Rumania Merr Masa për Ndalimin e Imigracionit Ilegal

Rumania është shndërruar vitet e fundit në një qendër tranziti për imigrimin e klandestinëve drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Rumania Merr Masa për Ndalimin e Imigracionit Ilegal

Rumania është shndërruar vitet e fundit në një qendër tranziti për imigrimin e klandestinëve drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Tuesday, 5 September, 2000

Rumania po kërkon ndihma të reja për të përmirësuar sigurinë e kufinjve të saj në një përpjekje për të arritur standartet e Bashkimit Europian në fushën e kontrollit të migracionit.


"Për të parandaluar kalimet e paligjshme të kufirit dhe kontrabandën në kemi nevojë për më shumë fonde," thotë kolonel Marian Dumitru, shef i departamentit të policisë kufitare të Rumanisë. "Ne kemi nevojë për ndihmë, asistencën e Bashkimit Europian dhe veçanërisht fonde."


Rumania vitet e fundit është shndërruar në një qendër tranziti për imigrantët klandestinë për në vendet e BE-së, veçanërisht nga vendet e ish-BS-së, Somalia, Iraku, Afganistani dhe Sri Lanka. Brukseli ka kërkuar që Bukureshti duhet të përmirësojë kontrollet ndaj imigracionit klandestin nëse dëshiron të fitojë anëtarësimin në BE.


Statistikat zyrtare tregojnë se pothuajse 500 njerëz kanë hyrë në Rumani ilegalisht gjatë gjashtëmuajve të parë të këtij viti, një shifër kjo sa dyfishi i së njëjtës periudhë të një viti më parë. Të gjithë këta kanë deklaruar se e përdorin Rumaninë si vend tranziti gjatë rrugës së tyre për në vendet e BE-së.


Gjendja në Rumani është e përafërt me atë të vendeve të tjera të Ballkanit - veçanërisht Bosnjen dhe Kroacinë. Trupat e 12 imigrantëve klandestinë iranianë u nxorrën nga lumi Sava, i cili ndan Kroacinë nga Bosnja, më 30 dhe 31 gusht. Nëntë burra dhe tre fëmijë u mbytën kur varka e tyre u përmbys. Javën e kaluar policia kroate në Bosnje ktheu 54 iranianë, 29 irakenë, 9 turq pasi ata u kapën duke u përpjekur të kalonin kufirin.


Mungesa e kërkesës për vizë nga ana e Bosnjes e ka bërë këtë vend të përshtatshëm për shumë njerëz të cilët dëshirojnë të imigrojnë drejt perëndimit. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit policia boshnjake ka ndaluar 600 persona të cilët përpiqeshin të kalonin kufirin. Shifrat e dhëna nga vëzhgues të huaj dhe vendës thonë se numri i atyre që arrijnë të kalojnë kufirin është të paktën dhjetë herë më i lartë.


Policia kroate në 12 muaj deri në maj të vitit 2000 ka arrestuar 6,000 klandestinë në krahasim me 4,500 gjatë vitit të kaluar.


Këtë muaj autoritetet rumune planifikojnë të hapin një qendër të dytë për imigrantët ilegalë në pjesën perëndimore të vendit, pranë kufirit me Hungarinë. Kjo strukturë do të ofrojë strehim, ushqim dhe kujdes shëndetësor për 100 njerëz. Qendra ekzistuese në rrethinat e Bukureshtit është gjithnjë e tejmbushur.


Financimi për ngritjen e qendrës së re kanë ardhur nga Bashkimi Europian (800,000 Euro) dhe ministria e brendshme rumune (200,000 Euro).


BE ka aprovuar gjithashtu një kredi prej 12 milion dollarë amerikanë për pajisje për përmirësimin e kontrollit të kufirit. Por zyrtarët thonë se nevojiten më shumë fonde nëse Rumania do të ngrejë nivelin e kontrolleve të saj në standartet e BE-së. Një zyrtar i lartë i policisë së emigracionit të Kroacisë ka bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar duhet të ndihmojë në luftën ndaj këtij fenomeni. Shërbimi kufitar i Kroacisë, ka thënë zyrtari, nuk ka personelin e nevojshëm dhe pajisjet për të monitoruar si duhet kufinjtë e vendit.


Në përputhje me politikën e BE-së për gjetjen e një taktike të përbashkët për kontrollin e flukseve, Rumania ka filluar të punojë me Bullgarinë për të rritur sigurinë në kufi. Një marrëveshje dypalëshe kthimi është nënshkruar në fund të muajit qershor. Të dyja vendet janë në listën e "zezë" të vendeve qytetarët e të cilave kanë nevojë për vizë për të hyrë në vendet e BE-së për shkak të kontrolleve të pakta të imigracionit.


Bukureshti ka filluar bisedimet edhe me Ukrainën, Rusinë dhe Moldavinë për marrëveshje të reja për të kthyer qytetarët e këtyre vendeve të cilët hyjnë ilegalisht në Rumani. Rumania ka nënshkruar marrëveshje ripranimi me Bullgarinë, Hungarinë dhe pjesën më të madhe të vendeve perëndimore gjatë viteve të fundit.


Shifrat zyrtare tregojnë se në gjashtë muajt e parë të këtij viti policia kufitare rumune ka ndaluar rreth 21,000 nënshtetas të huaj - kryesisht nga vendet e ish-BS-së - për të hyrë në vend sepse nuk kishin dokumentat e nevojshme.


Por lëvizjet janë në të dyja drejtimet. Të dhënat e policisë tregojnë se rreth 23,000 rumunë janë kthyer vitin e kaluar dhe më shumë se 4,300 janë kthyer gjatë tremujorit të parë të këtij viti - rreth 1,800 nga Hungaria fqinje. Ndërmjet prillit dhe qershorit 2000, policia maqedonase ka ndaluar 7,000 njerëz që janë përpjekur të hyjnë ilegalisht në vend. Pjesa më e madhe kanë qenë rumunë, të pasuar nga shqiptarë, bullgarë dhe jugosllavë.


Policia rumune ka bllokuar gjithashtu rreth 4,700 shtetas rumunë të cilët dëshironin të largoheshin nga vendi me dokumenta të fallsifikuara. Autoritetet rumune pritet të aprovojnë një model të ri pasaporte, e cila përmbush standartet e BE-së në të ardhmen e shpejtë.


Marian Kiriak është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists