.


Romulus Stiuca, drejtor i Institutit Kombëtar të Deltës së Danubit në Rumani, thotë për IWPR se ky projekt do të shkatërrojë shumë prej këtyre specieve duke filluar nga “kolonia më e madhe e pelikanëve në Evropë”.


Stiuca parashikon se kanali i ri mund të shkaktojë një “katastrofë ekologjike” në Deltën e Danubit. “Bimët unikale do të zhduken krejtësisht nga faqja e tokës,” thotë ai.


Rezultatet e para të ndërtimit kanë filluar të duken. Natyralistët kanë vëzhguar se disa qindra zogj janë larguar nga foletë e tyre këtë verë, për shkak të zhurmës së ndërtimeve.


Që prej muajit maj, kur Ukraina ka njoftuar planet e saj, ekologjistët nga e gjithë bota kanë paralajmëruar vazhdimisht se ambjenti në deltën e lumit do të shkatërrohet krejtësisht.


“Kanali do të ndryshojë balancën hidrologjike të deltës,” thotë për IWPR, Radu Popa, një studjues rumun në Universitetin e Kalifornisë së Jugut.


“Sipërfaqja e mbuluar nga uji do të pakësohet dhe do të shtohet avullimi,” ka shtuar ai. “Habitati do të dëmtohet rëndë dhe shumica e peshqve do të zhduken. Do të shkatërrohen shumë fole zogjsh në këtë zonë”.


Parashikimet e tij pranohen nga pothuajse të gjithë ekspertët e ambjentit, të cilët thonë se kanali i ri, i zgjeruar do të largojë ujin nga delta, duke shkaktuar një katastrofë në habitatin e kënetës.


Ky projekt pritet të ketë edhe pasoja të tjera të rënda për ambjentin si ndotja e tij për shkak të kalimit të anijeve dhe rrjedhjes së vajrave dhe karburanteve dhe zhurma e madhe, të cilat do të kenë pasoja tepër të rënda për florën dhe faunën e zonës.


Sipas Popas, kanali i ri do të dëmtojë jo vetëm ambjentin në Deltën e Danubit, por edhe atë të rajonit të Detit të Zi.


“Të gjitha kimikatet dhe plehrat të cilat përdoren në bujqësi në zonat e brigjeve të Danubit derdhen në ujërat nëntokësore dhe më pas në lum,” thotë ai. “Rrënjët dhe bimët në deltë i filtrojnë këto substanca por nëse ato shkatërrohen delta nuk do të veprojë më si një filtër i madh dhe ekosistemi i Detit të Zi mund të dëmtohet.


Përveç mosmarrëveshjes më të fundit mbi fatin e deltës, Rumania dhe Ukraina kanë pasur mosmarrëveshje të mëdha për vite me rradhë në lidhje me Detin e Zi, kryesisht për shkak të peshkimit dhe të drejtave të eksplorimit në veri.


Rreth 13,000 kilometra katror të detit, të cilat mendohet se janë të pasura me naftë dhe gaz janë objekt i këtyre mosmarrëveshjeve. Më 16 shtator, Rumania e ka çuar këtë mosmarrëveshje në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.


Për sa i takon Deltës së Danubit, Rumania, e cila kontrollon rreth 80 përqind të zonës, i ka kërkuar Ukrainës të ndalojë ndërtimin e kanalit të Bystroe deri sa ekspertët ndërkombëtarë të kenë mundësi të vlerësojnë pasojat e tij mbi ambjentin.


Ministri rumun i ambjentit, Speranta Ianculescu, i ka kërkuar më parë këtë vit Ukrainës të paraqesë një studim mbi pasojat e mundëshme të kanalit mbi ambjentin.


Në fund të muajit korrik Bukureshti ka marrë një dokument prej dhjetë faqesh. Ai “nuk ka qenë aspak i mjaftueshëm për ne,” ka thënë pak kohë më parë Ianculsecu.


Pavarësisht paralajmërimeve të ambjentalistëve dhe ankesave të Rumanisë, Ukraina thotë se punimet për ndërtimin e kanalit do të vazhdojnë, duke thënë se projekti do të përmirësojë ekonominë e rajonit dhe do të krijojë vende të reja pune. Projekti pritet të përfundojë në fund të vitit 2008.


Ukraina ka kundërshtuar vazhdimisht shqetësimet për ambjentin dhe ka akuzuar Rumaninë se po ekzagjeron rrezikun.


Megjithatë, rasti i Rumanisë, të cilit i është bërë shumë publicitet në median lokale të vendit, po tërheq edhe shumë mbështetje ndërkombëtare.


Bashkimi Evropian i ka kërkuar zyrtarisht Ukrainës të ndalojë ndërtimin e kanalit muajin e kaluar dhe ka dërguar një ekip ekspertësh të BE në Rumani për të hetuar me qëllim përgatitjen e një raporti mbi pasojat e projektit të Bystroe.


Komisioni Evropian ka paralajmëruar Kievin se projekti mund të dëmtojë rëndë marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Ukrainës. “Ky nuk është një zhvillim i mirë. Hapja e këtij kanali nuk do të ndihmojë marrëdhëniet tona me Ukrainën,” ka thënë zëdhënësi i komisionit Jean Christophe Filori në një konferencë për shtyp në Bruksel.


Kancelari gjerman Gerhard Schroeder ka folur gjithashtu për këtë temë. Pasi ka diskutuar rreth projektit të Bystroe me kryeministrin Adrian Nastase gjatë vizitës së tij në Rumani pak javë më parë, ai ka thënë: “Ky projekt duhet të bëhet vetëm pas një analize ndërkombëtare të pasojave mbi ambjentin, përndryshe është i papërgjegjëshëm”.


Kancelari megjithatë ka thënë se Berlini nuk mund të ndalojë një kompani private gjermane për tu përfshirë në këtë projekt. Mendohet se ai i është referuar Josef Mobius Bau AG, një firmë e punësuar nga Ukraina për të ndërtuar kanalin.


Fondi Botëror për Natyrën, ËËF, një prej organizmave më të njohura ndërkombëtare për mbrojtjen e ambjentit, ka dënuar Ukrainën për projektin e ndërtimit të kanalit. “Ky veprim i Ukrainës është një fyerje ndaj gjithë lumit të Danubit, një thesar evropian dhe botëror,” thuhet në një raport të kohëve të fundit.


Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shprehur gjithashtu shqetësim. Në një konferencë për shtyp në fund të gushtit, zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Adam Ereli ka thënë se Uashingtoni “është shumë i shqetësuar për pasojat ambjentaliste të këtij projekti ndërtimi dhe nga mungesa e veprimit të qeverisë së Ukrainës për të zbatuar detyrimet e saj dhe traktatet ndërkombëtare dhe ndaj pozicioneve të marra nga vendet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare”.


Traktatet në fjalë janë konventat e nënshkruara nga Rumania dhe Ukraina për deltën, përfshirë konventën ndërkombëtare të Ramsar në vitin 1971 për kënetat, një marrëveshje dypalëshe Ukrainë-Rumani dhe shpalljen e kësaj zone si një zonë e “Njeriut dhe Biosferës” nga UNESCO.


Ndërsa mosmarrëveshja thellohet, Rumania ka kërcënuar të ndërtojë një kanal tjetër ndërmjet Danubit dhe Detit të Zi, duke e bërë të pavlefshëm kanalin e Bystroe.


Ky kanal do të jetë rreth 20 kilometra i gjatë dhe do të thajë pjesën më të madhe të ujit të Danubit përpara se lumi të arrijë në Ukrainë, duke e bërë të pamundur lundrimin në Bystroe. Qeveria parashikon se projekti mund ti kushtojë Rumanisë rreth 4 milion euro dhe mund të përfundojë brenda dy vjetësh.


Daniela Tuchel punon për gazetën Liberatatea me qendër në Bukuresht.


Frontline Updates
Support local journalists